Një mbrëmje xhazi nga Austria e Zvicra

Jul 19, 2012 | 14:35
Dyshja austriake

Tirana Jazz & World Music Festival 2012 shënon sot ditën e tij të dytë me të tjerë të ftuar. Bëhet fjalë për artistë të ardhur nga Austria e Zvicra, të cilët ofrojnë kërkimet e tyre në lëmin e muzikës xhaz. Austria përfaqësohet nga Michaela Rabitch&Robert Pawlik Quartet. Michaela Rabitsch, këngëtare dhe kompozitore, njihet si trumpetisja xhaz më e suksesshme femër në Austri. Bashkë me partnerin e saj, kompozitorin dhe kitaristin Robert Pawlik, ka publikuar albumin “Mood’s”, me dhjetë këngë që në një farë mënyre reflektojnë jetët e tyre. Më parë ata kanë lëvruar xhazin standard. Ndërsa Michaela fokusohej më së shumti në një repertor xhaz, Robert, anonte më tepër nga muzika funky dhe fusion. Si njohës shumë të mirë të muzikës xhaz, ata zotërojnë një repertor shumë të gjerë, ku gërshetohen ritme e ngjyra. Rasti i Michael-ës është i veçantë, pasi ajo është edhe trompetiste, por edhe lokaliste, çka do të thotë një impenjim i dyfishtë, fizik dhe emocional. Michaela Rabitch dhe Robert Pawlik nuk janë të njohur vetëm në Austri. Ata kanë dhënë koncerte në Gjermani, Zvicër, Çeki, Kroaci, Bullgari, Rumani, Izrael, Itali, Serbi, Greqi, Rusi, Iran, Kinë, etj. Gjallërinë e çiftit nga Austria do ta ndjekë një trio gazmore nga Zvicra, të cilët mbajnë një emër të çuditshëm “OUiZZZ”, një lloj tingulli-lemze. Por përkundër kësaj, anëtarët e grupit Michael Gabriele (piano), Pierre Kuthan (bas), Roberto Titocci (bateri), janë shumë të qartë në atë që bëjnë. Ata ofrojnë kompozime origjinale, ku gërshetohet muzika xhaz me atë rock dhe electro. Tirana Jazz & World Music Festival zhvillohet për herë të parë në kryeqytet, në ambientet e Hotel Rogner, me nismën e Shoqatës “Syri blu” dhe “Boom Boom Radio”. Pas Tiranës, festivali do të udhëtojë në Durrës e Shkodër.

© Panorama.al

Te lidhura