
Në shenjë hakmarrjeje, sepse për një periudhë kohe të gjatë nuk furnizoheshin me ujë të pijshëm, dy persona i kanë vënë eksplozivin ujës-jellësit të fshatit. Policia e Librazhdit bën të ditur se ngjarja ka ndodhur mesditën e së mërkurës kur dy banorët e fshatit Gizavesht, Gëzim Topi, 37 vjeç dhe Petrit Buzra, 58 vjeç, vendosën një sasi eksplozivi në tubat kryesorë të ujësjellësit. Si pasojë e lëndës plasëse është dëmtuar ujësjellësi, duke lënë pa ujë të pijshëm rreth 50 familje të këtij fshati në rrethin e Librazhdit. Burime të Policisë bëjnë të ditur se në orët e pasdites së të mërkurës kanë marrë një informacion nga banorët e zonës se në rrjetin e ujësjellësit të këtij fshati është vendosur një sasi lënde eksplozivi, duke lajmëruar dhe për ndërprerjen e ujit. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur kryerjen e të gjitha veprimeve procedurale dhe hetimore rreth eksplozivit. Gjithashtu, ekspertët pasi kanë hequr sasinë e eksplozivit kanë nisur

menjëherë hetimet për të gjetur autorët e dyshuar të vendosjes së kësaj sasie në ujësjellësin e fshatit. Policia ka organizuar operacionin e kapjes së dy shtetasve “Tornado 2012” dhe vetëm pak kohë mbas marrjes së informacionit arrestoi dy autorët, të cilët akuzohen për veprën penale shkatërrim i pronës me eksploziv, e kryer në bashkëpunim, si dhe mbajtja e lëndëve plasëse. Këta autorë janë arrestuar pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin vendosën sasinë e eksplozivit në ujësjellësin e fshatit, në shenjë hakmarrjeje, pasi prej më shumë se një viti nuk furnizoheshin me ujë të pijshëm. Edhe pse ishin ankuar në zyrat e ujësjellësit, këta të fundit nuk kishin reaguar apo marrë masa. Në fshatin Gizavesh janë rreth 50 familje që furnizohen me ujë të pijshëm. Pesë prej këtyre familjeve, dy prej të cilave i përkasin autorëve të vendosjes së eksplozivit, nuk furnizoheshin me ujë të pijshëm. Vendosja e eksplozivit, që nuk ka shkaktuar dëme në njerëz veç dëme materiale, solli për pasojë edhe lënien pa ujë të pijshëm të rreth 50 familjeve të këtij fshati. Policia, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes pas sinjalizimit të dhënë, bëri të ditur se dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme.
LIBRAZHD/ MIRANDA SADIKU











