Njeriu dhe “opozita” jetike me veten

Nov 7, 2024 | 7:33
SHPËRNDAJE

gezimtushiGËZIM TUSHI

Nuk ka asnjë dyshim që njerëzit tanë janë në procese të vështira e marrëdhënie të ndërlikuara me veten dhe shoqërinë e sotme. Koha moderne ka sjellë norma të reja sociale, kulturore e morale që janë bazë e re e për ndërtimin e sjelljes individuale dhe parametrat e komportimit social. Këto marrëdhënie kanë ndryshuar radikalisht si tipologji sociale dhe relacione interpersonale të njeriut në raport me punën, pronën, paranë, suksesin dhe dështimin. Pavarësisht dëshirave sociale e bravurave humaniste e utopike apo pretendimeve që janë “jashtë vetes”, tashmë është fare evident determinimi i kohës, që e ka lënë raportin e njeriut me suksesin dhe dështimin si veprim individual e me pasoja ekskluzivisht personale. Është naivitet social me pasoja e kosto për shumë individë, që vazhdojnë të mos kuptojnë apo që bëjnë sikur nuk i kuptojnë, duke u shfaqur shpeshherë të paorientuar, me të vërtetat e kohës.

Për fat të keq, kjo sindromë nuk është vetëm individuale. Tashmë janë ravijëzuar gradualisht edhe shtresa sociale të caktuara, të mbërthyer nga kuptimi semplist apo moskuptimi i realiteteve empirike e konceptuale, që përbëjnë të vërtetat e padyshimta të jetës dhe natyrës së shoqërisë, të cilat kanë në themel luftën individuale, angazhimin e detyruar në garën e pashmangshme për të pasur të përballuar sfidat e natyrshme të jetës me sukses. Duke analizuar situatën sociale, duke bërë diagnostikime psiko-sociale të marrëdhënieve të individit me veten dhe shoqërinë, duket sheshit se akoma ka njerëz që rrojnë me ide utopike, ëndërrime fantazmagorike duke qenë jashtë apo anash realitetit të vërtetë të shoqërisë së sotme, natyrës dhe tipologjisë së pandryshueshme si shoqëri liberale, individualiste, turbokapitaliste, me lëvizje e shpejtësi të mëdha.

Në këtë realitet social, asnjë dogmë apo pritmëri sociale utopike nuk “pi më ujë”. Është mekanizmi i vetë shoqërisë, që nuk e pranon në ontologjinë e saj, që njerëzit të jenë të barabartë në sukses apo në dështim. Pikërisht këtu e ka burimin fakti që një pjesë e njerëzve, që janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve imanente dhe iminente të shoqërisë, kalojnë stres social, dëshpërim, dështim dhe demoralizim. Kjo situatë patologjike ka shtuar pakënaqësitë, dilemat dhe pasiguritë e dëmshme për forcat e brendshme shpirtërore e morale, të njeriut që nuk kupton kohën, vështirësitë, që jeton pasivisht në pritmëri, shpesh i mbuluar me iluzione utopike dhe pa energjitë e duhura, të demoralizuar për të siguruar kënaqësitë e jetës të jashtme fizike e materiale. Të demoralizuar janë të gjithë ata që kanë probleme ekonomike, sociale e shpirtërore, të gjithë ata që jetojnë me ndjenjën e papunësisë së zgjatur, që kanë një kohë që janë të “salduar” në skemat e mbrojtjes sociale, të ndihmës ekonomike, të pagesës së papunësisë apo të shpërblimit si persona me aftësi të kufizuar (ndryshe). Të demoralizuar janë ata që në jetën personale kanë pësuar disfatë, që kanë destruktuar familjen përmes divorcit, që është bërë aq shumë masiv, ato gra që kanë humbur bashkëshortët nga fatkeqësitë banale të hakmarrjes dhe gjakmarrjes.

Nuk është rastësi që në këtë periudhë numri i vetëvrasjeve është shtuar si kurrë më parë, si shenjë e jetës personale të dështuar në mënyrë të pakthyeshme. Tregues të jetës pa ideale, pa synime, të mbytur nga vaniteti janë faktet e shtimit të shumtë të njerëzve që vuajnë sindroma mentale dhe që kanë nevoja intensive për këshillime psikoterapike. Nuk është e vështirë të vërtetohet se shumica e njerëzve që janë bërë toksikodipendentë, përdorues dhe të varur nga alkooli dhe lëndët e tjera narkotike e psikotrope janë përgjithësisht njerëzit që kanë humbur sensin e orientimit pozitiv të jetës, ata që janë të zhytur në kaosin e iluzioneve, të dëshpërimit, që kanë humbur besimin për jetën dhe mundësinë për të gjetur rrugëdalje pozitive prej saj. Mungesa e gjatë e shpresës, flashkja e energjive pozitive, humbja e besimit, paralizimi i energjive si dhe mungesa e përkrahjes humane, sociale, shpirtërore, materiale e familjes, shoqërisë, komunitetit, institucioneve fetare, shtetit natyrisht ndikojnë që sasia e këtyre njerëzve që jetojnë të deprimuar, të hallakatur, pa “hartë dhe busull” personale, të vijë duke u shtuar.

Padyshim, që të kuptojmë më mirë realitetin tonë, por edhe kontekstin e tij të krahasuar me realitetin bashkëkohor universal, duhet pohuar se fenomeni i demoralizimit, sindroma sociale e krijimit të shtresave me prirje për jetë të individualisht të mbyllur, që vetizolohen nga shoqëria dhe nuk përballen vështirësitë e natyrshme të integrimit social, nuk është vetëm “fenomen nacional”, që shfaqet vetëm në shoqërinë shqiptare. Në të vërtetë demoralizimi personal që vjen nga vështirësitë që krijon jeta, e bazuar në parimin e kompeticionit personal, në luftën e përditshme, në të cilën jo të gjithë mund të jenë fitues dhe të barabartë në zotërimin e pasurisë, famës, suksesit, të mirave materiale, kur jo të gjithë kanë të njëjtin fat të kenë barazi në lumturi, dashuri, prosperitetin e familjes, kur jo të gjithë janë të imunizuar nga fatkeqësitë personale, aksidentet apo devijacionet sociale dhe personale, është dukuri dhe shqetësim i përgjithësuar në shoqërinë moderne.

Është një nga shqetësimet dhe plagët sociale më të agravuara, së cilës shoqëria moderne nuk po mundet t’i gjejë “ilaçin adekuat”. Natyrisht mund të ketë shumë arsye sociopolitike, ekonomike e psikologjike që determinojnë që në shoqërinë tonë të kemi njëkohësisht “njerëz të suksesshëm” dhe “njerëz të dështuar”, aktivë dhe vanitozë, ambiciozë dhe të flashkur, egoistë të papërmbajtur në ambicien dhe objektivat e tyre dinamike, njerëz me energji të atrofizuara që nuk kanë sasinë e duhur të aftësive për adoptim të suksesshëm, me këtë realitet që është sfidant për të gjithë pa përjashtim. Por, një gjë është e sigurt, shoqëria shqiptare vërtetë është bërë e lirë, ku çdo gjë është e mundur, por ajo nga ana tjetër e ka në thelbin e vet “bashkekzistencën” e së mirës dhe së keqes së brendshme, sepse përmes lirisë, ajo prodhon pabarazi, e cila është e kondicionuar dhe në raport të drejtë me aftësitë, përpjekjen personale për të qenë i dobishëm, i duhur, i vlerësuar, i orientuar qoftë në tregun e punës, në skakierën sociale dhe i vlerësuar nga opinioni shoqëror. Liria dhe barazia janë të pamundura të bashkëjetojnë, ndaj nuk ka dhe me sa duket, shoqëria do i ketë njerëzit e saj të stratifikuar sipas aftësisë dhe raporteve që ata krijojnë personalisht me punën, famën, suksesin personal.

Natyrisht në këtë tip shoqërie do të ketë gjithnjë një ndarje midis njerëzve, në të suksesshëm dhe të dështuar, të kënaqur dhe pesimistë, vitalë e të demoralizuar. Por ndërkaq kjo skakierë sociale nuk është e ngrirë, metafizikisht dhe fizikisht e pandryshuar. Kemi nevojë urgjente për një ridimensionim objektiv të konceptit dhe përmasave sociale e individuale të lirisë, si mundësi dhe realitet që nga njëra anë krijon shanse dhe mundësi të barabarta për të gjithë për të dalë nga “gropa e dëshpërimit” dhe t’u ngjitur në jetë, për sukses, por ekziston gjithnjë edhe një “mundësi paralele” për t’u rrëzuar, për të qenë optimist apo pesimist, i suksesshëm në një moment, por edhe i dështuar në një moment tjetër. Kjo është dialektika e jetës në këtë shoqëri turbokapitaliste, të shpejtë, dinamike, e ndryshueshme, sfiduese. Duam apo jo, na vjen mirë apo keq individualisht, duhet kuptuar në esencë e vërteta, se pikërisht në këtë dialektikë sociale qëndron epërsia e shoqërisë së lirë tek ne. Me gjithë defektet që ka demokracia jonë, duket se ajo nuk lejon që të krijohen “klasa fikse” me relacione të determinuara dhe përfundimtare, në raport me pasurinë, suksesin, fitimin, famën apo lumturinë personale. Liria punon për të gjithë, pavarësisht nga rezultatet momentale që ajo sjell për secilin.

Askush në këtë jetë nuk është i garantuar në mënyrë përfundimtare. Këtu e ka burimin nevoja e nxitjes pozitive e çdo njeriu, që të përpiqet, qoftë për të dalë nga gropa e varfërisë, oazi i dëshpërimit, iluzioni i mungesës së perspektivës. Duhet të bëjmë gjithçka si familje, shkollë, fe e shoqëri për t’i shpëtuar njerëzit tanë nga iluzionet paralizuese, “anestezia” e dembelizmit, halucinacionet kriminale, zhytja në jetën kaotike e vanitoze apo gjetja e ngushëllimit vdekjeprurës përmes drogës, alkoolit dhe prostitucionit. Asnjë njeri që që është i kapur nga prangat e “dialektikës negative” të jetës, që përjeton sindromën e dëshpërimit, demoralizimit, mungesës provizore të perspektivës personale apo familjare nuk mund të dalë, nuk mund të shkëputet prej tyre pa luftuar me “armiqtë socialë”, që për fat të keq shoqëria jonë po i prodhon me shumicë. Në këtë kontekst shteti, shoqëria familja, komuniteti, shkolla dhe institucionet fetare duhet të vënë në funksionim bateritë e orientimit pozitiv, stimulues e ndihmues për të gjithë pjesëtarët e shoqërisë sonë të demoralizuar, të deprimuar, disfatistë, të margjinalizuar, për t’i ndihmuar të kuptojnë se e keqja e jetës së tyre është më së pari e koncentruar në faktorët e brendshëm, te vetja, personaliteti dhe pastaj te shteti dhe shoqëria. Sipas mendimit tim, jeta sociale ka sfida, të papritura e vështirësi për të gjithë, pavarësisht nga niveli i ndryshëm me të cilin përballemi dhe i kapërcejmë ato. Më shumë se konstatimet për realitetin, apo “zymtësitë sociale” të shoqërisë në tërësi, prioritare është optika personale me të cilën i percepton njeriu vështirësitë. Me të cilat natyrshëm përplasemi në jetë të gjithë. Pak janë ata për të cilët jeta ka krijuar privilegje “sui generis”.

Të gjithë të tjerët janë çdo ditë në garë, për sukses, fitim, famë, mbijetesë. Nuk kemi çfarë t’i bëjmë tipologjisë së kësaj shoqërie që ka dhe prodhon në të njëjtën kohë, optimizëm, por edhe sadisfaksion të zymtë, por që më së shumti vijnë nga mënyra se si njeriu bën “opozitë jetësore” me veten dhe shoqërinë, si kusht për të qenë i suksesshëm në jetën personale. Kjo varet nga mënyra se si e adopton vetëdijen morale personale me kërkesat dhe obligimet që imponon shoqëria, për t’u ingranuar dhe integruar me të. Ky modus viventi është i vështirë për t’u realizuar. Ai nuk zgjidhet përmes divorcit që bëjnë njerëzit e demoralizuar me veten, duke u mbyllur në “guaskën intime” si mënyrë e gabuar për t’u mbrojtur nga rreziqet, as duke ngritur duart përpjetë, apo duke bërë kapitullim social. Jetojmë në kohë kur thelbi i kuptimit jetës, ka pësuar transformime të thella.

Ato duhen kuptuar duke u larguar me guxim individual e vendosmëri sociale nga konceptet demotivuese të relativizimit të përgjegjësisë personale. Sepse duam apo nuk duam, na pëlqen apo jo, gjithnjë e më shumë sot dhe akoma më shumë në të ardhmen, pozita individuale e secilit në jetë do shfaqet thelbësisht si performancë dhe përgjegjësi personale. Nëse njeriu individualisht është i pafuqishëm të ndryshojë shoqërinë, i ka të gjitha mundësitë të ndryshoj veten, optikën me të cilën e shikon jetën…/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura