Përpara disa ditësh, në një mbledhje mediatike të Kryesisë së Partisë Socialiste, z. Rama, duke mbajtur në dorë një tabelë me shifra, deklaroi se papunësia reale në Shqipëri është mbi një milion frymë, shifër kjo afërsisht shtatë herë më e lartë se statistikat zyrtare të publikuara nga INSTAT. Z. Rama gjithashtu deklaroi se të dhenat ishin marrë nga Banka e Shqipërisë (lidhjen e Bankës së Shqipërisë me nivelin e papunësisë askush nuk e shpjegon dot). Po sipas këtyre të dhënave të servirura mediatikisht në tabelën e mësipërme, në vazhdën e të njëjtit arsyetim, z. Rama deklaroi se Shqipëria ka afërsisht diçka më shumë se 2 milionë banorë në moshën e punës, nga të cilët nëse zbresim afërsisht 960.000 të deklaruar të punësuar nga INSTAT, merret edhe shifra përfundimtare prej 1 milion frymë të papunë.
Z. Rama ndoshta nuk e di, ose ndoshta thjesht nuk e kupton, apo ndoshta e di dhe deklaron një të pavërtetë, kur barazon konceptin e “moshës së punës” me atë të “nivelit të papunësisë”. Këto dy koncepte janë shumë larg njëri-tjetrit, sepse në konceptin e “moshës së punës” përfshihen sigurisht të “papunët”, por në të njëjtën kohë përfshihen edhe shumë kategori të tjera, si studentët, nxënësit, të paaftët për punë, pensionistët dhe emigrantët sezonalë gjithashtu. Më tej, sipas standardeve ndërkombëtare të ILO dhe të metodologjisë së marrjes së statistikave, të “papunë” konsiderohen vetëm ata që kërkojnë punë, d.m.th ata që regjistrohen në zyrat e punësimit si “punëkërkues”. Të tillë në Shqipëri ka vetëm 142 mijë frymë, apo ndryshe, rreth 13.2%, shifër kjo që përbën edhe nivelin real të papunësisë.
Sidoqoftë, kjo përbën një deklaratë shumë “të fortë”, sepse pavarësisht nga çfarë shpjeguam më sipër, shefi i opozitës deklaroi me përgjegjësi të plotë një të dhënë shumë sensitive, siç është papunësia në një nivel rreth shtatë herë më të lartë nga ai që japin institucionet zyrtare shqiptare. Me pak fjalë, ai tha: “Qeveria gënjen, INSTAT gjithashtu, sepse papunësia është shtatë herë më e lartë se ajo që deklarohet zyrtarisht!” Nëse ky fenomen do të kish ndodhur në një vend tjetër europian, një vend të eurozonës si p.sh Spanja (e cila në fakt po vuan nga niveli shumë i lartë i papunësisë, afërsisht 23%), do të kishte shkaktuar tërmet të vërtetë në opinionin publik për sa kohë opozita do të sfidonte shifrat zyrtare të papunësisë. Edhe në Gjermani, nëse homologu opozitar i znj. Merkel do të kishte mbajtur të njëjtin qëndrim, përsëri do të shkaktonte një rrëmuje të vërtetë në vend, do të trondiste tregjet financiare, do të destabilizonte të gjithë Europen e më tej se kaq.
Ne Shqipëri kjo gjë nuk ndodh. E kjo jo vetëm për faktin se shifra e deklaruar nga Z. Rama është në mënyrë trashanike e pavërtete, por edhe sepse tashmë opinioni është mësuar që deklaratat opozitare të jenë bombastike dhe ekstremale, dhe që përgjithësisht kanë lidhje me çështjet shumë të ndjeshme te punësimit, privatizimeve dhe të performancës ekonomike të vendit. Pra, për fatin tonë të mire (apo të keq), opinioni shqiptar nuk tronditet nga këto deklarata. Madje, besoj se edhe biznesi është bërë emocionalisht më rezistent kundrejt deklaratave periodike të z. Rama apo të të ngjashmëve të tij në Partine Socialiste. Tashmë, pas një periudhe të gjatë pasigurie që filloi që përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, të mbushur me deklarata për mosnjohje kontratash privatizimi, mosnjohje koncesionesh, thirrje për mospjesëmarrje në privatizime (..sepse rrufetë do të godisnin cilindo qe bënte të kundërtën..), me sa duket komuniteti i biznesit tashmë është adaptuar natyrshëm me këtë situatë aspak normale.
E si për ironi, e gjithë kjo sjellje opozitare ne Shqipëri është plotësisht e kundërt me sjelljen opozitare kudo në Europë. Për arsye më se të mirënjohura që kane lidhje me krizën ekonomike dhe pasojat e saj, opozita e majtë europiane (sepse në shumicën e vendeve të BE qendra e djathtë është në pushtet) ka mbështetur përpjekjet e qeverive respektive në reformat për konsolidimin fiskal, reformat strukturore dhe ato rregullatore. Ajo ka bërë thirrje për më shume besim tek sistemi, sigurisht duke lëshuar kritikat përkatëse rast pas rasti, por duke luajtur ndershmërisht rolin e saj si opozitë. Ky është roli i opozitës në fund të fundit. Opozita shqiptare është jashtë kësaj rrjedhe europiane. Për më tepër, ajo nuk mjaftohet vetëm me kërcënime, por deklaron statistika dhe shifra të rreme, ku niveli i papunësisë dhe rritja ekonomike përbëjnë rastet më flagrante. Kjo lloj sjelljeje ka në vetvete dy problematika të mëdha:
Së pari, është faktuar tashmë se kjo sjellje opozitare ka arritur të mbjellë pasiguri tek investitorët, e veçanërisht tek investitorët e huaj, të cilët sado të regjur të jenë me mjedisin shqiptar, përsëri nuk mund të mos impresionohen negativisht nga thirrjet për mospjesëmarrje në koncesione, për mosnjohje kontratash etj etj.. Ne këto kushte paqartësie (në rastin më të mirë, sepse në më të keqin është fushatë negative kundër imazhit të vendit) preferojnë të qëndrojnë në pritje derisa gjërat të kthjellohen…. Por që në fakt nuk kthjellohen aspak, sepse z. Rama nuk humb rast për të lëshuar njëra pas tjetrës deklaratat-shashka si ato të mësipërmet…
Së dyti, dhe ndoshta edhe me e rëndësishme se e para, u jep investitorëve dhe komunitetit te tyre një ndjesi shumë negative (dhe të qartë gjithashtu) për atë që do të përfaqësojë qeverisja opozitare nesër, kurdo qoftë të jetë ajo. Sepse është normale të mendosh që rotacioni politik dikur do të ndodhe. Por çfarë mund të presësh nga një Kryeministër nesër (ekziston kjo mundësi, qoftë edhe teorikisht), i cili deklaron se do të “grisë” çdo kontratë të lidhur nga qeveria e sotme, sepse të gjitha këto na qenkan të korruptuara dhe kriminalizuara? Çfarë mund të presësh nga një Kryeministër, i cili deklaron se Shqipëria ka 1 milion të papunë, dhe me këtë deklarate nuk bën gjë tjetër veçse tregon, në rastin më të mirë, panjohuritë e tij të thella në fushën e ekonomisë. Çfarë mund të presësh nga një Kryeministër dhe qeveria e tij, e cila rritjen ekonomike të Shqipërisë, veçanërisht në kushtet kur çdo vend që na rrethon ndodhet së paku në recesion, këtë rritje pra e quan krizë të pashembullt ekonomike? Pa numëruar thirrjet gati histerike për mosrritjen e pagave dhe pensioneve çdonjërin nga vitet e fundit kur miratohej ligji për buxhetin e shtetit. Çfarë mund të presësh kur opozita e sotme, e cila në shtatë vitet e saj nuk ka ndërmarrë asnjë oponencë serioze për reformat strukturale të këtyre viteve, për reformat ne fiskalitet, reformat rregullatore etj? Pas 7 vitesh drejtimi të z. Rama, sot opozita nuk arrin dot të artikulojë opsione qoftë edhe për një reformë të vetme ekonomike që do të bënte ndryshe po të ishte në pushtet. Pa përmendur këtu absurdin e disa tezave ekonomike si p.sh. atë të hapjes së 300.000 vendeve të reja pune në vetëm 4 vjet (shifra të tilla edhe vetë Franca e Gjermania do t‘i kishin zili), apo çështjen e taksimit progresiv të individëve, e cila në rastin më të mire përkthehet në një shifër e cila nuk ka asnjë ndikim në të ardhurat e mbledhura, përveçse nxit gjerësisht evazionin fiskal? Me pak fjalë, ndërsa deri dje shqetësimi kryesor ishte (dhe mbetet) çështja e deklaratave të papërgjegjshme te z. Rama në çështjet e ekonomisë, problemi kryesor është se opozita e sotme nuk është aspak e përgatitur për të qeverisur nesër vendin; ajo nuk ka një vizion të sajin mbi ekonominë, madje më falni, e ka një vizion, por e ka të cunguar, joprofesional dhe më shumë të tipit “retorik”, sesa mbështetur në analiza konkrete. Ky shkrim merr shkas nga një deklaratë e disa ditëve më parë e zt. Rama. Do të mirëkuptoja edhe ata të cilët do t‘i justifikonin deklarata të tilla nën dritën e një retorike opozitare dhe një sulmi politik kundrejt maxhorancës. Sikur te ishte vetëm kjo, do të ishte gjysma e së keqes! Por logjika të thotë se nën deklarata të tilla qëndron agresiviteti i mosnjohjes, dëshira për të baltosur me çdo kusht ato suksese të arritura (me modesti më duhet të them që nuk janë të pakta) si dhe kokëboshësia për të dialoguar profesionalisht me pjesën qe sot qeveris. Veçanërisht kjo e fundit tremb pa mase. E, në këtë kontekst, një milion të papunët e Ramës kthehen natyrshëm në 1 milion arsye për të mos i besuar opozitës që ai drejton!
© Panorama.al












