Një vit pas sulmit terrorist, Banjska me rrugën e Afrim Bunjakut! DW: Si paraqitet gjendja e sigurisë atje

Sep 28, 2024 | 9:36
SHPËRNDAJE

Një vit pas sulmit në Banjskë, vendasit thonë se ende nuk e kanë marrë veten. Rruga në Banjskë merr emrin e Afrim Bunjakut. Si paraqitet gjendja e sigurisë atje?

25

Fshati Basnjkë në veri të Kosovës mori rrugën e tij të parë: Rruga tani quhet Afrim Bunjaku. Kështu quhet polici i vrarë në sulmin e armatosur para një viti nga një grup i armatosur i serbëve. Më pas në konfliktin me Policinë e Kosovës janë vrarë edhe tre serbë – dy nga Leposaviçi dhe një nga Zveçani.

Tabelën me emrin e rrugës e ka zbuluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa në Banjskë ishte edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Një vit nga ngjarjet e 24 shtatorit 2023, jeta në Banjskë ka ndryshuar dukshëm. Atje ka më shumë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, e më pak vendorë, sepse vendorët janë shpërngulur në zona të tjera.

Këto ditë nga frika e provokimeve u mbyll edhe manastiri i famshëm i fillimit të shekullit XIV në këtë fshat. Shkolla fillore “Banoviç Strahinja” në 24 shtator ishte e zbrazët – kjo shkollë ka më së shumti nxënës të klasës së parë në të gjitha fshatrat e veriut të Kosovës – shtatë.

“Më mirë një rrugë se një monument”

Shiu i dendur në përvjetorin e parë i detyroi fshatarët të mbylleshin në shtëpitë e tyre. Por shiu nuk është e vetmja arsye: ata e dinin, siç thonë, se fshati i tyre do të ishte nën vështrimin e politikanëve dhe gazetarëve atë ditë. Banorët thonë se akoma nuk e kanë marrë veten nga ato ngjarje. Ata ende nuk duan të flasin hapur për këtë.

Një nga të paktët që pranon të flasë është aktivisti civil Dejan Nedeljkoviç. Ndonëse prej kur është martuar nuk jeton në Banjskë, shpesh vjen këtu në shtëpinë e prindërve. Ai thotë se po angazhohet që Banjskë të ringjallë potencialin e saj turistik.

Nedeljkoviç thotë: “E dinim se dikush do të vinte dhe do ta shënonte disi këtë ditë. Madje u tha se do të ngrihej edhe një monument. Nuk do të habitesha nëse do të ishte një monument i gjatë dy metra. Por emërimi i një rruge është padyshim një alternativë më e mirë. Deri më tani Banjska nuk kishte asnjë rrugë, adresa e saj ishte Banjska bb (Banjska pa numër)”, thotë ai për DW. Ai shton se askush në fshat nuk shqetësohet me emrin e rrugës.

Nedeljkoviç flet për ngjarjet e një viti më parë kështu: “Njerëzit kaluan nëpër ferr atë natë”. E para, nuk dihej se kush ka hyrë në fshat, nuk e dinim nëse ishte ushtria serbe. Meqë ishin me uniformë, në fillim menduan se ka hyrë ushtria serbe. Pastaj në një moment u shfaqen persona të uniformuar që flisnin serbisht, ndërsa më vonë persona me uniformë që flisnin shqip, sepse ndërkohë edhe ata kanë hyrë në Basnjskë. Ishte shumë stres. Atë mbrëmje kanë qenë edhe prindërit e mi këtu. Atyre u është thënë të fshihen pas murit dhe të mos dalin në dritare, sepse mund të qëllohen”.

Nedeljkoviç e quan situatën e sigurisë në veri të Kosovës si shumë të keqe, sidomos që nga dita kur serbët u larguan nga institucionet, mbi të gjitha nga Policia e Kosovës dhe nga gjyqësori.

“Ishte një vendim katastrofik. Kishim 650 policë të armatosur ligjërisht, të cilët në çdo moment mund t’i thoshin Policisë së Kosovës se nuk duhet të vijnë në veri dhe të shkaktojnë telashe, siç ndodh në disa enklava në jug. Në situata të tilla paraqitet FOR-i dhe ndalen problemet”, thotë ai dhe kërkon që KFOR-i të vijë edhe në Banjskë.

Prokuroria me siguri do të insistojë në zbardhjen e ngjarjeve

Për shkak të rastit Banjska, Prokuroria e Kosovës në shtator ka ngritur aktakuzë kundër 45 personave. Tre u arrestuan, të tjerët janë në arrati. Në mesin e të arratisurve është edhe Milan Radoiçiç, i cili ka marrë përgjegjësinë para institucioneve në Serbi, por atje nuk ka filluar asnjë proces. Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje institucioneve të Serbisë këto ditë që të ndjekin penalisht autorët, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fajëson Serbinë për këto ngjarje./DW

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura