Një sqarim për intervistën e numrit të kaluar të prezantueses Luana Vjollca

Jul 8, 2012 | 10:12

Kjo histori kishte nisur para tri vitesh, por Luana Vjollca, prezantuesja e njohur e disa spektakleve në “Top Channel”, dhe prezantuesja e parashikimit të motit çdo mbrëmje në këtë ekran, kishte vendosur të mos e bënte publike. Edhe kësaj here nuk ishte qëllimi i saj që të fliste në media për historinë se si një mashkull prej tri vitesh ishte fiksuar pas saj thjesht nga ekrani, duke i shkruar e maile dhe duke komunikuar me persona të afërm të Luanës, gjithmonë duke kërkuar mënyra kontakti. Kjo histori u rrëfye në një intervistë të saj të fundit për gazetën “Panorama” shumë spontanisht, ndërsa u pyet për marrëdhëniet e saj me fansat. Luana zbuloi për herë të parë se si një fans që s’e kishte takuar asnjëherë, kishte tri vite që i shprehte simpatinë me anë të e mail-eve. Gjatë intervistës ajo nuk dha shumë detaje, përveç faktit që ai në një farë mënyre e përndiqte duke i shkruar përditë për vendndodhjen e saj. Luana zbuloi inicialet e personit, ndërkohë që janë krijuar keqkuptime për faktin se është komentuar se personi në fjalë mund të ketë qenë pedagogu i saj. E vërteta është se nuk bëhet fjalë per pedagogun e Luanës, por për një person, i cili nga burimet e gazetës është mësuar se punon si pedagog në një universitet privat në Tiranë. Gjithashtu në lidhje me pyetjen se nëse në këtë rast ndoshta bëhej fjalë thjesht për një fans të çmendur pas saj, Luana u përgjigj se: “Unë nuk besoj se këta janë fansa, më shumë sesa njerëz të fiksuar pas diçkaje që nuk ekziston. E do doja t’u bëja një thirrje të tillë njerëzve, sepse në fund të fundit duhet të jetojnë në realitet. Kam menduar shumë kohë se është një person që më ka për zemër nga ekrani dhe më ndjek rregullisht në çdo dalje timen, por tashmë është bërë shqetësuese. Kjo intervistë e Luanës në lidhje me këtë person që ajo pohon se nuk e ka takuar kurrë në jetë, ka bërë shumë bujë, dhe lexuesit kanë dashur të dinë më shumë në lidhje me këtë histori, objekt i së cilës është një nga prezantueset më të preferuara të këtij ekrani.

© Panorama.al

Te lidhura