Një i vdekur në Laprakë, përplasje në autostradë

Aug 27, 2012 | 12:12

TIRANE – Një aksident me pasojë vdekjen e një të moshuari ndodhi mesditën e djeshme në kryeqytet, në rrugën “Dritan Hoxha”. Një kalimtar rreth të 70-ave është përplasur për vdekje nga një autoveturë e tipit “BMW” me targa italiane, në zonën mes Laprakës dhe Zogut të Zi, në krahun që futesh për në qendrën e Tiranës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00, ndërsa kalimtari ka qenë duke kaluar nga njëri krah i rrugës në krahun tjetër, përkatësisht nga ana e zonës së njohur si ish-Shkolla e Partisë, në krahun e pallatit të sportit “Asllan Rusi”. Mësohet se viktima ka qenë i moshës 70 vjeç, ndërsa emri i tij ende nuk është bërë i ditur nga Policia. Po dje, tri makina u përfshinë në një aksident automobilistik, teksa ktheheshin nga Durrësi në Tiranë. Aksidenti ka paralizuar qarkullimin përgjatë autostradës, përreth një orë. Ngjarja sipas Policisë nuk ka pasur pasoja në njerëz por vetëm dëme materiale, ka ndodhur rreth orës 18:30, në afërsi të Vorës, në korsinë e lëvizjes Durrës-Tiranë. Dy prej makinave që u përfshinë në aksident janë të tipit “Mercedez Benz”, me targa DR 2312 D dhe TR 0528 M, ndërsa mjeti tjetër është larguar pasi nuk ka pasur dëme të mëdha.

© Panorama.al

Te lidhura