Njoftime të rreme për Berishën, Prokuroria liron katër të rinjtë

Aug 18, 2011 | 11:31
Faksimile e njoftimit të shpërndarë në Tiranë

TIRANE – Prokuroria e Tiranës urdhëroi dje lirimin e menjëhershëm nga dhomat e izolimit për katër personat e arrestuar 48 orë më parë me akuzën e njoftimeve të rreme dhe shpifjes ndaj Kryeministrit Sali Berisha. Anëtarët e shoqatës “Rinia aktive”, Klevis Ferit Bejleri, 24 vjeç, banues në Tiranë, Arlind Ilir Kote, 21 vjeç, banues në Tiranë, Dritan Stefan Broka, 23 vjeç, banues në Tiranë dhe Gernado Ferruzon Duraj, 18 vjeç, janë liruar dje rreth orës 13:00 nga Komisariati Nr. 3 në kryeqytet. Gjatë gjithë kohës para këtij komisariati kanë qëndruar familjarë të të rinjve dhe drejtues të organizatës “Mjaft”. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm policia ka referuar në prokurori dosjen penale ndaj katër të rinjve. Në referimin e policisë lidhur me ngjarjen kërkohej që të fillonte ndjekja penale për akuzat “shpifja për shkak të detyrës” dhe “përhapja e informatave të rreme”, vepra penale të parashikuara nga nenet 240 dhe 267 të Kodit Penal. Prokuroria e Tiranës, me anë të grupit të gatishmërisë, vlerësoi materialet dhe vendosi që të mos i drejtohet gjykatës për ndonjë masë sigurie ndaj të rinjve. Brenda pak orësh organi i akuzës hartoi urdhrin që do t’i drejtohej policisë për lirimin e menjëhershëm të katër personave që mbaheshin ne qelitë e izolimit. Sipas policisë, arrestimi i tyre u bë pasi katër të rinjtë janë kapur nga shërbimet e Komisariatit Nr.3 Tiranë, rreth orës 03:20, në rrugën “4 Shkurti”, duke vendosur pankarta për përhapje të informacioneve të rreme, me qëllim paniku dhe shpifje, për shkak të detyrës, të punonjësve që kryejnë një detyrës shtetërore. Pankartat e vendosura prej tyre i drejtoheshin Kryeministrit Sali Berisha me një njoftim satirik për vdekje. Letrat e printuara që ngjiteshin në shtylla dhe në mure ironizonin Kryeministrin me argumente politike lidhur me ngjarjen e Gërdecit e deri te shembja e Piramidës. Burime nga prokuroria e Tiranës thanë dje se lirimi i katër të rinjve është urdhëruar për shkak të mungesës së rrezikshmërisë shoqërore të tyre. Po kështu, sipas organit të akuzës, veprat penale që policia u ka referuar katër të arrestuarve ndiqen civilisht në gjykatë ose me ankim nga i dëmtuari, në këtë rast, Kryeministri i vendit Sali Berisha.   tr.so

Reagon Kryeministria

Kryeministria reagoi mbrëmë me anë të një deklarate lidhur me arrestimin dhe lirimin e të rinjve që shpërndanë njoftime të rreme në Tiranë. “Kryeministri kërkoi lirimin e menjëhershëm të katër të rinjve që u ndaluan nga policia duke vendosur postera që në fakt nuk shprehin qëndrimin e tyre personal, por ishin përsëritja e radhës e sindromit obsesiv mortor të skenaristit të tyre, z. Rama, që ushqen dhe ngushëllon veten duke imagjinuar fatkeqësi të kundërshtarëve”, thuhet në deklaratën e Kryeministrisë.

© Panorama.al

Te lidhura