Nuk kuptohet qartë se pse Edi Rama ka bërë një llogari, sipas së cilës, votimi për heqjen e imunitetit në fillim të gushtit nuk u shkon përshtat qëllimeve dhe aksioneve politike të PS-së një vit para zgjedhjeve. Në fakt, ai nuk shprehet kështu. Por, nëse argumentet i ndërton bazuar mbi interesat e PS-së, atëherë i bie që Rama ka pasur parasysh pikërisht ato interesa. Pra, Rama konsideron pak a shumë se votimi i imunitetit pa kushtëzime është një veprim që bie ndesh me interesat e opozitës dhe, si rrjedhim, edhe me interesat e grupeve që mbron apo përfaqëson opozita. Për këtë ai ia ka bashkangjitur ose pritet t’ia bashkëngjisë këtij votimi kushtin e zgjedhjes me 84 vota të prokurorit të Përgjithshëm.
Po ashtu ai gjykon se ndryshimet e shpejta në Kushtetutë nuk janë serioze dhe se dokumenti themeltar i shtetit kërkon patjetër që të trajtohet me seriozitet, dhe se ky trajtim, për të qenë serioz, duhet të shtrihet në kohë.
Në fund ai konsideron se procesi i heqjes së imunitetit duhet të shoqërohet ndërkaq edhe me një fazë debatesh me grupet e interesit, që sipas tij, mund të përfundojnë në fillim të shtatorit.
Në fund fare, si për të treguar seriozitetin e thellë të tij në këtë çështje, deklaron se ka variantin e tij të ndryshimit të imunitetit dhe se ky variant është gati të dorëzohet në Parlament. Pra, as varianti i PS-së nuk i ka kaluar fazat e debatit dhe diskutimit me grupet e interesit.
Të gjitha këto qëndrime dhe artikulime Edi Rama i bën në disa rrethana specifike të zhvillimeve politike në Shqipëri. Ka mbetur vetëm një muaj prej mbylljes së sesionit parlamentar, përfundimet e të cilit janë të lidhura fort me raportin që Komisioni Europian harton përgjatë shtatorit lidhur me statusin e kandidatit për vendin tonë. Statusi ka humbur dy herë deri tani për shkak qoftë edhe të bllokimit që u ka bërë opozita disa reformave që ishin të lidhura drejtpërdrejt me kontributin e saj në Parlament. Opozita pretendon se ka arsye të tjera. Mundet. Por arsye më të sigurt, më vizive dhe më të matshme se mosvotimi i saj në Parlament, nuk ka deri tani. Ndërkombëtarët i kanë kërkuar Ramës që të hedhë pas shpine disa prej këtyre argumenteve dhe të votojë heqjen e imunitetit. Në rrethana të tjera, disa argumente të opozitës do të kishin më tepër peshë se tani, por në politikë rrethana është një indikator që nuk mund të shmanget nga procesi i analizës.
Hedhja në treg e votimit me 84 vota për prokurorin e Përgjithshëm nuk e kompleton argumentin e vendimit racional për imunitetin; përkundrazi, e nxjerr atë në një plan të dytë. Pra, imuniteti edhe mund të kalohet, por nëse PS shpërblehet për kalimin e tij. Çëshjta e Prokurorit dhe mënyrës së zgjedhjes së tij do shumë kohë për të gjetur konsensus mes palëve, pasi që të dyja palët kryesore në vend kanë pozicione të ndryshme shumë të ndryshme se sa për çështjen e imunitetit. Megjithatë, përveç pozicionimit, zgjedhja e Prokurorit me 71 vota është konsideruar edhe më herët se realizon deri diku pavarësinë e këtij institucioni, por ama, në kurriz të efektshmërisë së tij. Zgjedhja me 84 vota mund ta forconte edhe më shumë pavarësinë e tij, por do të rrënonte edhe më tej efektshmërinë e tij. Ka edhe argumente që i shkojnë përkundër votimit të tij me 84 vota, si marrja e kompetencave të Presidentit, barazia e akuzës me Gjyqësorin kur në fakt Akuza është palë dhe Gjyqësori është mbi palët, e kështu me radhë. Pra, kushti për t’i vënë çmim votës socialiste për imunitetin, përveçse është problem etik i kësaj partie, ha edhe diskutim. PS kërkon këtë ndryshim pa e diskutuar fare, një standard i dyfishtë bazuar te këndvështrimi i PS-së lidhur me adresime që kanë peshë të njëjtë sipas saj në funksionimin e institucioneve, siç është Prokuroria dhe imuniteti i zyrtarëve të lartë. Dikush mund të thotë se politika bën edhe llogari e pazare. Do të ishte me vend ky lloj “pazari” nëse heqja e imunitetit do të favorizonte maxhorancën shumë më tepër se sa opozitën, dhe opozita kërkon në atë rast ta neutralizojë këtë favorizim. Të gjithë e kanë të qartë se në fushën e gabimeve ndodhen zyrtarët në pushtet, dhe jo ata në opozitë, dhe se heqja e imuniteti lidhet kryesisht me ta.
Shtrirja në kohë e diskutimit të ndryshimeve në Kushtetutë për imunitetin është në fakt pretendimi më serioz i PS-së lidhur me çështjen, por argumenti mbi të cilën ngrihet ky përfundim nuk e furnizon pretendimin. Rama thotë se ne nuk ngutemi në këtë çështje, ashtu siç u ngutëm katër vjet me parë në ndryshime kushtetuese lidhur me çështje të tjera. Sipas tij, shtrirja në kohë për çfarëdolloj ndryshimi në Kushtetutë, është domosdoshmëri dhe ndryshimi i shpejtë në paragrafët e saj është gabim. Shpesh mund të jetë kështu, por rast pas rasti mund të mos jetë. Referimi te shtrirja kohore është në këtë rast shprehje për seriozitet në trajtim, por jo kusht për cilësi të lartë në ndryshimin kushtetues vetëm për shkak të zgjatjes në kohë të këtij ndryshimi. Më tej, debate për imunitetin e zyrtarëve ka filluar në vitin 2003 dhe është konsumuar aq shumë politikisht, por edhe ligjërisht, sa pak ka ngelur në hije prej argumenteve të nevojshme lidhur me këtë çështje. Vetë PS ka tashmë një argument të hershëm që lidhet me imunitetin, dhe ai ka të bëjë me nevojën e ndryshimeve në Kushtetutë. Pra edhe PS ka konsumuar debat të bollshëm dhe ka dalë me një përfundim që tani pret edhe zgjidhjen teknike në dokumentin kushtetues. Pra ka një shtrirje në kohë, bile në shtrirje të konsiderueshme, ku edhe është konsumuar një iniciativë nga maxhoranca për dorëzimin e imunitetit parlamentar, sipas përvojës gjermane.
Konsultimi me grupet e interesit është ndërkaq një argument tjetër që peshon te demokratizimi i procesit të ndryshimit të paragrafit kushtetues. Por, lista e PS-së për këtë lloj debati është shumë burokratike, ka moment që e shtrijnë diskutimin më larg se është e nevojshme. Le të përcaktojmë grupet e interesit në këtë ndryshim: ata janë deputetët, qeveritarët dhe gjykatësit, si dhe një grup i vogël zyrtarësh të lartë si Avokati i Popullit dhe kryetari i KLSH-së, që të dy këta të fundit mishërojnë nevojën e heqjes së imunitetit. Deputetët, ministrat dhe zyrtarët e lartë të qeverisë e kanë konsumuar atë si debat. Mbetet të merret mendimi i gjyqtarëve dhe ai mendim mund të merret shumë shpejt për shkak se çështja e heqjes ë imunitetit është një çështje e bluar edhe prej tyre, dhe jo një dosje e papritur. Ndërkaq, ata janë edhe grupi me kulturën më të lartë juridike, prej të cilëve pritet një përgjigje e pjekur dhe në një kohë që nuk rrezikon afatin e vendosur nga Parlamenti.
© Panorama.al












