Aktori Amos Zaharia, ka folur si rrallë herë për jetën e tij dhe familjen, divorcin e prindërve kur ai ishte ende fëmijë, raportin me të motrën, Elia Zaharinë dhe divorcin e bujshëm të kësaj të fundit nga Princ Leka.
Në një intervistë të dhënë së fundmi, Amos ka treguar se prindërit e tij, Yllka Mujo dhe Gjergj Zaharia janë divorcuar kur ai ka qenë rreth katër vjeç, dhe për shumë vite njihte vetëm figurën e mamasë së tij si nënë e baba.
“Kur u divorcuan prindërit u nisëm për Greqi në vitin 91. Tani kur e mendoj, çfarë guximi ajo grua. E vetme me dy fëmijë…Deri në moshën 6-vjeçare mendoja që prindi i vetëm është nëna, nëna është edhe babai, edhe nëna, edhe gjyshja. Kështu ka qenë për mua.”, tha ai, ndërsa tregoi edhe takimin e parë me të ati në moshën 6-vjeçare në shkollë.
Amos u shpreh se në fillim u tremb nga takimi me Gjergjin, pro më pas ata u lidhën edhe më shumë bashkë në vijim. Ai e ka përshkruar të atin si njëri shumë të përkushtuar dhe të kujdesshëm.
“U ribashkova me tim atë, dhe zbulova një dimension tjetër të prindërimit. Një ditë pasi rikthemi në Shqipëri, troket dera, isha në klasë të parë, më thotë zysha që është babai te dera. Për mua ishte e papritur dhe dal, shikoj një burrë që më përkëdhel, më puth, më thotë ‘jam babai’, por nuk dija si të reagoja, nuk isha i përgatitur.
Kisha që në moshën 3-4 vjeç që nuk e kisha parë. Kur isha 6 vjeç e kam parë. U tremba njëherë, por u mësova me idenë dhe më pas u lidhëm me njëri-tjetrin. Në familje është një njëri i dashur, ajo që ka pas në punë ka qenë për shkak të punës… është shumë i dashur, i kujdesshëm dhe gjithmonë përpiqet të jetë aty për ty në çdo moment. Nuk përton, jen më biçikletë kudo që ti të jesh”, tha ai mes emocionesh në një intervistë në S’e Luan Topi.
Më tej, Amos ka folur dhe për nënë e tij, Yllka Mujon, për të cilën tha se është njeriu më i butë që mund të ekzistojë dhe që ka sakrifikuar shumë për të dhe Elian.
“Yllka është njeriu më i butë që mund të ekzistojë, aq e butë sa është aq edhe luftarake bëhet për familjen e saj. E kam parë në shumë situata në jetën e saj, për të mos na munguar asnjë, as mua dhe as Elias. Ajo vërtetët ka bërë atë që prindërit mendoj se duhet të bëjnë për fëmijët e tyre, ka sakrifikuar veten e saj për ne, Yllka e ka bërë në mënyrë absolut. Për mua prindërit janë aq të rinj sa kanë edhe shpirtin, për mua nuk kanë marr moshë fare. Yllka ka qenë gjithmonë si fëmijë, nuk arrij t’ia bëj diferencën me fëmijët e saj”, tha ai.
Divorci i Elias nga Princ Leka
Amos ndau ndër të tjera edhe përjetimin e tij për divorcin e bujshëm të së motrës nga Princ Leka, e cila u përcoll një trysni të jashtëzakonshme mediatike.
Ai ka treguar se nuk e ka përjetuar mirë, por është përpjekur t’i qëndroj të motrës sa më pranë.
“E dija që ishte një moment shumë i vështirë për Elian dhe e vetmja gjë që mund të bëja dhe mund të bëjë e gjithë familja është që mund t’i qëndronim pranë. Dhe ekzaktësisht këtë bëmë…”, tha Amos.
“Nuk besoj se ka në rruzullin tokësor një vëlla që do t’i bëj qejfi që motra kalon një kalavar të vështirë. Normal që nuk e kam përjetuar mirë, por mendoj edhe këtë tjetrën, se në qoftë se rrugëtimit të një çifti i ka ardhur fundi, është mbase më mirë që gjithsecili prej tyre të vazhdojë rrugën e vet, të përpiqet të gjejë atë që nuk e ka gjetur në momentin që nuk ishin bashkë.
Mbase ka qenë edhe një lloj lehtësimi nga ana e të dyve që të ndërpritej aty dhe të vazhdonin… Jeta nuk mbaron, kanë një fëmijë bashke, është plot me surpriza, jeta ka shumë momente të bukura që mund të të të sjellë në të ardhmen. Nuk është fundi i botës.
Kemi folur shumë bashkë, se jam përpjekur t’i rri afër në atë moment, sepse e di që nuk është i lehtë, aq më tepër kur është një Shqipëri e tërë që është duke ndjekur se çfarë është duke ndodhur. Njerëzit, duke qenë totalisht në anonimat, e përjetojnë shumë keq këtë gjë, imagjino kur ke edhe një trysni shumë të madhe që është opinioni i shoqërisë që do japë opinionin pa i ditur mirë gjërat. E dija që ishte një moment shumë i vështirë për Elian dhe e vetmja gjë që mund të bëja dhe mund të bëjë e gjithë familja është që mund t’i qëndronim pranë. Dhe ekzaktësisht këtë bëmë…”, tha aktori.
Prindërimi dhe martesa
Ndërsa u ndal tek mbesa e tij Geraldinë, të cilën e konsideroi një vajzë të veçantë, Amos foli dhe për jetën e tij dhe dëshirën për tu bërë baba.
Ai la të kuptohet se në jetën tij ka një lidhje dashurie, por pa dhënë më shumë detaje. Përgjigjen e pyetjes nëse do kishte dëshirë të bëhej baba së shpejti, Amos e la të hapur.
“Veten e mendoj baba mbase në të ardhmen, por e mira është të mos bësh plane. Nëse do vijë një ditë, e mirëpres patjetër”, tha ai, ndërsa shtoi se çdo vajzë që ka qenë në jetën e tij, e ka dashur.
Aktori tha se nuk beson në martesë, por më shumë në bashkëjetesë dhe se ndjenjat kanë më shumë vlerë se një martesë, e cila në shumë raste sipas tij, është thjeshtë një copë letër.
“Unë jam daja më i mirë në botë. Po citoj Gerin, luaj shumë me Gerin. Ka shumë qejf ta gudulisësh, është bërë një gocë shumë e mbarë, e shijon shumë jetën. Jam shumë i lumtur që Geri është bërë pjesë e familjes sonë. I do fëmijët? Të tjerëve po. Veten e mendoj baba mbase në të ardhmen, por e mira është të mos bësh plane. Nëse do vijë një ditë, e mirëpres patjetër. Nuk e di, mund të jetë edhe nesër. Që është kollaj e dimë.
Unë çdo person që ka qenë në jetën time ka qenë njëri i zemrës. Me çdo vajzë që jam lidhur, gjithmonë e kam dashur shumë, por jeta, koha të bëjnë që rrugët të ndahen në një pikë dhe të bashkohen me një tjetër. Për momentin, po jam, por nuk dua ta vë dorën në zjarr për asnjë se jeta është gjithmonë më të papritura. A do doja të ishte kjo e fundit? Po patjetër. Kështu kam dashur edhe më parë. Besoj shumë te bashkëjetesa dhe jo te martesa në vetvete. Por mendoj se për shumë raste martesa është thjeshtë një kontratë, dhe ajo që ka me të vërtet vlerë janë ndjenjat dhe jo copat e letrave dhe në këtë aspekt mendoj se bashkëjetesa është më e rëndësishme”, tha ai.
Eksperienca në BBV
Në fund, i ndalur te eksperienca e tij në Big Brother Vip, Amos tha se nuk ka pasur mundësi të tregoj më shumë nga vetja dhe se është keqkuptuar shumë.
“Nuk ishte ambienti që të më lejonte të kisha mundësi të nxirrja nga vetja dimensionin ndryshe nga ajo që është parë, nuk ishin njerëzit e duhur. Jam keqkuptuar shumë. Ishte çështje tifozllëku. Nëse ishe kundërshtari i dikujt, duket të ishe automatikisht armik, e ku di se çfarë. Ishte një eksperiencë, që nëse do ta ktheja kohën prapa, prap do ta kisha bërë. Mbase do isha më indiferent. Kam qenë indiferent dhe nuk jam zënë… Jam tallur me timen, kam parë debatet. Mbase koha do i tregoj gjërat”, përfundoi ai.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al