Një librari për Kamzën

Jul 23, 2012 | 18:36

GJERGJ META

Kur nis e zbret Kodër Kamzën, afër mbikalimit të Universitetit Bujqësor e shkon drejt Fushë-Krujës deri në urën e Tapizës, duke kaluar nëpër qendrën e Kamzësnë të ashtuquajturin “Bulevardi blu”, të sheh syri gjithçka: pika biznesesh, supermarkete, karburante, hotel, agjenci udhëtimesh, bare, kazino, qendra bastesh dhe lotarish (me shumicë), banka, tregun fshatar, kompani celularësh, dyqane riparimi celularësh, Postën Shqiptare, qendra interneti, pallat kulture nën hijen e të cilit rreth 50 burra luajnë domino nga mëngjesi në darkë, kishë, xhami, Policinë, Spitalin, shkollën, Bashkinë, dyqane mishi, lavanderi, duke përfunduar me mobilieritë në rrugën e Qerekut. Po ashtu, edhe nëse i bie kryq Kamzës nga Valiasi deri te Albavia, ku bashkohet rruga “Skënderbeu” e rruga “Berisha”, gjen po ashtu gjithçka u tha më sipër, përveç një gjëje: librari. Në Kamzë gjithashtu ka lokale me muzikë tallava, ka orkestraxhinj rrugësh që me daulle e gërnetë bëjnë zhurmë me disa tinguj të tmerrshëm, por në Kamzë nuk ke mundësinë e një koncerti të muzikës klasike, të promovimit të një libri, të një mbrëmjeje poetike, të shfaqjes së një teatri etj. E kjo është një tragjedi që luhet prej shumë vitesh. Kamza, për ata që jetojnë jashtë saj, shpesh është sinonimi i kaosit, rrëmujës, çunave të fortë, kriminalitetit, problemeve sociale etj. Është e vërtetë që Kamza, si gjithë shoqëria shqiptare, e më shumë për vetë veçantinë e saj, paraqet disa probleme të llojit social. Por Kamza është edhe një Shqipëri në miniaturë, pasi këtu gjen njerëz nga e gjithë Shqipëria e nga të gjitha trevat e saj. Nuk është e vështirë që në mëngjes të dëgjosh në një grup burrash disa versione të fjalës mirëmëngjes: si u gdhine, si ke njeh, nadja e mirë, a mund u çove?, a fjete? mjes, dhe të gjithë merren vesh me njëri–tjetrin pa pikë problemi dhe për bukuri. Këtu takohen shumë rrjedha “lumenjsh” njerëzorë që vijnë nga Jugu, Veriu, malësia e Tiranës e që gjejnë një shtrat ekzistues, që janë “venalit”. Secili prej tyre ka sjellë me vete shumëçka nga vendlindja dhe nga background-i i tij familjar e tradicional, e patjetër nganjëherë kanë sjellë edhe ashpërsinë e maleve, ftohtësinë e bjeshkës, vrullin e ujëravre, por e gjitha kjo vetëm sa e bën më të pasur këtë ambient. Këtu në Kamzë rrihet mirë me “çunat” e Kamzës, me të ardhurit nga Veriu e nga Jugu, me malësorët e Tiranës, sepse këtu ka shumë njerëzi dhe njerëzi të mirë. Megjithatë, sfida e së ardhmes së kryeqytetit dhe e cilësisë së tij varet shumë nga integrimi i rrethinave të tij me jetën urbane. Dalëngadalë Kamza po bashkohet me Tiranën, madje janë tashmë të bashkuara e prandaj është pjesë integrale e kryeqytetit. Kujdesi ndaj Kamzës dhe simotrave të saj periferike do të thotë për të ardhmen një garanci cilësore për këto periferi dhe për vetë kryeqytetin. Por çfarë do të thotë integrim në rastin konkret? E nisa këtë shkrim me librarinë jo pa qëllim. Të gjitha ato struktura që përmenda më parë, përveç shkollës (edhe kjo e detyruar deri në klasë të nëntë), janë aspekte të pamjaftueshme për integrimin e periferive në një logjikë urbanizuese. Integrimi është thelbësisht një çështje e shpirtit dhe shpirti ushqehet me poezi. Jam i bindur se lexuesi im kamzali apo edhe të tjerë këtu do të nënqeshin me ironi, pasi e dinë mirë, sikurse edhe unë, se ka njerëz që këtu nuk kanë gjëra më minimale, por unë dua t’i shkoj deri në fund “naivitetit” tim. Poezia ka të bëjë me poiesis, dhe kjo fjalë greke i referohet gjithçkaje që ka të bëjë me aftësinë dhe shpirtin krijues të njeriut: muzika, piktura, skulptura, arti në përgjithësi, kinematografia etj. Ajo është e ndryshme nga techne’ apo teknika e cila merret me prodhimtarinë dhe eficiencën. Ushqimi i njeriut me këto elemente do të thotë një njeri më i plotë, integral dhe i integruar. Sikurse e thashë më sipër, përveç librarisë në Kamzë nuk ka një veprimtari letrare, muzikore klasike, promovimi i një libri, i një romani, i një ekspozite pikture apo fotografie. Mund të thuhet që këto nuk bëhen askund tjetër përveç në qytetet e mëdha, por Kamza është ndryshe, sepse është një nga gjashtë bashkitë më të mëdha në vend. Procesi i tranzicionit nuk e ka favorizuar një klimë të tillë kulturore. Jo vetëm, por e ka shkurajuar këtë gjë. Nuk ka pasur politika kulturore, pasi emergjenca të tjera, sikurse janë rrugët, ndërtimet, legalizimet etj., kanë ngrënë më shumë kohë, punë dhe financime. Është koha që tani komuniteti i Kamzës të promovohet në këtë drejtim. A ka mundësi të bëhet kjo gjë? Sigurisht që po! Jam i bindur se krijimi i oazëve kulturorë, rretheve kulturore me bazë krahinore, por edhe me bazë të interesave kulturore në kuptimin më të gjerë të fjalës, mund të fillojë në bërthamë. Mësues, pedagogë, institucione fetare dhe shtetërore, biznese së bashku mund të krijojnë një bazë të mirë bashkëpunimi për një proces formimi kulturor që do kohën e vet, ka vështirësitë e veta, por është një investim i sigurt për të ardhmen. Për shumëkënd ndoshta mund të tingëllojë poezi, pra i padobishëm dhe madje naiv ky shkrim, por Kamza meriton më shumë se kaq për të ardhmen e fëmijëve e të brezave që po vijnë.

© Panorama.al

Te lidhura