Në kujtesën time të hershme të vitit të parë në shkollën e lartë, vezullon “Ora e Biologjisë”. Sipas pëshpërimave të kohës, ajo konsiderohej si “tmerri i vitit të parë”. Kush e kalonte me sukses atë “barrikadë” të dijes, kishte “siguruar diplomën”. Ne që kishim shkëlqyer në shkollat e mesme, ishim përballë mëdyshjesh të frikshme. Dikush do të binte. Dikush do të provonte vjeshtën ose do humbiste shkollën. Secili nga ne luhatej mes frikës: “Mos do të jem unë”!?… Ishte makth i bukur i fillimit të një jete ndryshe. E në ato vite, projekti pilot ishte Biologjia. Kush është diplomuar veteriner dhe nuk sjell në mendje “Orën e Biologjisë”, nuk ka kujtesë. Për mua mbetet ora më e gjallë e leksionit që na ndriste mendjen. Pedagogu i jashtëzakonshëm Robert Papajani, vinte në sallën e madhe me bluzën e bardhë, me duart futur lehtas në xhepat plot me shkumësa ngjyrangjyra, serioz, me autoritet absolut dhe krejt vëmendje. Ne mezi prisnim fillimin. Papajani ishte ndër pedagogët që nuk kishte studiuar jashtë, por sillte në leksione “çdo gjë nga jashtë”…
Leksioni i parë “Algat dhe Qeliza”. Ne dëgjonim pedagogun që “griste” me dijet e veta injorancën tonë dhe na fuste në një botë të padukshme dhe misterioze të qelizës, nga bërthama tek membrana dhe “ushtarët” brenda, ku çdo element kishte “misionin e vet”. Ora e biologjisë, ishte ora magjike, ku çirrej terri i mosdijes dhe injorancës dhe futeshim në një botë të largët prej së cilës erdhëm dhe ekzistonim ne. Në përfytyrimin tim mbetet i rrepti dhe mendjeploti Robert Papajani. Ai shpjegonte dhe vizatonte para syve tanë në dërrasë të zezë, qelizën, si “kuantum” i jetës. Ai ishte i prerë, i saktë, i qartë. Pas çdo fjalë, vizatonte. Pastaj na qartësonte se cili ishte funksioni i bërthamës qelizore, protoplazmës, cilët ishin “satelitët” rreth saj, çfarë notonte mes membranës dhe qelizës dhe si ishte “vetorganizimi” qelizor. Brenda të padukshmes, pedagogu sillte një univers dinamik biologjik. Ishte kohë emocionesh, ku na dukej sikur copëza qelizore të trupit tonë rinor vizatoheshin nga mjeshtri pedagogjik e shkencor, Robert Papajani, dhe para syve tanë, për herë të parë shpjegohej koncepti bazë i jetës: Qeliza. Ishte një përqendrim i bukur, ku mjeshtri sikur ngrinte një vello të bardhë, e nën pluhurin e shkumësave na rrëfente jetën, magjinë e saj, funksionet thjeshta që komplikoheshin dhe organizoheshin deri tek qeliza më e sofistikuar: neuroni.
TË ZBULOSH VETEN
Ora e Biologjisë ishte orë drite ku ne mësonim për jetën dhe magjinë e saj. Aty nuk citohej as Kurani as Bibla. Ora e Biologjisë ishte ora e diturisë dhe së vërtetës. Nga e thjeshta tek e komplikuara. Nga algat tek shumëqelizorët, indet, organet, sistemet, organizmi…Biologjia që më mësoi Robert Papajani ishte lënda më e bukur kur “zbulonim veten”, mësonim misteret, “të pabesueshmen” brenda nesh, kuptonim jetën, magjitë bio-kimike, evoluimin, përsosjen e pandaltë dhe lindje-vdekjen. “Qeliza, këtu fillon jeta” – më vijnë në mendje fjalët e metalta të pedagog Papajanit. Ishte “gozhdë” çdo shpjegim i tij. Nuk kishte orë më të bukur se “Ora e Biologjisë”. Ajo ka mbetur tek unë si një pishtar që nuk shuhet ose do shuhet bashkë me mua. Pa dëgjuar ato leksione aq të thella, të kthjellëta, të kuptueshme, të qarta dhe komplekse të Robert Papajanit, unë do kisha mbetur një “idiot me diplomë”. Biologjia të ndihmon të kuptosh veten së pari dhe jetën si një kompleks dhe ndërlikim të lëvizjes dhe transformimit. Kujtoj Papajanin: “Qeliza është e mbyllur. Krejt e mbyllur. E mbrojtur. Komunikon magjishëm përmes pareteve, vetëm përmes tyre…Ne, organizmi ynë, është ‘sistem i mbyllur’ tmerrësisht i mbyllur. Po u prish apo cenohet kjo “mbyllje” vjen sëmundja dhe vdekja…”. Nuk di nëse ka pedagogë të sotëm t’i ngjajë sadopak Robert Pajajanit, ose së paku të ketë lexuar librin “Biologjia” të këtij korifeu pedagogjik të kohës sonë. Për mua mbetet një “meteor që nuk shuhet”, një dritë fosforeshente që më bëri të kuptoj jetën, fenomenet, evoluimin, përsosjen dhe tendencën e pavdekësisë. Drita që hidhte në auditor Robert Papajani, na duhet edhe sot. Ajo njohje e së vërtetës biologjike besoj se na duhet edhe në varr për të kuptuar “ikjen tonë”. Nuk di nëse shkolla e sotme shqiptare mund të ketë diku në referencë gjeniun e kohës sonë Robert Papajani, Kandidat i Shkencave ose PhD e nivelit të sotëm. Ai ishte i pakrahasueshëm.
SHËNIMET NË BLLOQE
Ne nuk mungonim kurrë në orën e biologjisë. Ne dëgjonim dhe shkruanim shpejt. Hidhnim sytë në dërrasën e zezë dhe kopjonim “figurat e Bertit” që nguliteshin në mendjen tonë. Në fund të orës ne shkundnim duart e lodhura nga e shkruara dhe tundnim kokën si për të “stivuar” ato që kishim dëgjuar e shënuar në blloqet me letër Lezhe. Ora e Biologjisë ishte një kohë mrekullie ku ato që mësonim mbeteshin xixëllimë në kujtesë dhe mëndje. Ato ishin të vetme leksione që shumica jonë i lexonte po atë ditë shpejt e shpejt për t’i përtypur dhe kuptuar sa më mirë, sepse Bert Papajani nuk të falte. Ishte pedagogu më serioz, më skrupuloz, më perfekti dhe i pashoqi. Papajani nuk pinte kurrë kafe me studentë. Robert Papajani ishte një kristal i intelektualizmit në “Diktaturën e Proletariatit”. I pa korruptueshëm, i pamunupuleushëm i pa epur. Nuk gjen dot sot një “sozi” të Robert Papajanit. Ai ishte simbol i rreptësisë dhe përsosmërisë pedagogjike dhe njeriu që të detyronte të mësoje. Për mua ishte testi më i madh që e kalova suksesshëm dhe isha e mbeta krenar. Ora e Biologjisë më vjen në mendje së pari si “Ora e Qelizës”. Ajo më ka mbetur si dritë e brendshme. Sikush prej nesh është një “konglomerat” biologjik i 30-37 trilion qelizash ku secila ka jo vetëm një funksion, jo vetëm që “raporton” diku dhe po aq merr “urdhër” nga diku, por në unison perfekt dhe harmoni të shkëlqyer biologjike, formojnë jetën tonë. Ti je një “koleksion” qelizash. Edhe unë po ashtu. Edhe çdo gjë e gjallë. Provoje ta gërvishtës lëkurën dhe qeliza është e para që “jep alarmin” dhe “gjithë trupi më këmbë” për të përballuar rrezikun…
BOTA QELIZORE
Në orën e biologjisë pedagogu im i paharruar Robert Papajani, më “zbërtheu” për herë të parë qelizën nga e cila jam përbërë dhe ende jetoj. Bota qelizore është një univers i pafund me “galaksi” magjike në trupin tonë duke filluar me zemrën, sistemin arterial e atë venoz, mushkëritë dhe bronket, sistemin tretës dhe atë riprodhues, gjymtyrët dhe shqisat, trurin dhe kafkën ose “bunkerin” që mbron “komitetin qendror” të ekzistencës sonë.
Ora e Biologjisë më dha dritë dhe ende shoh përmes saj. Sa mirë është që njeriu të njohë veten duke filluar me “Leksione biologjie”, si dikur brezi im me Prof. Robert Papajanin! Sa shumë ndryshe do ishte njerëzimi sikur pas meshave kishtare e lutjeve pafund, të merrte edhe leksione Biologjie, së paku të mësonte “Qelizën” si domethënia e vërtetë e jetës. Sikur, ah sikur, në vend të miteve fetare, të njihnim “qelizën”, njerëzimi do ishte më ndryshe dhe mbase më pak i egër se sa shfaqet në ditët tona. Ora e Biologjisë, jeton ende tek unë me dritën e saj të pashuar./Gazeta Panorama
© Panorama.al












