
Idrizi: Gati të miratojmë rezolutën për Çamërinë.
Parlamenti mban një minutë heshtje për masakrën e Kllogjerit, ku u vranë 3 mijë persona.
Topalli: Të mos harrojmë kurrë çfarë kanë bërë me kombin tonë.
Parlamenti mbajti dje një minutë heshtje në kujtim të rreth 3000 shqiptarëve të vrarë në Greqi nga forcat ushtarake vendase, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Në Javën e Çamërisë, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, u kërkoi deputetëve të mbështesin një rezolutë për çështjen çame, të cilën kjo forcë politike e ka gati dhe do ta paraqesë për miratim në Parlament. “Ne mendojmë se ka ardhur koha që të miratohet përfundimisht një rezolutë mbi çështjen çame, e cila ta sanksionojë përfundimisht futjen e kësaj çështjeje në axhendën tonë kombëtare. Ky Parlament nuk është si Parlamenti i 2004-s, ku ndërgjegjja kombëtare mungonte me tepri. Apo kur anëtarët e shoqatës ‘Çamëria’ rriheshin e gjakoseshin në dyert e Parlamentit të shëqiptarëve. Në këtë Parlament të gjithë deputetët vlejnë njëlloj dhe ne shqiptarët e Çamërisë ju konsiderojmë të gjithëve si burra e gra me dinjitet e patriotë. PDIU-ja do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që ta shtyjë Parlamentin ta miratojë rezolutën, qoftë dhe duke i bërë thirrje vullnetit të qytetarëve shqiptarë anembanë kombit”, u shpreh Idrizi. Sipas tij, 67 vjet më parë u shfaros 20% e popullsisë së shpërngulur. “Si sot 67 vjet më parë, në dheun e tyre u vranë rreth 3000 veta, kryesisht gra, pleq e fëmijë, sipas manualeve më të suksesshme të filmave horrorë që mendjet e mbrapshta ballkanike gjithmonë i kanë në honet e kujtesës së tyre; rreth 2960 të tjerë vdiqën në kufirin artificial të Çamërisë me Shqipërinë, në Kllogjer. E thënë kështu, u shfaros gati 20% e popullsisë së shpërngulur”. Kreu i PDIU-së tha se qëndrimi i kësaj force politike nuk është për t’i shpallur luftë Greqisë dhe as për të ndryshuar kufijtë, por vetëm për të vënë drejtësinë në vend. Pas minutës së heshtjes, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, falënderoi deputetët duke thënë” “Të mos harrojmë kurrë çfarë kanë bërë me kombin tonë”. Për herë të parë gjatë fjalës së dy deputetëve të PDIU-së, të gjithë deputetët qëndruan në sallë në 5-minutëshin jashtë rendit të ditës, ndryshe nga seancat e kaluara, kur në përfundim të votimit ata largoheshin.
Tahiri: Çështja çame na takon të gjithëve
“Dje ishte dita e 27 qershorit, ditë e njohur nga Parlamenti i Shqipërisë si dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Ky është hapi që ka bërë deri tani ky Parlament për çështjen çame. Por ne nuk do ta lëmë deri këtu, pasi çështja çame u takon të gjithë shqiptarëve, teksa është pjesë e pandashme e çështjes kombëtare. Prandaj, ju ftoj që ta kalojmë rezolutën që do të vijë shumë shpejt në Kuvend”, u shpreh dje në Parlament deputeti Dashamir Tahiri.











