NGA VETON SURROI
Para afro 20 vjetësh isha në drekë në Jerusalem. Më ftoi një mik hebre, profesor universitar, shkrimtar dhe ish-diplomat. Me një përvojë të gjatë jetësore më përmendi një përgjigje që u jep njerëzve që vijnë nga BE-ja për të dhënë sugjerime se si duhet të zgjidhet konflikti izraelito-palestinez:
“Pse nuk e zgjidhni njëherë konfliktin Kosovë-Serbi e pastaj vini te ne?”.
Javën e kaluar dhe afro njëzet vjet më pas më ftoi në drekë një mik francez në Paris, profesor universitar dhe njëri prej njohësve më të mirë të Evropës ish-komuniste. I ramë gjerë e gjatë Evropës së sotme, përfshirë asaj pjese që ishte komuniste me luftën e Rusisë kundër Ukrainës, dhe miku im tha se po ty pyesnin për ardhmërinë evropiane ai do t’u sugjeronte ukrainasve që të shikojnë me vëmendje Ballkanin Perëndimor.
Ukrainës ka gjasa që këtë fundvit (së bashku me Moldavinë) t’i hapet procesi negociator për anëtarësim në BE. Para njëzet vjetësh Ballkanit Perëndimor iu premtua perspektiva evropiane. Një vend, Maqedonia Perëndimore, ka po aq stazh të qenit shtet kandidat për anëtarësim.
2.
Ukrainasit, të zënë në një luftë metër për metër në territorin e tyre, do ta kenë të vështirë komoditetin e të kuptuarit të Ballkanit Perëndimor. Dhe, nuk është se ka ndonjë mësim të mirë të mësohet nga këtej: BE-ja nuk ka ndonjë rezultat të mirë në qetësimin apo integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Më 14 shtator, BE-ja tregoi se sa e dobët mund të jetë në politikën e vet të jashtme. Një vit pasi Gjermania dhe Franca (më vonë u bashkëngjit edhe Italia) prodhuan një plan njëfaqësh normalizimi të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e me presion të peshës së madhe të investimit personal të Kryeministrit gjerman e Presidentit francez arritën të marrin pëlqimin e Kosovës dhe Serbisë, ndërmjetësimi i BE-së prodhoi një sërë tekstesh të negociuara e të stërnegociuara që u larguan aq nga plani origjinal sa i kthyen negociatat në vitin 2013. Atëbotë koncepti “historik” i BE-së qe, që në këmbim të autonomisë territoriale të serbëve të Kosovës, Kosova dhe Serbia të fillonin një proces normalizimi që do të shpinte ndoshta te njohja de facto e dy shtetësive të veçanta.
Pas shumë vjet dështimesh dhe bredhje (përfshirë edhe bisedimesh Thaçi-Vuçiq për këmbim territoresh), Gjermania dhe Franca dolën në shtator të vitit 2022 me planin, i cili vendoste në formë eksplicite marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë si marrëdhënie shtetesh sovrane, të cilat brenda kësaj kornize juridike do të gjenin zgjidhje për problemet e ndërsjella, përfshirë edhe modalitete të tjera inovative për mbrojtjen dhe zhvillimin e identitetit dhe kushteve të jetës së serbëve të Kosovës.
Ndërmjetësimi i BE-së në 12 muajt e fundit e ktheu përmbys Planin frankogjerman dhe e shndërroi në një karikaturë të vitit 2013: krijoni autonominë e serbëve të Kosovës, pastaj flasim për të tjerat.
3. Është vështirë për ukrainasit sot të përqendrohen në hollësi, por nëse duan të kuptojnë politikën e BE-së karshi Ballkanit Perëndimor, atëherë hollësitë janë më të rëndësishme sesa titujt e mëdhenj të marrëveshjeve historike.
Në nëntor të vitit 2022, pas shumë vjet negociatash, dhe me ndikim vendimtar të Gjermanisë , gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan brenda Procesit të Berlinit tri marrëveshje të mobilitetit. Njëra prej tyre, ajo e kalimit prej njërit shtet në tjetrin me letërnjoftime, duhej të ishte simbol i normalitetit për një regjion që më 2020 , në Samitin e Sofjes mes BE-së dhe Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor, ishte zotuar se do të krijonte një treg të përbashkët regjional me vendosjen e katër lirive të BE-së në territorin e tyre.
Në nëntor të këtij viti, pra më 2023 , ka të ngjarë që një vend, Bosnjë-Hercegovina të mos e ratifikojë këtë marrëveshje, meqë përfaqësuesit e entitetit (me fuqi bllokuese) të quajtur Republika Sërpska nuk lejojnë që kjo marrëveshje të ratifikohet, ngase prek “interesat vitale” të këtij entiteti.
Për më tepër, në maj të këtij viti, Republika e Serbisë, në procedurë të rregullt kushtetuese të miratimit të një marrëveshjeje ndërkombëtare, ratifikoi me ligj marrëveshjet e mobilitetit. Në tekstin e ratifikimit, Kuvendi i Serbisë bëri po ashtu një truk që i zhvlerëson këto si marrëveshje ndërkombëtare. Kuvendi i Serbisë përshkroi rezervën e vet në tekst, duke cekur se fakti që këtë ligj e ratifikon si marrëveshje ndërkombëtare nuk do të thotë se ka lidhur marrëveshje ndërkombëtare me Kosovën sipas Konventës së Vjenës për traktate; Kosovën vazhdon ta trajtojë si “territori i Kosova e Metohisë si pjesë e Republikës së Serbisë”.
Në nëntor të vitit të kaluar, diplomatët evropianë shpresuan se u kalua një test i rëndësishëm i dyfishtë. Nga njëra anë bëhej e mundur lëvizja e lirë e qytetarëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër vendosej një precedent juridik ,mbi të cilin mund të ndërtoheshin marrëveshjet e ardhshme, pra precedenti juridik i barazisë së palëve.
Një vit më pas, këto ende mbeten objektive për t’u arritur, e me këtë ritëm dreka e ardhshme pas njëzet vjetësh në ndonjë vend do të dëshmonte se BE-ja ende nuk ka mësuar gjë.
4.
Po nga doli Ukraina në këtë rrëfim? Për arsye të thjeshtë se për njëzet vjet, prej Samitit të Selanikut, BE –ja nuk ka pasur ndonjë përgjigje për konfliktet e papërfunduara të Ballkanit Perëndimor dhe vendet e këtij regjioni do të mbeteshin aty ku janë, në një proces të përhershëm të menaxhimit të konfliktit, po të mos shpërthente lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Me të shpërthyer kjo luftë, BE-së iu ringjall instinkti i detyrave historike dhe gjatë një viti e gjysmë u bashku në përkrahjen e Ukrainës.
Njëkohësisht, BE-ja këtij ndryshimi të madh epokal po i përgjigjet me një ndryshim po kaq të madh epokal: të trajtimit të Ukrainës si një shtet të ardhshëm anëtar të BEsë. Në këtë ringjallje instinkti historik, jo pak njerëzve duhet t’u ketë rënë në mend se nuk do të ishte e hijshme të fillonin negociatat e anëtarësimit me Ukrainën, por jo edhe me BH-në apo Maqedoninë e Veriut, për shembull.
Pra, njëzet vjet më pas, Ballkanit Perëndimor iu desh një luftë e largët që të ringjalleshin ambiciet e anëtarësimit në BE. Por vala ukrainase, në të cilën tash kanë hipur vendet e Ballkanit Perëndimor, mund të kalojë pa ndonjë rezultat për të mbajtur mend, nëse kuti matës i përparimit është politika e tanishme e jashtme e BE-së.
Marrë nga Koha Ditore
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al