“Ia hoqa qafe dynjasë”. Kjo është fjalia e vetme e Ndue Stomiçit në mëngjesin e hershëm të 31 korrikut, vetëm pak minuta pasi vrau me pushkë djalin e tij 15-vjeçar, Nikolinin.
Dhe “dynjaja” nga fshati i thellë, Torovicë, kërkonte së fundmi 1 milion lekë. Sipas pretendimeve të komshinjve me mbiemrin Ulaj, Nikolini u kishte vjedhur disa sende të florinjta me këtë vlerë. Vjedhje, e cila nuk është pranuar as nga adoleshenti problematik dhe as nga nëna e tij që e ka rritur nga mosha 3 vjeç (njerka), Gofile Stomiçi. Alibia e Nikolinit ishte e fortë kësaj here, por duke qenë se kishte kryer më parë disa vjedhje të tjera si në fshat, ashtu edhe në shtëpinë e tij, duket se askush nuk e besonte më. Madje, as babai i tij, pavarësisht betimeve të të birit, derisa e vrau teksa flinte gjumë. “Nikolini ka bërë shumë vjedhje në fshat. Ka qenë djalë shembullor, por nuk dimë se çfarë pësoi dhe prej dy vitesh, u bë shumë problematik. Vidhte madje edhe në shtëpinë tonë, por ato sende të arta nuk i ka prekur me dorë dhe për këtë jam e bindur 100 për qind. Sepse ditën kur ka ndodhur vjedhja, ai ka qenë i izoluar me mua në shtëpi 24 orë. Dritaret kanë qenë të gozhduara nga jashtë dhe dera e mbyllur nga brenda me çelës të madh, të cilin e mbaja unë. Askush nuk na besoi të dyve dhe na ofenduan, por tani që im shoq vrau të birin për ca varëse e unaza që s’i preku kurrë me dorë, për ndonjë kokërr rrush e mollë të vjedhur gjëkund, do të doja t’u bëja një pyetje komshinjve të mi: A ndjehen më të lirshëm dhe të qetë tani, që një djalë 15 vjeç hyri në varr vetëm nga ankesat e tyre?”, shprehet Gofilja, ndërsa pranë i shkojnë dy djemtë e tjerë të saj. Njëri 10 vjeç dhe tjetri 7, duket se kanë qenë të lidhur me të vëllain. “Unë flija gjithnjë me Linin”, thotë i madhi si me krenari, ndërsa e ëma e urdhëron që të dalë jashtë derisa ne mbarojmë bisedën. “E pashë në ëndërr, po loznim letra dhe ai më mundi”, shton 10-vjeçari në ikje e sipër, derisa Gofilja përfundimisht i mbyll derën për të hapur diçka tjetër; një histori tragjike rrëfyer për gazetën “Panorama”, që nis nga dita kur Nikolini mbeti jetim…
Sa vjeç ishte Nikolini kur ju u martuat me babanë e tij, Ndue?
Ishte rreth 3 vjeç. Më kujtohet si sot, një fëmijë shumë i bukur që mezi lidhte fjalët, por edhe i dashur. Aq i dashur, saqë ju thërriste… Mam… Kështu është në dialektin tonë fjala mama, nënë. A ishit ju “mam” për Nikolinin? Fakti që më shumë se sa me të gjithë, ai hapej me mua, besoj se tregon një dashuri reciproke. Isha “mam” për Nikolinin, ashtu si edhe për dy djemtë e mi që linda më vonë. Edhe të tre vëllezërit duheshin shumë. Njëri prej tyre flinte gjithnjë me Nikolinin. Edhe natën e vrasjes madje ka qenë në një shtrat me atë. Bashkëshorti juaj e ka vrarë Nikolinin, ndërkohë që ka qenë në shtrat djali tjetër? Ranë të flinin bashkë dhe e ka hequr pak momente para vrasjes. Jua rrëfeu bashkëshorti këtë apo e keni parë vetë? Unë nuk kam parë asgjë, deri në momentin kur dëgjova të shtënat. Vetëm përgjumësh më është dukur sikur është hapur dhe mbyllur direkt dera e dhomës ku flija unë me djalin tjetër. Ngrita kokën, por nga errësira dhe përgjumja nuk pashë gjë, ndaj vura kokën sërish në jastëk.
Dhe kur e ngritët?
Kur dëgjova krismën e armës. Atëherë u çova me rrëmbim dhe kur ndeza dritën, pashë që edhe djali që flinte me Nikolinin ishte aty te dhoma ime. Pra, isha unë me dy djemtë në dhomë dhe ata njësoj si unë u ngritën të trembur. Dola me nxitim te dhoma tjetër.
Çfarë pe në dhomën tjetër?
Nikolinin të larë në gjak dhe tim shoq me armë në dorë, i zverdhur, gjysmë i përkulur. Në pak sekonda u ul komplet në dysheme, si i ngrirë.
Çfarë bëtë ju në atë momente?
Mes ulërimash që nuk mbaj mend se çfarë kam thënë, u turra drejt djalit me shpresën se mos ishte gjallë. Çdo sekondë që kalonte po ftohej gjithnjë e më shumë dhe e kuptova që përfundimisht kishte dhënë shpirt. Atëherë u ktheva dhe i thashë tim shoqi: O zot, çfarë bëre kështu?!
Si u përgjigj ai?
Vetëm një fjali tha gjithsej: Ia hoqa qafe dynjasë.
Çfarë kishte Nikolini për “t’ia hequr qafe dynjasë”?
Deri në moshën 13 vjeç Nikolini ka qenë një djalë paqësor, i dashur, i sjellshëm. Para dy vitesh, nuk e dimë se çfarë i ndodhi, por ai sikur u bë tjetër njeri. U shndërrua komplet. Nuk mund ta lije 5 minuta vetëm se do të kryente ndonjë vjedhje. U bë jashtëzakonisht problematik në fshat dhe ne thuajse çdo javë na duhej të paguanim dëmet e tij. Vidhte ç’të mundte.
Po kur i sillte në shtëpi këto sende të vjedhura, si reagonit ju?
Çfarë shtëpie? Ku sillte gjë në shtëpi ai, kurrë nuk ka guxuar, sepse nuk e linim (betohet disa herë sipas religjionit të saj). Madje, ai ka vjedhur edhe në shtëpinë tonë çdo lloj sendi të vlefshëm, por edhe miqtë që na vinin për vizita. Nuk i lija miqtë te hiqnin xhaketat e palltot, se kishim frikë mos na turpëronte. Një herë, Nikolini na mori lopën dhe na e shiti, por e gjetëm shpejt te një tregtar. Këto histori na u bënë të përditshme, aq sa ne kishim filluar ta ruanim në 24 orë.
Në ç’mënyrë e ruanit?
Unë dhe im shoq bënim me radhë roje. Farkuam dritaret nga jashtë komplet (ishin ende) që të mos kishte mundësi të dilte andej, ndërsa derës i vumë një çelës të madh, që e mbanim vetëm ne. Po ashtu, kur donte të dilte, e nxirrnim ne për shëtitje. Kështu po përpiqeshim se mos e sillnim të rrugë të mbarë, pasi shumë metoda të tjera që provuam na dështuan.
Çfarë metodash?
Duke qenë se ndryshoi përnjëherë sjellje, menduam se mos ka pësuar ndonjë gjë në kokë dhe e çuam në disa vizita. Fillimisht në Spitalin e Lezhës, pastaj në Shkodër dhe në fund në Tiranë. Nuk lamë analizë pa i bërë, por asgjë, as në trup dhe as në kokë… Së fundmi, na dhanë një rekomandim mjekët për ta kontrolluar te Spitali Psikiatrik në Tiranë, por pas shumë konsultash, askush nuk na e shtroi (tregon dokumentet e spitaleve).
Duke qenë se kishte bërë shumë vjedhje, a është denoncuar ndonjëherë në polici?
Patjetër, ka dosjen e plotë atje. Por si minoren, duket se nuk kishte se çfarë t’i bënte as policia.
Gjithë këto sende të vjedhura, ku mendonte se i çonte Nikolini, meqë ju thoni që në shtëpi nuk i sillte?
I shiste për pak lekë dhe menjëherë nisej drejt Tiranës e kthehej në mbrëmje, pasi i kishte prishur ato. Për shembull, një herë i vodhi tim vëllai një kompjuter lap-top të ri që ai e kishte sjellë nga Anglia dhe më vonë tregoi se e kishte shitur 5 mijë lekë (të vjetra) në Kamzë. Si kjo histori, plot të tjera. Nuk dinim se çfarë të bënim për ta kthyer në rrugë të mbarë.
Dhe ishte vrasja “rruga e mbarë”?
Unë nuk jam dakord me atë që kam bërë tim shoq, kurrë. Fjala “njerkë” duket e rëndë, por unë jam vërtet “mama” e tij, se e kam rritur që 3 vjeç. Dhe burri im, një zot e di se sa e ka dashur dhe sa është përpjekur për ta ndryshuar Nikolinin. Nuk e kam menduar kurrë se do të bënte diçka të tillë, por siç duket, nuk i ka përballuar dot streset dhe presionet, ofendimet dhe sharjet nëpër fshat. Sidomos akuzat e fundit kanë qenë shumë të rënda dhe burri im ishte në dilemë se kë të besonte; mua dhe Nikolinin apo fjalët e njerëzve. Fatkeqësisht, dëgjoi fjalët e njerëzve…
Për çfarë ishin këto fjalë?
Sikur Nikolini kishte vjedhur gjëra prej floriri në shtëpinë e komshiut tonë, Kolë Ulaj. Ju fola sinqertë kur ju tregova se Nikolini vidhte gjithçka mundej, por ju betohem se ato sende të arta nuk i ka prekur me dorë dhe për këtë jam e bindur 100 për qind.
Ku e bazoni betimin e sigurinë?
Sepse ditën kur ka ndodhur vjedhja, ai ka qenë i izoluar me mua në shtëpi 24 orë. Dritaret kanë qenë të gozhduara nga jashtë dhe dera e mbyllur nga brenda me çelës të madh, të cilin e mbaja unë. Edhe kur ka shkuar në banjë, e kam shoqëruar dhe kam ndenjur pas dere. Kemi folur e qeshur, kemi pirë kafe turke të dy meqë kishte filluar ta pëlqente edhe ai, kemi treguar histori. Ndërkaq, kemi pasur për vizitë dhe disa njerëz, që mund të dalin dëshmitarë që gjithë ditën e vjedhjes, Nikolini ka qëndruar brenda në shtëpi. I ishte bërë zakon fshatit, çdo gjë që humbte e kishte vjedhur Nikolini… Ashtu edhe komshinjtë tanë Ulaj, pasi i paguam për disa sende të tjera që kishte vjedhur djali muaj më parë, siç duket akuzuan me shpresën se mos merrnin ndonjë lekë tjetër prej nesh dhe na vunë gjobë.
Çfarë gjobe?
Kërkonin 1 milion lekë, me pretendimin se aq kushtonin të florinjtat e vjedhura. Në orën 1 të natës, burri im shkoi ndër vëllezër e të afërm që t’i mblidhte, por siç duket dhe ata i kishin folur rëndë për djalin, edhe pse e kishin ndihmuar me paratë. Veç, pas kthimit nga familja, nuk ishte më i njëjti. U bë i heshtur, u mbyll në vetvete dhe më vjen keq që nuk e kuptova se çfarë kishte në mendje. Iku djali për 1 milion lekë…
Kë fajësoni për tragjedinë, komshinjtë që u bënë shkak për sherrin, burrin tuaj apo vetë djalin?
Vetëm zoti është në gjendje të gjykojë, por unë dua të them diçka. Askush nuk na besoi mua dhe Nikolinin, na ofenduan, por tani që im shoq vrau të birin për ca varëse e unaza që s’i preku kurrë me dorë, për ndonjë kokërr rrush e mollë të vjedhur gjëkund, do të doja t’u bëja një pyetje komshinjve të mi: A ndjehen më të lirshëm dhe të qetë tani, që një djalë 15 vjeç hyri në varr vetëm nga ankesat e tyre?
Po ju, si ndiheni?
Si një nënë që sapo ka humbur të birin…
***
Ekspertizë psikike për babain
Ekspertizë psikike për 43-vjeçarin Ndue Nik Stomiçi, i cili vrau djalin e tij 15-vjeçar në gjumë, Nikolinin, teksa gdhihej e diela.
Ai tashmë akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, por, për saktësim, do t’i nënshtrohet një ekspertize psikike. Shkas është bërë jo vetëm ngjarja tragjike, por edhe dëshmitë e banorëve të fshatit. Sipas tyre, adoleshenti kishte sjellë probleme të vazhdueshme në familje, për shkak të vjedhjeve të vazhdueshme që kishte bërë në zonë. Ditët e fundit, sërish referuar pohimeve të banorëve të zonës, babai 43- vjeçar kishte shfaqur shenja depresive, çka hedh dyshime se ai nuk ka duruar më ankesat e akuzat e banorëve dhe ka arritur në vendimmarrje ekstreme, duke ekzekutuar të birin në gjumë. Burime pranë grupit hetimor sqarojnë se ditën e vrasjes, 43-vjeçari u shpreh se i biri po e turpëronte me fshatin dhe se ai nuk mund ta duronte një gjë të tillë. “Djali nuk më dëgjonte fjalën as mua dhe as gruas. Ai grindej vazhdimisht me ne, por më sillte probleme dhe me bashkëfshatarët. Nuk mund të duroja më një situatë të tillë, ndaj e vrava në gjumë”, ka thënë, Ndue Stomiçi. Sipas ekspertëve të çështjes, vrasësi është munduar ta përshkruaj dhe skenarin e krimit, duke hedhur poshtë dyshimet se autor i vrasjes së 15-vjeçarit mund të ishte ndonjë person tjetër. Ndërkaq, burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se procesi i ekspertimit psikik do të zhvillohet nesër nga mjekët specialistë, ndërsa 43- vjeçari ndodhet në qelitë e paraburgimit, në Komisariatin e Policisë së Lezhës, ku edhe u mor në pyetje. Paralelisht, policia ushtroi kontroll në banesën e tij ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një automatik model 63 i kalibrit 7.62mm, 13 gëzhoja model 56, si dhe 27 fishekë. Mësohet se për orë të tëra, Stomiçi nuk ka pranuar të flasë rreth motivit të ngjarjes, por thjesht ka pranuar autorësinë e vrasjes së djalit të tij 15-vjeçar.
© Panorama.al











