Një sintaksë tjetër e raportit të ODIHR-it

Aug 23, 2011 | 10:15

SAMI NEZA

Raporti i OSBE/ODIHR-it nuk la pa prekur dhe vendimet e KQZ-së, dhe të Kolegjit Zgjedhor me votimin në Tiranë. Argumentet e sjella prej tyre lidhur me këto vendime thuhen me një gjuhë që rrallëherë takohet në Tiranë, kur subjekt bisedash, deklaratash apo debatesh janë zgjedhjet apo gjykatat që përfshihen në zgjedhje. Dallimi me të folurën tonë është se hartuesit e raportit përfundimtar flasin rreth këtyre vendimeve, pra shpjegojnë rreth asaj çfarë ka ndodhur, ambientit ku merren vendime të tilla, duke konstatuar hapësira, distanca, anësime, hamendësime që lindin prej tyre. Të huajt kanë folur shumë pak për zgjedhjet në vend, e aq më pak për vendimet e KQZ-së apo Kolegjit, krahasuar me aq shumë sa kemi folur ne vetë. Por, rrallëherë, ose nga ndonjë zë krejt i veçuar prej ekspertizës së Tiranës, qoftë profesionale, qoftë mediatike, është dëgjuar të thuhet se Kodi Zgjedhor ka probleme në formën e boshllëqeve dhe se këto probleme duhen përmbushur prej vendimeve të KQZ-së apo Kolegjit Zgjedhor, që natyrisht janë interpretime të përafërta të ligjit që mund të ndryshojnë nga një gjykatës te një tjetër, apo nga një vëzhgues te një tjetër.
Madje edhe tani që kemi një tekst prej ekspertësh të ODIHR-it për vendimet e Kolegjit Zgjedhor apo të KQZ-së, sërish nuk dëgjojmë ndonjë mënyrë argumentimi të ngjashme me ta, që edhe pse mund të jetë e afërt apo e largët me përfundimet e tyre, gjuha e zgjedhur të jetë e ngjashme.
Nuk ndodh kjo pasi në vend nuk ka kulturë të të folurit rreth diçkaje, por ves të të folurit pro apo kundër diçkaje. Në rastin e Drejtësisë, ky ves fiton cilësi edhe më të këqija dhe bëhet i dëmshëm për sistemin dhe jo vetëm për Drejtësinë.
Mungesa e kësaj kulture shfaqet te të gjitha grupet e shoqërisë, te të gjithë ata që artikulojnë interesa apo grupojnë ide, si partitë politike, mediat, bile dhe shoqëria civile.
Mjafton të rikthehemi pak muaj më pas dhe të sjellim në mendje se si u komentuan vendimet e Kolegjit Zgjedhor, komente të cilat dëshmuan raportet e gabuara që janë vendosur në Shqipëri mes qytetarëve, medias e politikës nga njëra anë, dhe Drejtësisë nga ana tjetër. Asnjë deklaratë rreth vendimeve, por vetëm kundër dhe pro tyre, edhe pse për shkak të sistemit që kemi zgjedhur të zhvillojmë në këtë vend, vendimet e gjykatave sipërore as ankimohen e as diskutohen. Historia e sistemit me pushtete të ndara nuk ka njohur ndonjë marrëveshje më të mirë. Pra, nuk ka gjykatës për vendimin e fundmë të një gjykate. Kjo duhet të jetë e vërtetë dhe e pranueshme edhe për ato vende, struktura politike dhe njerëz që kanë një përvojë të re të marrëdhënieve me gjykatat, pra edhe për ne.
Raportet janë të gabuara, pasi politika është e fundit në radhë që mund të atakojë gjykatat me gjuhën okupuese “pro” dhe “kundër”. Duke qenë se politika në Shqipëri, si kudo tjetër në vendet me të njëjtin sistem si ne, prodhon vetë pushtete, çdo atakim i saj ndaj Gjyqësorit i vendos këto pushtete në konflikt interesi ose ndikim të njëanshëm të njërit pushtet te tjetri, duke cenuar thelbin e qenies së Gjyqësorit, që është pavarësia. Akuzat e PS-së të atyre ditëve, por edhe ato të javës së fundit për Kolegjin Zgjedhor, i përkasin kësaj situate. Dëmi që shkaktojnë këto akuza nuk prekin vendimin që tashmë është marrë, por dëmtojnë me dhjetëra vendime që mund të merren në të ardhmen. PS-ja, me gjuhën që ka zgjedhur për t’u shprehur rreth vendimeve të Kolegjit Zgjedhor, apo për të komentuar vëzhguesit e ODIHR-it rreth këtyre vendimeve, fut në axhendën e gjykatësve edhe reagimin politik pas vendimit që ato marrin, duke shtuar kështu një koeficient censure apo vetëcensure në të shprehurin e gjykatësve, si dhe duke u sugjeruar atyre të konsiderojnë një përbërëse politike në vendimet e tyre për shkak të reagimeve që priten në fund të procesit. Edhe gjyqtarët janë pjesë e kësaj shoqërie. Ata kanë nevoja të ndryshme, pritshmëri, karrierë, që e shohin të lidhur me aspekte të tjera të jetës së përditshme. Në këtë fushë nevojash, instrumentet që i trembin janë më shumë se instrumentet që i mbrojnë, ose ndryshe, instrumentet që garantojnë pavarësinë e tyre janë pjesërisht prodhim i politikës prej edhe nga vjen agresioni apo dashuria.
Edhe mbrojtja e gjykatësve nga politikanët ka afërisht të njëjtin efekt si sulmi ndaj tyre. Tentativa për miqësi të politikanëve me Gjyqësorin është ndërkaq një shtesë tjetër, por me kah të kundërt të një koeficienti censure apo vetëcensure të gjyqtarit në procesin e marrjes së vendimeve.
Gjuha e ODIHR-it në raportin e tij të fundmë për çështje që janë debatuar kaq thellë në Shqipëri, është një leksion. Ajo gjuhë na lejon të shkojmë tek e vërteta. Me qindra deklarata apo deklarime rreth çështjes së zgjedhjeve në Tiranë nuk kanë ofruar kurrfarë kompromisi, kjo për shkak se nuk ka qenë gjuhë që kërkonte të kuptonte ngjarjen, por ta okuponte ngjarjen. Me gjakftohtësi, të gjithë mund të binden se verifikimi i fitores së Bashës erdhi përmes një procesi të vështirë vendimesh gjyqësore që buronte prej mangësive të Kodit Zgjedhor.
Pra, gjykata nuk ka shpërndarë fitore, por e ka verifikuar atë. Ky është dallimi mes tekstit të raportit të ODIHR-it dhe tekstit të komentit të Edi Ramës për raportin e ODIHR-it.

© Panorama.al

Te lidhura