Një taksiste me patentë që në ’72-shin

Aug 27, 2012 | 14:59
Vera Elezi. Foto: Vlasov Sulaj

Sapo la bankat e shkollës 8-vjeçare, pa mbushur ende 15 vjeçe, mori ndër duar “timonin” e jetës, duke bërë një zgjedhje që shumë bashkëmoshatare të saj në qytetin e lindjes Dibër, as me mendje nuk do të guxonin të drejtoheshin. Vitet e vështira të sistemit komunist, shoqëruar me mjedisin paragjykues dhe fjalët e përtypura nëpër dhëmbë, do ia vështirësonin fillimet e punës shoferes femër Vera Elezi, e cila në moshën 16-vjeçare kish futur në xhep patentën e benzinës. Prej 40 vitesh, asnjëherë nuk ka kaluar në vendin e pasagjerit, duke zotëruar mjeshtërisht përvojën e punës si shofere, dikur të mjeteve të rënda si kamioni e autobusi, ndërsa pas vitit 1985, Vera mban statusin e shoferes së taksisë.

Pasi kishte bërë mirë llogaritë me veten dhe ishte siguruar se në Shkozet të Durrësit ekzistonte një degë e hapur për kursante shoferesh femra, mori rrugën pa i thënë askujt. Karakteri çapkën i vajzës dibrane gjithmonë e kishte shtyrë drejt zgjedhjeve tipike mashkullore, që kishin sa të panjohura, aq edhe vështirësi. Deri në çastin që vendosi të ndiqte kursin për shofere, i ishte dashur të mësonte se: timoni dhe makina ishin bërë për meshkujt dhe as nuk mund të konceptohej që kësi mjetesh të drejtoheshin nga femrat. Por Vera Elezi i mori parasysh të gjitha, përfshirë edhe kundërshtitë e familjes, shikimet vëngër dhe thashethemet e njerëzve që ndiqnin me sy çdo lëvizje të sajën. Iu desh një vit kurs për të përfituar patentën e benzinës që i jepte lejen e drejtimit të automjeteve të vogla, ndërsa pas katër viteve stazh profesional dhe gjashtë muajve të tjerë kurs, ajo përvetësoi patentën e naftës, çka i mundësonte ngarjen e makinave më të rënda tip kamioni apo autobus. Për 40 vite me radhë, ajo ka matur çdo rrugë të vendit. Shpesh është ndeshur me habinë e atyre që i kanë hipur në taksi, ndërsa të tjerë e kanë komplimentuar për zgjedhjen e bukur dhe të guximshme që ka bërë. E guximshme jo pak, deri në momentin kur dy herë i është rrezikuar jeta, pasi persona të maskuar i kanë vënë armën në kokë duke e kërcënuar me jetë e duke i vjedhur makinën…
Shofere në film, shofere në jetë
Të gjithë e kujtojmë filmin “Edhe kështu, edhe ashtu” dhe situatat komike në të cilat vendosen dy protagonistët kryesorë të gjithë fabulës, Alma (Sesilia Plasari) dhe këngëtari Andi Bega (Frederik Ndoci). Por një nga skenat më të bukura është ajo e fundit, kur grupi i madh i vajzave të veshura nuse shfaqen nëpër vendet e tyre të punës herë si punëtore gjelbërimi, si traktoriste, qitëse, ndërsa nga fundi shfaqet edhe nusja shofere taksie. Protagonistja e kësaj sekuence filmike ishte vërtet një shofere, e cila punonte me taksinë shtetërore në qendër të Tiranës. Vera Elezi e kujton me nostalgji këtë përvojë kinematografike, që e bëri jo pak të njohur. “Filmi është xhiruar në vitin 1989, dhe unë kisha rreth katër vite që punoja si shofere taksie në zonën pranë Bankës së Shqipërisë. Erdhi një nga asistentë-regjisorët e filmit, që më kërkoi të interpretoja në rolin e shoferes së taksisë. Nuk e mora aspak me frikë, përkundrazi e vlerësova si një shans që m’u ofrua për të bërë më publike natyrën e punës sime. Bëmë disa dubla derisa arritëm të xhironim të plotë pjesën, nga zona përballë Akademisë së Arteve drejt sheshit “Skënderbej”. Isha ndër të paktat, për të mos thënë e vetmja femër taksiste në ato vite, ndaj dhe regjisori nuk e pati të vështirë të më gjente, duke ditur vendin e qëndrimit tim me taksinë e punës”, shprehet sot Vera. Të punuarit si shofere taksie kishte ardhur fill pas eksperiencës 10-vjeçare të saj me mjete të tonazhit më të rëndë, si kamionë, autobusë apo makina me rimorkio. Ndonëse një femër në timon, kjo nuk e zbehu dëshirën e vajzës dibrane për të bërë një punë të ngjashme me burrat. Për këtë nuk iu nevojitën muskujt e fuqishëm, por kujdesi dhe instinktet e zhvilluara në çdo kohë. Rruga nëpër të cilën ka shkelur, shpesh i është dukur si një tokë e minuar, sepse “gojët e liga” asnjëherë nuk e kanë lënë të qetë në punën e saj. “Njerëzit në çdo kohë duan material për të të komentuar. Por, realisht fakti që unë u pajisa me patentë makine në vitin 1972, kur as mund të mendohej një femër në timon, ishte pak e guximshme për atë kohë. Ditën që jam regjistruar në kursin e shoferes, nuk i kam treguar askujt. Sapo kisha mbaruar 8-vjeçaren dhe as vetë nuk di ta shpjegoj pse më tërhiqte kaq shumë timoni, makina. Nuk isha si shoqet e mia që mendonin për librat, për shkollën e mesme apo të tjera për t’u fejuar e martuar. Doja të bëja një punë ndryshe, që pak femra kishin guxuar ta bënin në ato vite. Sigurinë në timon e kisha maksimale që ditën e parë të kursit, por të tjera ishin emocionet, të përziera shpesh me frikën e paragjykimit. Nuk mora parasysh asgjë, por ula kokën dhe vendosa të kualifikohesha në këtë drejtim. Kam punuar shumë vite me mjete të rënda, deri kam transportuar me kamion lëndë të parë hekur e çelik në afërsi të malit të Korabit. Ndërsa, kur u vendosa me familjen në Tiranë, punova si shofere autobusi në linjat e Kinostudios, Kombinatit, Ibë, Mëzez etj. Pas vitit 1985 e sot, punoj vetëm si shofere taksie, dhe vërtet më pëlqen ky pozicion”, thotë Elezi.
Me kallashnikov në kokë
Thuajse 40 vite në timon e kanë ndihmuar të fitojë siguri te vetja dhe të mos tërhiqet përballë të papriturave. Pas marrjes së licencës së taksisë, prej vitit 1985 e tutje, Vera Elezin e gjen çdo mëngjes pranë xhamisë së Et’hem Beut në kryeqytet. Çdo ditë është një e panjohur për të, në varësi të klientëve që hipin në taksinë e saj, apo destinacioneve që ata zgjedhin për të rezervuar. Vera shpesh tregohet vigjilente duke i studiuar me sy klientët përpara se ata të vënë këmbën në taksi. “Asnjëherë nuk e di se cili është personi që kam në makinë, a është kriminel apo jo, i rrezikshëm apo i pasjellshëm. Gjithnjë jam përballë të panjohurës. Por kam fituar besim te vetja, çka më lejon edhe të kuptoj disi natyrën e klientit që më hipën në taksi, ashtu siç herë të tjera e shmang lëvizjen me individë që më duken të dyshimtë. Për shembull, klientë të dehur nuk marr kurrë në taksi, persona që tregohen që në komunikimin e parë të vrazhdë me mua, përpiqem t’i shmang me shumë kujdes dhe çiltërsi. Më ka ndodhur disa herë që klientë të papërgjegjshëm kanë zbritur pa paguar, apo kanë “aktruar” duke më dhënë të kuptoj që u kanë marrë kuletën apo e kanë humbur atë. Kam shumë të papritura në punën time”, vijon taksistja. Por momentet që i kanë rrezikuar realisht jetën, vazhdojnë të jenë pjesë e kujtimeve të këqija në përvojën 40-vjeçare si shofere. Dy herë i kanë vendosur tytën e armës në kokë, duke e kërcënuar me jetë e duke i marrë makinën. “Kjo ka ndodhur një herë në vitin e mbrapshtë 1997, kur më vunë kallashnikovin në kokë dhe më morën makinën, ndërsa kjo situatë u përsërit në vitin 2002. Duhet guxim për të përballuar pasiguri të atilla siç mbart puna ime si shofere taksie, kur në çdo kohë unë gjendem përballë një klienti të panjohur, qoftë ky femër apo mashkull”, përfundon Vera Elezi.

ERMRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura