Prej gati dy muajsh, punëtorët e minierës së Bulqizës, minierës më të madhe në vend, kanë ndërprerë punën duke paralizuar jo vetëm minierën, por gjithë jetën ekonomike e tregtare të të gjithë qytetit. Prej 20 ditësh, një grup i tyre përfaqësues qëndron në errësirën e thellësisë së nëntokës, në një grevë urie të dhimbshme dhe rraskapitëse.
Si deputet përfaqësues i tyre, jam ndodhur pranë tyre gjithë kësaj kohe dhe mbetem shpirtërisht pranë vuajtjeve dhe dhimbjeve të gjithsecilit prej grevistëve. I angazhuar për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e këtij konflikti të stërzgjatur, sfilitës dhe të kushtueshëm, dua të ndaj edhe njëherë me të gjithë bashkëqytetarët e mi solidaritetin e plotë për drejtësinë e çështjes për të cilën ata po luftojnë. Kushtet e punës dhe të sigurisë në minierë, investimet për hapjen e pusit të ri dhe krijimin e mundësive për të rritur jetëgjatësinë e minierës edhe për dekadat që vijnë, pagat e punës dhe rritja e eficiencës dhe sigurisë në shfrytëzimin e kromit, janë të gjitha çështje shumë serioze për të cilat të gjitha palët duhet të jenë të ndërgjegjshme, mbi të gjitha, investitori sipërmarrës.
Në kontaktet e shpeshta që kam pasur me firmën koncesionare, kam parë që hap pas hapi ata kanë pranuar si të drejta të gjitha kërkesat e grevistëve, përfshi një rritje të pagave me 20% dhe investimet në minierë për kushtet e punës dhe për hapjen e pusit të ri. Por, nuk mund të mos shpreh zhgënjimin e thellë që, edhe pse po bëhen gati dy muaj që është ndërprerë puna dhe i gjithë qyteti është në një gjendje pasigurie, dhe që kompania ka në dore të gjitha kërkesat specifike të punëtorisë, si dhe duke besuar plotësisht te serioziteti i firmës së huaj, akoma ata nuk u kanë paraqitur punëtorëve, qytetit dhe institucioneve publike, një program pune të plotë, të detajuar, me afate konkrete dhe të besueshëm në termat financiarë. Siç është bërë e njohur publikisht, detyrimet kontraktore në termat e investimeve nga ana e firmës nuk janë realizuar në mënyrë sistematike dhe vendosja e penaliteteve nuk duket se janë zgjidhja e duhur e këtij shqetësimi qytetar.
Hyrja në fuqi e ligjit të ri minerar është një mundësi e krijuar për të vendosur kontratën koncesionare mbi baza të reja ligjore, për ta bërë atë më efektiv dhe më të besueshëm, duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat që kërkon ligji për vendosjen e garancive financiare si për investimet, ashtu dhe për mbrojtjen e mjedisit. Është rasti që Ministria e Ekonomisë të shqyrtojë në mënyrë shumë serioze të gjitha kontratat e dhëna për shfrytëzimin e minierave, ku kontrata e Bulqizës të jetë kontrata pioniere që të përdoret si shembull edhe për të tjerat. Edhe pse shqetësimi i minatorëve është i drejtë, dhe ata kanë të drejtë që të informohen e, madje, në një kuptim, edhe të kontrollojnë ecurinë e investimeve kritike, siç është hapja e pusit, por sindikatat nuk mund të jenë palë nënshkruese në kontrata. Ato mund të kërkojnë të drejtën që të kenë përfaqësuesit e tyre në grupet e punës që përgatisin raportet e progresit të investimeve, por nuk kanë asnjë tagër juridik të jenë palë e kontratës.
Çështja e dytë shumë e dhimbshme është organizimi i lëvizjes sindikale dhe politizimi i tyre nga persona të caktuar me ambicie të shfaqur politike, që në një farë mënyre kanë mbajtur peng edhe dhënien fund të grevës. Prej më shumë se dhjetë ditësh, kompania ka pranuar të gjitha kushtet e vendosura nga grevistët, ku kushti kryesor është rritja me 20% e pagës. E, megjithatë, greva e urisë vazhdon, duke u bërë më sfilitëse, për të vetmen arsye se palët bien dakord se kush duhet të firmosë. Drejtuesit e Konfederatës së Sindikatës nuk janë të kënaqur që anëtarëve të tyre po u jepen disa të drejta që ata po i fitojnë me shumë sakrifica. Me sa duket, protagonizmi sindikalist për ata është dalja në ekranet e televizioneve dhe konferencat e shtypit, me një gjuhë të ashpër dhe thirrje ultimative. Fundin e grevës e quajnë vetëm momentin kur të firmosin ata si triumfues në një tavolinë që të jetë e mbuluar e kamera televizionesh. Ndërsa minatorët serish do të harrohen në hallet dhe vuajtjet e tyre në vitet që vijnë. Kjo është dëshmi e keqorganizimit të lëvizjes sindikaliste dhe, me siguri, shprehje edhe e korruptimit të saj për motive politike apo ekonomike, siç janë dëgjuar të shkëmbehen akuza të shumta së fundi.
Edhe pse kjo grevë duhet të shërbejë si një moment reflektimi edhe për vetë punëtorët dhe jo vetëm për institucionet publike, në emër të jetës së atyre punëtorëve që po shkojnë drejt vetëflijimit, i bëj një apel publik kompanisë “ACR” të firmosë menjëherë rritjen e pagës prej 20%, siç e ka pranuar edhe vetë tashmë, në mënyrë që grevistët të kthehen në familjet e tyre, punëtorët t’i kthehen punës dhe të normalizohet jeta në qytet. Kompania të shpallë menjëherë një plan të detajuar të investimeve që do të kryejë për përmirësimin e kushteve të punës dhe t’i lejojë punëtorët që të kenë një përfaqësim në monitorimin e programit të investimeve. I bëj apel publik Ministrisë së Ekonomisë që të fillojë menjëherë rinegocimin e kontratës koncesionare, si një detyrim që e kërkon ligji i ri minerar, dhe të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që krijon ligji për ta bërë realizimin e kontratës të besueshëm.
Pasuritë me të cilat na ka bekuar Zoti t’i shohim jo si një mallkim për banorët që janë të detyruar të nxjerrin mbijetesën e tyre në kushte mizerabël, por si një bekim nga natyra për të ndërtuar mirëqenien tonë dhe të fëmijëve tanë.
*Deputet i PD, qarku Dibër
© Panorama.al












