AGRON GJEKMARKAJ
Njëqindvjetori i pavarësisë kombëtare është një kantier i hapur, një pikë mbërritjeje ku shteti shqiptar hedh sytë nga e kaluara e tij për të gjetur rrënjët, për të kujtuar ato personalitete, personazhe, ngjarje dhe ndjeshmëri që kanë kontribuar në mëvetësimin dhe konsolidimin e shtetit në epoka të ndryshme.
Pavarësia, përveçse një akt politik, ishte edhe një proces kulturor i gjatë dhe i vështirë, ndoshta jo krejt i përfunduar, proces që filloi para kryengritjeve dhe përpjekjeve diplomatike shumë herët me rilindjen e parë shqiptare me Budin, Bogdanin, Bardhin etj.
Në këtë proces, përveç komponentëve kulturorë shqiptarë, janë edhe disa të huaj, të cilët u bënë themeluesit e Albanologjisë dhe zërat më të artikuluar të saj në arenën botërore ku flitej për gjuhen dhe çdo gjë tjetër shqiptare.
Krahas Hanit, Shtatmylerit, Vajgandit, Thalloczyit, Jirecekut, Shuflajt, Joklit, Lambercit, Jorges, Blaut, Pedersenit, Taliavinit, Skokut, Bariçit, Popoviçit etj., një vend nderi zë edhe Zef Valentini (Giussepe Valentini), ndaj të cilëve dhe ndaj të cilit në këtë përvjetor shekullor shteti shqiptar dhe institucionet e tij duhet të gjejnë formën e duhur jo thjesht për t’i kujtuar e nderuar, por kryesisht për t’i rikthyer te lexuesi shqiptar sepse rezultojnë ende të panjohur e tejet të nevojshëm edhe për albanologjinë e sotme.
Në komunikimin ndërmjet kulturave nuk janë të shumta rastet si ai i Valentinit, kur një i huaj, nëse i referohemi përkatësisë nacionale, natyralizohet aq shumë në kontekstin e një kulture kombëtare, sa të shndërrohet në një përfaqësues autentik të saj.
Po aq të njohura e të hershme janë tendencat e elitave kulturore dhe përfaqësuesve të tyre më të spikatur, të vendeve dhe gjuhëve “të vogla”, të cilët synojnë identifikimin me gjuhet dhe vendet e mëdha. Janë këto vende që ofrojnë më shumë mundësi për publicitetin e veprës, për famën dhe fitimin personal.
Procesi migrator i elitave është një fenomen i vjetër me rrënjë në vigjilje të civilizimeve. Çdo epokë ka emrat e saj të mëdhenj, të cilët e kanë nisur jetën e tyre intelektuale në vendet e origjinës, për t’u shndërruar në përfaqësues kulturorë në vendet e zhvilluara perëndimore. Konrad ishte një syresh, i cili zgjodhi Anglinë dhe la Poloninë, vendin amë.
Në kohët e fundit, përfaqësuesi më në pah i këtij transformimi është Kundera, i cili ka hequr dorë nga nënshtetësia dhe gjuha çeke për të marrë atë franceze dhe për të shkruar në frëngjisht, duke jetuar tashmë si shkrimtar francez. Një të ngjashëm ka edhe në kulturën shqiptare. Ai është At Zef Valentini, një kontrapunt, pjesë e të paktëve.
Ai është italian nga rrethinat e Padovës, i formuar kulturalisht në Itali, e cila shquhet për historinë dhe fuqinë e saj intelektuale e artistike.
Nga Giuseppe shndërrohet në Zef. Së pari këtë akt identifikues e kryen nëpërmjet gjuhës. Shqipja, gegnishtja, bëhen gjuha e tij e shkrimit dhe e krijimit! Historia dhe kultura shqiptare shndërrohen në misionin e tij të vetëm intelektual.
Prania e tij në Shkodër bën që për herë të parë jezuitet të rivalizojnë deri diku françeskanët. “Hyllit të Dritës” i vihet përballë revista “Leka”, e themeluar nga një shoqatë e që pas saj rri pikërisht Valentini, qysh prej vitit 1932 drejtues zyrtar i saj. Në pak vjet ai e përdor shqipen me të gjitha nuancat e veta. Përfshihet si shkrimtar e polemist shqiptar në të gjitha çështjet e aktualitetit e njëkohësisht ai është meshtar, mësues, përkthyes e, mbi të gjitha, historian i një lloji të ri në Shqipëri. Veprat e tij përgjatë viteve tridhjetë janë të shumta, e për to është folur edhe tjetër herë, por unik mbetet fenomeni kulturor që ai krijon qysh aso kohe e në vazhdimësi.
Në studimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit e shohim atë si njërin prej njohësve dhe interpretuesve më të mirë të tij, duke “cenuar” monopolin në këtë fushë të etnografëve françeskanë si Fishta e Gjeçovi, Palaj e Kurti. Çështje si “Burimet mbi historinë e Shqipërisë, “E drejta zakonore shqiptare”, “Venediku dhe Shqipëria”, “Periudha e Skënderbeut” me Valentinin njohin një interpretim mirëfilli shkencor, larg çdo tendence folklorike të pranishme në gjykimet e asaj kohe. Erdhi në Shqipëri si një intelektual katolik europian dhe u shqiptarizua duke u shndërruar në njërin prej “interpretëve më gjenialë të genit”. Do t’i lejonte vetes të shprehej për shqiptaret pas përfshirjes me themel në psikologjinë e tyre: “Shqiptarët janë nji popull i çuditshëm. Të huejve u duket se kanë nji tansi ligjesh e parimesh qi kundërshtojnë njena-tjetrën, konflikte të pashërueshme, grindje të brendshme ku ndryshimet fetare nxisin impulse të papërmbajtshme shkatrruese, mirpo pas kësaj, kur bahen gati të shprehin nji gjykim negativ mbi mundësitë e mbijetesës kombëtare, vrejme se si shpërthen papritmas prej thellsive të shpirtit të tij nji ndjenjë e fortë vllaznimit qi të shtang e të magjeps”. Valentini ishte një personazh kompleks, i cili gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri krijoji rreth vetes simpati dhe antipati të shumta. Për shembull, marrëdhënia e tij me françeskanët dhe me Fishtën, herë-herë ishte e ndezur. Dëshmi e saj janë një sërë letrash dërguar Vatikanit nga ana e tij…! Pas pushtimit italian përsëri e shohim si njërin nga themeluesit e Institutit të Studimeve shqiptare.
Rrethanat politike e detyruan të largohet nga Shqipëria në vitin 1943, tashmë jo si italian, por si shqiptar. Regjimi komunist në “neolinguan” që krijoi, e shpalli Valentinin fashist, armik të shqiptarëve, madje kërkohet prej qeverisë së Tiranës si kriminel lufte. Pasi u kthye në Itali, në marrëdhënie të ngushtë me mikun e tij, Ernest Koliqi, gjithë jetën punoi si një intelektual shqiptar i diasporës, duke krijuar një vepër monumentale disavolumëshe për historinë e Shqipërisë, të nxjerra nga arkivat veneciane. “Acta Albaniae Veneta” në 26 volume dhe “Acta Diplomatica” e shumë të tjera, të cilat janë vlera shkencore europiane me dobi parësore për historiografinë tonë kombëtare. (Nga lexuesi shqiptar mirënjohje meriton shtëpia botuese “Plejad”, që ka risjellë në shqip një korpus të rëndësishëm të këtij autori kaq sovran). Në çdo ditë të jetës së tij në Itali pas kthimit ai është një misionar i historisë dhe kulturës shqiptare. Për një kohë të gjatë, nga viti 1955 e deri në vdekje, në vitin 1979, drejtoi katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin e Palermos, të cilën e shndërroi në një qendër të studimeve gjithëpërfshirëse të kulturës shqiptare me rezultate të nivelit ndërkombëtar. Praktikisht gjithë jetën intelektuale e vuri në shërbim të arkivave dhe kërkimeve që zhdarovisin mjegullnajat e shumta që na rrethojnë me rezultate të shkëlqyera e për nga përmasat, të pakonkurrueshme nga albanologë të tjerë.
Shqiptarizimi i tij nuk ishte një akt sentimental, por një konvertim shpirtëror dhe intelektual. Vepra e tij është peng sigurie për këtë pohim. Kjo vepër, aq sa mundi, u përpoq t’i tërhiqte bashkëkombësit e tij të zgjedhur drejt kontinentit nga i cili ai erdhi si Giussepe dhe u kthye si Zef!
Në këtë 100-vjetor të shtetit shqiptar, ky fenomen kulturor atipik na shpërfaqet në semantikën e tij të plotë me dritëhijet e veta, ku çdokush ka të drejtë të përsiatet duke menduar sipas qejfit të tij, gegë a toskë, por çdokush që dëshiron të njohë historinë e kombit shqiptar nuk bën dot pa të as kur kemi festë.











