“Njërin nga ‘grupi ynë armiqësor’ e liruan dhe bë deputet”- Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit, për ngjarjen e ‘75-ës: Kurse ajo vajza 18 vjeçare…

Feb 19, 2024 | 7:19
SHPËRNDAJE

Ishte 21 vjeç kur u dënua me 21 vite burg. Agim Akcani, është ndër tre ish-të dënuarit politikë, të mbijetuar nga ngjarja e vitit 1975, kur u firmosën dy pushkatime dhe gjashtë personave të tjerë, iu dhanë 115 vite burg gjithsej. U quajtën anëtarë të “Grupit sabotator të Baldushkut”, që siç konkluduan hetuesit e çështjes, këta tetë fshatarë të zonës, morën pjesë në; “organizatë kriminale kundër pushtetit popullor, zhvilluan agjitacion e propagandë, me qëllim minimin e pushtetit popullor si dhe kryen aktin e diversionit duke i shkaktuar një dëm ekonomisë socialiste në shumën 359.983.80 lekë”. Të gjitha këto akuza u ngritën pas ngordhjes së 98 lopëve të racës holandeze (shumica u therën për mish), për të cilat u pretendua se janë helmuar me zhivë e, lëndë të tjera toksike.

 burgu-burrelit

Për këtë tragjedi ka folur kohët e fundit në media edhe një nga ish-hetuesit e këtij “grupi sabotatorësh”, Dilaver Bengasi. Asokohe ai ishte hetues i Krimit Ekonomik, por edhe aktualisht ai përligj “sabotatorët” si realë, ashtu si edhe ngjarjen. Megjithatë, ai ka deklaruar se nuk ka qenë dakord me pushkatimet e dy prej të akuzuarve, siç ishin: ndihmësmjeku Rifat Daja dhe infermieri Nuri Allmuça. Që të dy u pushkatuan diku nëpër Shqipëri, por që edhe sot e kësaj dite, nuk u dihet varri.

Hetuesi dhe formuluesi i akuzës, distancohet nga pushkatimi, duke thënë se vendimi ishte i Gjykatës, por Agim Akcani verifikon firmën e tij, mbi dokumentin e ekzekutimit të Dajës dhe Allmuçës. Agim Akcani vjen në një rrëfim ekskluziv për ngjarjen e vitit 1975, ku flet për veten, shokët “sabotatorë”, miqtë e armiqtë e qelisë, por edhe të shumë bashkëvuajtësve të tjerë që i njohu në burg…!

Z. Akcani, si ka nisur historia e sëmurjes së lopëve në Baldushk?

Ka nisur në nëntor të vitit 1975. Kompleksi blegtoral i Baldushkut, ishte ndër më të mirët në rrethin e Tiranës, pse jo edhe në të gjithë vendin. Me gjithë mend ato lopë ishin rekorde qumështi, fabrika qumështi. Ishin lopë shumë të mëdha, jepnin deri në 45 litra qumësht në ditë. Nejse, nga data 8 nëntor, lopët u nxorën në kullotë dhe dy prej tyre nisën të shfaqnin shenja intokacioni, helmimi. Kishin lëvizje, jargëzime, lëvizje brenda stallës, në vend…! Unë, si brigadier, menjëherë njoftova veterinerin, Pëllumb Rama.

Ai erdhi dhe bëri vizitat përkatëse te dy lopët, bëri edhe mjekimet përkatëse. Pastaj ato u dukën sikur u qetësuan dhe ne punonjësit ikëm nëpër shtëpi, pasi na u duk diçka kalimtare. Edhe herë të tjera kishte patur lopë të sëmura dhe pasi ishin vizituar, i kishin kaluar problemet. Por nga pasditja e 8 nëntorit e deri të nesërmen gjendja e tyre erdhi duke u rënduar. Pasditen e 9 nëntorit u therën dy lopët e para, ndërkohë që u lajmërua kryeveterineri i rrethit.

Shkova vonë atë natë të fle dhe kur të nesërmen, në datën 10 dhjetor, u ktheva në stallë, pashë se edhe lopët e tjera po shfaqnin të njëjtat shenja sëmundje, si ato dy lopët në fillim, madje shumë më keq. Tentonin të këpusnin zinxhirët, hidheshin përpjetë, jargëzonin shumë, dukeshin si të çmendura. Nisa të humbja toruan, nuk dija se çfarë ç’po ndodhte. Unë nuk bëja dot asgjë, se brigadier isha, ndaj u lajmëruan instancat e larta. Po prisja, kur erdhi një makinë ushtarake, me disa persona.

Toksikologu u fut në stalla, ku ishin lopët e qumështit, racë holandeze. Pas 2-3 orësh, m’u afrua një njeri, që më pyeti se kush jam. Nuk e njihja asokohe, ashtu si edhe disa të tjerë që zbritën prej makinave shtetërore. I thashë që jam brigadieri. Më vonë, mora vesh se ai që më pyeti, ishte Dilaver Bengasi. Ai që ideoi e inskenoi masakrën e Baldushkut, ku vrau dy persona dhe ne gjashtë të tjerëve na dënoi me 115 vite burg. Në atë moment më arrestuan, pra në datën 10 dhjetor.

Pse duhet ta inskenonte hetuesi Bengasi, ngjarjen?

Ngordhja e lopëve në Baldushk, ishte një rastësi që e ndihmoi shumë karrierën e Dilaver Bengasit dhe ruajti kokën e Manush Myftiut, e ca të tjerëve. Nga sa morëm vesh më vonë, këta dy persona, kishin kohë që silleshin vërdallë nëpër Baldushk, teksa po hetonin rreth një letre që i kishte shkuar Enver Hoxhës, ku ndër të tjera i shkruhej: “Do të hash koqen e ullirit”. Në fakt, kur është mbyllur dosja, mora vesh për ekzistencën e asaj letre. As ia kam idenë, nëse edhe kjo letër ka qenë e vërtetë, apo edhe ajo ishte e sajuar.

Por di të them që për atë letër fantazmë që nuk u shfaq asgjëkundi, u pushkatuan dy personat; Rifat Daja dhe Nuri Allmuça. Për “përligjjen” e asaj letre, hetuesve, më së shumti Dilaver Bengasit, i duhej të vriste këta persona, i duhej një grupazh, një sabotazh. Se veç për një letër anonime nuk mund të pushkatonte dot, nuk kishte nen. Kështu që, kur ngordhën lopët, u hap drita jeshile për ekzekutimet. Neni i sabotazhit ekonomik ishte përdorur edhe për pushkatime të tjera, si: në Librazhd, në Krumë të Kukësit etj, pra kishte dhënë prova që funksiononte.

Dhe kur lopët e Baldushkut nisën të ngordhnin, hetuesit dhe Sigurimi i Shtetit, krijoi organizatën kriminale të Baldushkut. Mbase organizata më qesharake, pasi dolëm si terroristë që po shembnim komunizmin, duke helmuar lopët…! “Organizatë” që nuk ka ekzistuar kurrë, por që është krijuar në Repartin 313, (Burgu i Tiranës), në Tiranë, për llogari të Dilaver Bengasit. Me ato pushkatime që bëri dhe me 115 vitet tona të burgut, Bengasi u ngrit më pas në karrierë.

Kush u arrestua bashkë me ju?

Përgjegjësi i sektorit Kiço Nikolla, veterineri Pëllumb Rama dhe punonjësi i fermentimit të ushqimit, që quhej Selman Balla. Bashkë me mua, Agim Akcanin, ishim katërshja e parë e arrestuar.

A i njihnit personat me të cilët u akuzuat për bashkëfajësi?

Një pjesë i njihja, sepse ishim punonjës të së njëjtës brigadë apo, nga i njëjti fshat. Por për shembull, ata dy persona që janë ekzekutuar; Rifat Dala dhe Nuri Allmuça, nuk i njihja aspak. Ua kam marrë vesh emrin, në hetuesi. Njëri prej tyre, ishte nga fshati Mumajes dhe tjetri nga një fshat tjetër, që s’po më kujtohet emri tani. Asnjëherë në jetë, nuk pata lidhje me ata, nuk i pata takuar kurrë.

Sa ka qenë numri i saktë lopëve të ngordhura?

Nuk e di, lashë dy lopë të therura në momentin e arrestimit. Më vonë kam marrë vesh, se kanë qenë 98 lopë, por besoj se edhe shifrat nuk rakordojnë. Megjithatë, pak prej tyre ngordhën, se shumica u therën.

A u përdor mishi i lopëve të therura?

Po. Ky fakt madje është deklaruar edhe në sallën e gjyqit, që mishi është konsumuar i tëri. Madje edhe janë mbledhur para, nga shitja e mishit.

E keni idenë sa lekë ishin blerë ato lopë?

Jo, nuk e kam idenë, sepse ato lopë unë i kam gjetur atje. Por ishin racë holandeze. Lopë shumë të mira.

A u helmuan ato lopë, nga se ngordhën?

Këto lopë janë helmuar. E sigurt. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 40 vjet, jam i sigurt që origjina e helmimit të tyre, ishte mykologjike. Që do të thotë; helmim nga ushqimi i pakujdesshëm. Ishte pra një helmim aksidental, por asnjëherë i qëllimshëm. Gjithçka tjetër, ka qenë inskenim nga hetuesit.

Ju thoni helmim aksidental, por hetuesi i çështjes, Dilaver Bengasi ka deklaruar se jo vetëm ushqimi, por edhe uji ishte i përzier me zhivë madje…?!

Po të ishte përzier zhivë me ujin, apo ushqimin, atëherë të parët që duhet të kishin ngordhur, duhet të ishin mëshqerrat e viçat e vegjël. Pse nuk ngordhën ato?! Apo lopë të tjera?! Të gjitha pinë ujë…!? Kanë ngordhur vetëm ato rekorde qumështi, që hëngrën nga ushqimi i fermentuar dhe ndodheshin te stalla nr 1. Pastaj u provua që helmimi ishte me origjinë mykologjike, pasi sa filluan t’u japin nga i njëjti ushqim, edhe lopëve te stalla nr.2, nisën të shfaqnin të njëjtat shenja. Lëre pastaj që, ku të gjeje një sasi aq të madhe zhive, për helmim?! Zhiva gjendej veç në termometra dhe termometër mezi kishte një a dy, në të gjithë fshatin.

Ç’ishte ky ushqim i fermentuar, nga erdhi?

Dy apo 3 ditë përpara, nga magazinat e kooperativës “Mustafa Koçi”, na erdhën 625 kilogramë grurë, me një fletë transporti me grurë, që e mbaj mend edhe sot e kësaj dite, pasi e kam firmosur vetë, për ta marrë në dorëzim. M’u duk në rregull në pamje të parë, por më vonë rezultoi se kishte qenë grurë fare. Jam i sigurt, se lopët ngordhën, pikërisht nga konsumimi i këtij lloj gruri. Ato që e hëngrën atë, ato patën probleme (fara dezinfektohej me helme para mbjelljes).

A është e vërtetë që urdhëruat të shtohej ushqimi dhe t’u jepej ujë, edhe pse lopët nisën të shfaqnin shenjat e sëmundjes?

Unë kam dhënë urdhër që t’u jepej ushqim e ujë, sepse nuk e dija që pikërisht ushqimi ishte problemi. Mendoja se kafshët duhet të hanin që të rimerrnin forcat. Unë isha brigadieri dhe jo veterineri. Megjithatë, në dëshmitë e tij aktuale në media, Bengasi thotë se; një vajzë 18 vjeçe, kandidate partie, i është ofruar atij për t’i treguar diçka: “Brigadieri që jepte urdhër të hanin, ishte Agim Akçani, ndërsa përpunuesi i ushqimit, ishte Selman Balla. Po kështu, në këtë rreth të këtyre personave, që unë krijova një bindje të fortë se ishin shkaktarët e parë të asaj tragjedia, ishte dhe një mjelëse e quajtur Nadire Shima”.

Për kë e ka fjalën Bengasi, cila është kjo vajzë 18-vjeçare?

Është alibi e tij. Në kompleksin blegtoral, nuk kishte ndonjë kandidate partie, që na paskësh ndjekur nga afër se çfarë kishte ndodhur brenda stallës dhe nga ana tjetër, unë i njihja të gjitha vajzat e Baldushkut se cila ishte kandidate partie. Asnjëra 18-vjeçare! Është shpikje e Bengasit, ashtu siç shpiku të gjithë historinë kriminale. E kam ndjekur me vëmendje rrëfimin e tij në media dhe se si ngatërrohet ai në rrëfim, qoftë me historinë, qoftë me personazhet. Se, ngaqë nuk ka qenë ngjarje reale, por e sajuar, nuk i mban dot mend, as gënjeshtrat e tij. Vajza 18-vjeçare, ishte krijesa e tij imagjinare dhe emri i saj, nuk figuron asgjëkund, në asnjë lloj dokumenti.

Për “Lopët e Baldushkut” u arrestuan edhe shumë të tjerë, me dhjetëra, ndër ta edhe kryeveterineri i kooperativës Kiço Nikolla apo, veterineri i saj Pëllumb Rama. Pse ata u lanë të lirë dhe ju jo?! Pse do t’ju mbanin në burg, nëse nuk e kishit kryer helmimin?!

Pas arrestimit, mendimi im i parë ishte se; lopët kishin ngordhur nga pakujdesia dhe pa ndonjë dënim, nuk do të dilnim jashtë. Edhe helmimi aksidental, normalisht do të kishte dënimin e tij dhe isha dakord në njëfarë mënyre. Por asnjëherë nuk më shkoi mendja, se te “Reparti 313”, do të sajohej “organizata kriminale” kundër pushtetit popullor, agjitacion e propaganda, minimi i pushtetit popullor, akte diversione, etj., por kjo ndodhi. Dhe Sigurimi i Shtetit, për të përligjur atë që ne nuk mbajmë njerëz të pafajshëm nëpër burgje, nxorën jashtë, ata që kishin biografinë e pastër.

Ne të tjerëve që na gjetën ndonjë “cen” biografie, na mbajtën. Por ka edhe diçka tjetër. Ata që dolën jashtë, siç duket, kishin bërë edhe kompromise. Ishin dorëzuar para dhunës së hetuesve dhe kishin firmosur të tjera gjëra. Një ndër ta, ishte edhe Pëllumb Rama. Ky person, pas dy muajsh e pak në hetuesi, doli dhe u bë deputet i Kuvendit Popullor. Ka qenë në parlament, deri në vitin 1991, si kandidat i Partisë së Punës.

Po aludoni se Pëllumb Rama, ka dalë dëshmitar kundër jush?

Ashtu besoj. Ndër të gjithë personat e arrestuar, personin që njihja vërtet dhe e kisha mik ishte pikërisht Pëllumb Rama. Sepse ai ishte edhe është bashkëshorti i vajzës së dajës tim. Kam folur me atë më vonë, por ai është në krahun e hetuesit Bengasi. Normalisht se ka arsyet e tij, si i përfshirë në këtë çështje…!

Megjithatë, asnjë nga personat e arrestuar, nuk mendoj se me dëshmitë e tyre, kanë ndikuar për mirë apo për keq, në dënimin tim. Gjatë kohës së hetuesisë dhe gjatë burgut, kam mësuar që Sigurimi i Shtetit, nëse kërkonte të inkriminonte dikë, “me” apo “pa” deklarata, do ta bënte gjithsesi. Nën presion e torture, çfarë nuk bën njeriu…?! Edhe Pëllumbi, varet se në çfarë gjendje ka qenë, mbase nuk e ka përballuar dot hetuesinë.

Keni aktualisht komunikim me të?

Jeta na ka dhënë drejtime të ndryshme. Më mirë kështu.

A jeni ballafaquar në qeli me Pëllumb Ramën, apo me persona të tjerë të arrestuar, për të njëjtën akuzë?

Çfarë ballafaqimi?! As që bëhet fjalë…!

Por Bengasi thotë, që ju ka ballafaquar në qeli me Selman Ballën dhe Nadire Shimën. Sipas tij, sapo ai ka kthyer kurrizin, ju i keni vënë dorën te goja Selman Ballës, duke i bërë me shenjë “mosss”, d.m.th.: “Mos trego, mos fol”! Po ashtu edhe Nadire Shimës….!

Unë për Nadire Shimën, e kam marrë vesh pas 8 muajsh, që ishte arrestuar edhe ajo. As nuk dija gjë fare. As me Selman Ballën nuk jam ballafaquar, a nuk e kuptoni që Bengasi flet përralla?! Unë, as tani nuk arrij të kuptoj, se si ka guximin të dalë publikisht, kur i ka duart me gjak. Gjithë atë gjak njerëzish…!

Asgjëkundi nuk jeni përballur, me anëtarët e grupit prej 8 vetash?

Ka ndodhur përballja, por jo ballafaqim dhe për më tepër, jo me personat për të cilët flet Bengasi. Përballja ka qenë me Rifat Dajën, atë që më pas u dënua me pushkatim. Atë ma sollën te qelia dhe kur më pa, Rifat Daja, u tha hetuesve: “Akoma e keni këtu këtë”?! Dhe i pa gjithë çudi. Menjëherë e nxorën nga dhoma. Pas disa kohësh, ma sollën sërish. Ishte i mbaruar. Gjithë shenja dhune dhe sytë i kishte si të perënduar. Njëzet kile njeri ishte katandisur. Kufomë e gjallë.

Hetuesi i tij ishte Kosta Gazeli. Pasi erdhi herën e dytë, Rifat Daja tha: “Unë me këtë njeri kam bashkëpunuar, kam kryer aktin e diversionit, etj”. U përpoq që të recitonte atë që i kishte shkruar hetuesi, por stononte. Sepse kur nuk e ke kryer një akt, as nuk di ta thuash, nuk di ta tregosh. Por sforcohej. E kuptova çfarë kishte ndodhur. Më vjen shumë keq që Rifat Daja dhe Nuri Allmuça u pushkatuan, edhe sot e kësaj dite, i çoj shpesh në mendje. U vranë nga dora e Dilaver Bengasit.

Ndryshe deklaron Bengasi, ai thekson që nuk ka qenë dakord me ekzekutimet. “Në ngjarjen e Baldushkut, unë drejtova hetimet dhe zbardha të tërë ngjarjen, ndërsa gjykata dhe prokuroria, konkluduan rezultanten e vendimit, pra ekzekutimet apo burgimet”,- thotë ai. A nuk ishte kështu, që pretendoni të kundërtën?

Po citoj thëniet e Dilaver Bengasit, thënë personit tim ballë për ballë: “Gjykatat janë formale, ato legalizojnë vendimet tona. Kostumi juaj është i prerë, dy vetë do të ikin nga kjo botë…”! Më njeri “i sinqertë”, nuk bëhej: dy vetë u pushkatuan dhe fati i tyre ishte vendosur, që para se të arrestoheshin. Dhe në fletën e vendimit për pushkatim, gjendet “sa një derr”, firma e Dilaver Bengasit. Çfarë ka për të thënë për këtë firmë Bengasi…?! Nga Elisabeta Ilnica Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura