Nismëtar dhe financues i Lojërave Olimpike në 1896-ën, kush ishte shqiptari! Kryeveprat sot mbajnë emrin e tij në Athinë! Çfarë simbolizojnë 5 rrathët e njohur në flamur

Aug 6, 2024 | 12:54
SHPËRNDAJE

Greqia është atdheu i Lojërave Olimpike të Antikitetit të vitit 776 p.k. Por është edhe atdheu i Lojërave të para Olimpike moderne të vitit 1896. Kjo flet shumë për historinë jo vetëm të sportit, por flet për paqen, për ndalimin, qoftë edhe të përkohshëm të luftërave, (në Paris zhvillohen lojërat olimpike e në Ukrainë e në Gaza vriten njerëz). Flet për paqen, për miqësinë midis popujve! Një ndër nismëtarët dhe financuesit e Lojërave Olimpike të vitit 1896, ishte edhe Evangelis Zappas, një burrë i ndritur, i ditur, filantrop i madh, një kulturolog ndër më të mëdhenjtë e kohës. Është Vangjel Zhapa i famshëm, nga Gjirokastra, nga Labova e Zhapës, e që ka lënë kryevepra të ndritura që sot mbajnë emrin e tij në Athinë. Në kuadër të Lojërave Olimpike që janë duke u zhvilluar në Paris, Gazeta “Panorama” boton historinë e mrekullueshme të Lojërave të para moderne të Athinës të vitit 1896. Diplomati i njohur dhe publicisti Bashkim Zeneli, nëpërmjet një dokumentacioni të pasur arkivor, na përshkruan zhvillimin e këtyre Lojërave me një respekt e dashuri të veçantë për antikitetin, për kulturën, artin, letërsinë greke, për popullin grek, si një monument i papërsëritshëm të vlerave dhe hyjnisë Olimpike.”

MixCollage-06-Aug-2024-12-50-PM-189

******

NGA BASHKIM ZENELI *MJESHTËR I MADH

Pjesa e dytë

Nga librat që kam shfletuar del qartë se në radhët e popullit grek, e sidomos të athinasve, nuk kishte vetëm një krenari që Lojërat po zhvilloheshin në vendin e tyre… kishte një mobilizim të përgjithshëm për të restauruar ndërtesa dhe objekte, restorante dhe kafene, rrugë dhe hotele, pa folur për ndërtimet e objekteve sportive të garave.

Do të punohej në Akropol, në lagjen Plaka, në sheshet Syntagma dhe Omonia.

Nga ana tjetër, për t’u përfaqësuar sa më denjësisht me sportistët e vet garues, u vu detyrë që të punohej shumë, sidomos me atletikën dhe gjimnastikën, që në atë kohë, në Greqi, nuk ishin aq të zhvilluara krahasuar me sporte të tjera.

Anëtarëve të Komitetit organizator iu vu detyrë që të punonin për gjetjen e mjeteve financiare për të përballuar Olimpiadën, duke u mbështetur në sa më shumë donacione. Komiteti Organizator Olimpik do t’i përcillte edhe një thirrje “të gjithë helenëve, për të kontribuar financiarisht”.

Edhe qeveria greke nuk dha fonde publike për Lojërat, por kaloi në parlament një paketë ligjesh që do të ishin “një ndihmë e madhe financiare për Lojërat”.

Në prill të vitit 1895, sekretari i përgjithshëm Philimon do të shkonte në Egjipt, në Aleksandri, për të takuar kontributorin grek Georgios Averof dhe i dorëzoi atij një letër të Princit të kurorës Costantine, me kërkesën për mbështetje financiare.

Dhe ai do ta pranonte me shumë kënaqësi, duke vënë në dispozicion 600 mijë dhrahmi për rikonstruksionin e stadiumit Panathenaiko. Një shumë të madhe për stadiumin do të vinte edhe filantropi mendjendritur Zappas (Zhapa).

Për ristrukturimin e stadiumit do të caktohej arkitekti i famshëm i shumë ndërtimeve të spikatura, Anastasios Metaxas. Projekti do të ishte i ngjashëm, nga pikëpamja arkitekturore, me Teatrin Antik (Herodion Atticus Theatre).

Në ristrukturimin e stadiumit punuan mbi 600 vetë dhe rreth 300 të tjerë punuan në Pire e në malin e Pentelit (pranë Athinës) për të nxjerrë mermer e gurë për stadiumin. Në atë kohë stadiumi kishte 50 mijë vende për t’u ulur. Madhështor dhe i magjishëm jo vetëm për kohën!

Një numër prej 400 punëtorësh do të punonin, gjithashtu, në Neo Faliron, për ndërtimin e një korsie shumë të gjerë për garat e çiklizmit, sipas një projekti të inxhinierit të njohur Stantinos Vellinis. Ai kishte shkuar në Kopenhagen dhe solli një projekt sipas modelit të korsisë së biçikletave të qytetit.

Në Kalithea, lagje e njohur edhe sot e Athinës, do të punohej për ndërtimin e një ndërtese krejtësisht të re, moderne, nga më të bukurat në Greqi, e projektuar po nga mjeshtri Anastasios Metaxas. Ajo do të shërbente për sportin e qitjes.

Qeveria greke nuk e pati aspak problem anën financiare për ndërtimet e objekteve olimpike dhe të gjithçkaje, më vonë, që do të lidhej me organizimin e Lojërave. Donacione do të vinin, në radhë të parë, nga grekë të pasur jashtë Greqisë, por edhe nga filantropë të vendeve të ndryshme. Dhe thirrja që Princi i kurorës i kishte bërë helenëve për të kontribuuar, do të gjente një mbështetje shumë të madhe. Grekët, e sidomos athinasit, e ndjenin për detyrë dhe mision të kontribuonin për këto Lojëra të para moderne Olimpike në atdheun e tyre.

Nga çfarë kam lexuar, mësohet se e gjithë Athina ishte për kohën, një kantier i madh. Secili në punën dhe vendin e tij donte të kontribuonte që çdo gjë të shkonte sa më mirë. Greqisë i ishte bërë një nder i madh!

Thuhet se dy sheshet më të njohura dhe me histori të lashtë në Athinë, Syntagma dhe Omonia, do të kishin një gjallëri si asnjëherë tjetër. Zbukurimet ishin të shumta. Pak ditë para nisjes së Olimpiadës, në çdo shtëpi do të vendoseshin flamujt grekë.

Një grup i madh skulptorësh kishte punuar për të vendosur nëpër sheshe, në rrugë, në objekte sportive dhe në hotele të njohura, statuja dhe buste të figurave të shquara të historisë greke, që nga antikiteti e deri tek prijësit dhe komandantët e revolucionit grek. E midis tyre dhe të komandantëve të shquar arvanitas që udhëhoqën me heroizëm betejat kundër otomanëve. Do të shihje edhe Kollokotronin, edhe Bubulinën, edhe Boçarin. (Marko Boçari ka një varr të madh, të bukur, me gdhendje mjeshtërore, mes gjelbërimit në Mesolonghi. Me diplomatin Sofokli Vasili dhe me Gramoz Ndroqin, kemi ndaluar në një rast dhe kemi vendosur një buqetë me lule. Ai i ka bërë nder Greqisë, ai ishte një nga prijësit më të shquar të saj.)

Hyrja e stadiumit Olimpik
Hyrja e stadiumit Olimpik

U hartua një program i pasur për festivale, shfaqje teatrore, koncerte dhe për gara atletike me përcjellje stafetash. Dhe mbi këtë përvojë do të niste në Olimpiadat e ardhshme përcjellja e stafetës me flakën e malit të Olimpit, për të shëtitur në mjaft vende dhe për të hyrë triumfuese, nga Greqia, në stadiumin ku do të çelej ceremonia e Olimpiadës. Edhe sot, kudo që të zhvillohet Olimpiada, nga një kënd i botës në një tjetër, pishtari, dorë më dorë, do të nisë nga Greqia, nga Olimpi. Një traditë e mrekullueshme për të respektuar të kaluarën e famshme 2800-vjeçare, të Lojërave të para të antikitetit.

Në gazetat dhe revistat e kohës në Athinë, do të shkruhej vazhdimisht se “… vizitorët e huaj duhet të largohen nga Athina me përshtypjet më të mira, duke i treguar secilit vlerat e larta të mikpritjes dhe dashurisë së popullit grek…”.

Dhe në prag të Olimpiadës, Athina nuk kishte njohur ndonjëherë më shumë vizitorë, turistë nga shumë vende të Europës, por edhe nga SHBA, Kanada dhe Australi. Edhe grekët që jetonin jashtë, do të ktheheshin me dëshirë dhe krenari, për disa ditë në atdhe.

Shkruhet se në Athinë erdhën edhe shumë artistë, shkrimtarë, poetë, piktorë, gazetarë, por edhe personalitete politike e shoqërore.

Agjencitë europiane të turizmit si “Cook” dhe ajo gjermane “Stagger”, në kuadër të Lojërave Olimpike, ndërmorën organizimin e ekskursioneve, jo vetëm në Athinë, por edhe në qytete dhe ishuj të afërm. Dhe turistët, të parë rrallë, do të gëzonin një mikpritje tradicionale të thellë.

Por mbi të gjitha, ato ditë, ishin grekët që do të gëzonin.

Shtypi i Athinës do të shkruante për ato ditë se “burra e gra, të rinj e të reja ishin veshur me rroba kombëtare të mrekullueshme, të bukura si rrallë kund”. Shumica dërrmuese e turistëve do t’i shihnin ato për herë të parë. Shtypi europian do të mbushej me të tilla fotografi. Por, mbi çdo gjë, si për të thënë Greqi, në faqet e shtypit të huaj do të zinte vend Akropoli.

Qytetarët e Athinës, në mënyrë krejt të natyrshme, do të ftonin në shtëpitë e tyre jo vetëm turistë e vizitorë të huaj, por edhe pjesëmarrës e sportistë të Olimpiadës.

Të prononcuar për shtypin e Athinës, vizitorët e huaj, por edhe atletët pjesëmarrës do të shpreheshin se “një mikpritje të tillë nuk e kishin njohur më parë”.

Athinasit që në atë vit, 1896, numëronin afro 160 mijë banorë, kishin hapur portat dhe zemrat. Ishin krenarë për të kaluarën olimpike dhe të lumturuar, gati në dëlir, se përsëri ishin ata olimpistët e parë të kohës moderne. Në qytet kishte disa orkestra muzikore, edhe nga qytete të tjera të Greqisë.

Për Lojërat e para Olimpike të 1896, midis shumë e shumë të tjerëve, do të mbahet mend fotografi i njohur gjerman Albert Mayer, me disa albume që do të publikonte edhe nga Athina, edhe nga objektet sportive, nga lagja Plaka, nga Marathona, por edhe nga monumentet, bustet e përmendoret e shumta që ishin ngritur në Athinë. Ai do të bëhej më i famshmi në pasqyrimin e garave, të kampionëve olimpikë me kurorë ulliri apo dafine.

Por, gjithashtu botimet e Back, të Harrollambos Anninos, me disa albume i kanë dhënë kujtdo një tablo të plotë, të rrallë, tërë pasion të Olimpiadës, të garave, të finisheve, të podiumeve të fituesve, por edhe të Athinës, të shesheve, rrugëve, tavernave, uzorive, të poetëve e shkrimtarëve të njohur të kohës, të bamirësve e donatorëve fisnikë, të shtëpive të lyera bardhë e blu, të ballkoneve plot lule. (Nuk besoj, me aq sa kam parë në jo pak vende që kam qenë, se i mban kush më mirë, me plot lule të bukura ballkonet, si i mbajnë grekët, në qytet, në fshat dhe në ishuj. Çdo ishull, fare mirë mund të quhet “ishull lulesh”!)

Parakalimi i atletëve fitues të olimpiadës
Parakalimi i atletëve fitues të olimpiadës

Olimpiada do të niste më 25 mars 1896.

Para fillimit të ceremonisë së çeljes, Princi i kurorës Kostantine, do të zbulonte statujën e madhe të Georgios Averof, financuesit më të madh të Lojërave Olimpike. Statuja ishte punuar nga skulptori i mirënjohur Georgios Vroutos.

Në stadium do të kishte rreth 70 mijë spektatorë, 20 mijë do të qëndronin në këmbë, në shkallët e larta të tij. Gjysma e Athinës ishte në stadium. Një festë e madhe, për të madh e të vogël. Dukej sikur vetëm ata, grekët, duhet të organizonin Olimpiadë, sikur vetëm ata e kishin në kujtesë Olimpiadën e antikitetit, 2800 vjet më parë(!)

Për kohën kishte një numër të madh gazetarësh dhe fotografësh. (Pas Olimpiadës, Princi i kurorës do të nderonte me një medalje të lartë të nderit fotografin gjerman Mayer, por edhe të tjerë. Fotografi i shquar gjerman do të publikonte edhe një album të veçantë me foto të Fshatit Olimpik. Fotografi Mayer ka një fotografi që grekët e kanë ribotuar dhe publikuar kudo: gara e mundjes midis gjermanit Schumann dhe grekut Giorgios Tsitas, gjermani me pantallona të gjata e fanellë të gjatë, ndërsa sportisti grek me pantallona e fanellë të shkurtër).

Sportistët ishin vendosur në “Zappeion Megaron” që ishte ndërtuar nga fisniku i Labovës së Zhapës, filantropi labovit me famë, Vangjel Zhapa (Evangelis Zappas). Edhe sot, kjo godinë, në qendër të Athinës, pranë Parlamentit e sheshit Sintagma, është ndër më të bukurat, më hijerëndat dhe e njohur nga çdo qytetar i Athinës.

Stadiumi ishte përditë i mbushur dhe shkruhet se Lojërat Olimpike i kanë ndjekur mbi 550 mijë vetë. Garat e atletikës, gjimnastikës, mundjes dhe përfundimi i garës së maratonës, si dhe ceremonia e hapjes dhe mbylljes së Lojërave Olimpike do të zhvilloheshin në këtë stadium.

Stadiumi është ndërtuar me gurë të bardhë, të njëjtë me ato me të cilët është ndërtuar Panthenoni. Ky stadium do të bëhej edhe pritës i Garave Ballkanike në vitin 1929. Por stadiumi do të mbahej mend gjatë edhe për diçka tjetër, të rrallë deri atëherë: 60 mijë spektatorë do të ndiqnin në vitin 1968 ndeshjen e basketbollit për titullin kampion të Europës ndërmjet skuadrës greke të AEK dhe asaj të Çekosllovakisë, Slavia e Pragës. Kampion i bujshëm do të shpallej AEK. Ky numër spektatorësh në një ndeshje basketbolli në atë stadium të Olimpiadës së parë nuk është arritur më asnjëherë.

(Edhe sot zhvillohen olimpiada, çdo 4 vite, në njërin apo në tjetrin vend, në njërin apo në tjetrin kontinent. Dhe ato janë festa të bukura, të mrekullueshme. Por asnjëra nuk e zëvendëson Athina 1896. Medaljet dhe spektakli sportiv, gara sportive është kudo. Por olimpiada e parë, ajo e Athinës, kishte më shumë se kudo, pas saj e deri më sot, shpirt olimpik, botë olimpike të pastër. Edhe Olimpi, edhe Zeusi, edhe zotat ishin aty, jo larg Athinës, por edhe në Athinë. Dhe flaka ishte më e fuqishme, sepse edhe Maja e Olimpit ishte më pranë se në asnjë vend tjetër.)

Flaka olimpike nga Olimpi antik përcillte mesazh paqeje dhe lirie, solidariteti, vëllazërimi, në atë mars të viti 1896. Por sigurisht, aty do të niste, për herë të parë në botë, edhe “fair play” (En Eganiz Esthai) për të gjithë, për sportistë e për qytetarë. Flaka e parë olimpike ishte një mesazh i madh, një apel, një impakt, ishte demokraci dhe respekt për dinjitetin njerëzor.

Përcjellja e Flakës Olimpike lidhet përherë, në mënyrë të pandarë, me antikitetin grek. 3000 – 4000 vetë do të përcillnin stafetën e Flakës Olimpike. Vrapuesi i parë, më i njohuri, në Lojërat Olimpike moderne ishte atleti i ri Kostandinos Kandylis. Emrin e tij e njeh çdo grek.

Thuhet se Mbreti i Greqisë, George, entuziast për zhvillimin e mrekullueshëm të Lojërave, do të propozonte që “Greqia të ishte përherë vendi i tyre”. Sigurisht, kjo do të ishte e papranueshme.

Pas Lojërave Olimpike të vitit 1900 e 1904 në Paris dhe St.Louis që në historinë e Lojërave Olimpike do të përshkruhen si të varfra, u vendos që, për nder të 10-vjetorit të Lojërave Olimpike të Athinës, në vitin 1906, të zhvillohej në Athinë një “mini-olimpiadë”, por kësaj here me 900 atletë, nga 20 vende.

Në Olimpiadën e Athinës do të zhvilloheshin gara sportive në 10 gara të ndryshme: gjimnastikë, mundje, peshëngritje, qitje, vrapim, çiklizëm, vozitje, kërcim së gjati, gjyle, hedhje disku dhe (në vrapim – maratona). Merrnin pjesë mbi 300 atletë dhe gjysma ishin grekë. Të 10 disiplinat sportive do të kishin 43 gara gjithsej. Disa nga këto gara vinin që nga Olimpiada e antikitetit. Maratona ishte gara më e vjetër në histori. Në vitin 490 grekët kishin mundur në betejë (kam folur më lart) persët dhe lajmëtari i famshëm do të binte përdhe, vetëm pasi mbërriti, për të dhënë lajmin e fitores. Spiro Louis, fituesi i ardhshëm i maratonës, ishte një shitës nga Marousi, një lagje nga më të bukurat e Athinës. Louis njihet nga grekët jo vetëm si një legjendë olimpike, por edhe si një hero kombëtar.

Do të shënoj se grekët organizuan disa muaj para Olimpiadës një “Test Games”, me pjesëmarrjen e atletëve nga Athina, por edhe nga qytete të tjera të vendit, për të bërë seleksionimin e atletëve pjesëmarrës në Olimpiadë. Në çdo garë do të përzgjidheshin 20 – 30 atletë, me përjashtim të vrapimeve, hedhjes së gjyles, diskut e maratonës, ku kishte më shumë pjesëmarrës.

Himni olimpik për Lojërat e para moderne është kompozuar nga kompozitori i njohur i kohës Spyridon Samaras dhe vargjet janë shkruar nga poeti i madh Kostis Palamas.

Është shumë e rëndësishme të vihet në dukje se, në vitin 1958, pra pas 62 vitesh, “Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të vendoste që ky himn të mbetet himni zyrtar për Lojërat Olimpike”.

Ndezja e flakës olimpike në Olimpiadën e Athinës në vitin 2004
Ndezja e flakës olimpike në Olimpiadën e Athinës në vitin 2004

Teksti i Himnit olimpik, i poetit të famshëm Palamas, është:

Shpirt antik i përjetshëm, babë perëndi,

madhështorit, të bukurit dhe të vërtetit, zbrit!

Duku dhe rrufe shkëlqe këtu tani,

Në tokën tënde me lavdi, në qiell të vetit.

Në maratonë, në mundje dhe në gurë,

në garat e fisnikëve, shkëlqe furi,

me degë ulliri kurorëzo kokat me nur

dhe hekur bëje trupin në çdo të ri, ti!

Male, fusha dhe dete,

Me ty çdo gjë ndrin

si një tempull madhështor i bardhë profirik,

dhe vrapon në tempull këtu si në pelegrin

bashkë me çdo popull edhe vetë shpirti antik!

Himni ishte shkruar në vitin 1895.

Në Lojërat e para Olimpike do të vendoseshin flamujt e shteteve pjesëmarrëse. Në atë vit nuk kishte lindur ende ideja e flamurit olimpik. Kjo do të realizohej pas 24 vitesh, pra në vitin 1920. Flamuri olimpik me pesë rrathët e njohur, do të shprehte me rrethin blu – Europën; me rrethin e zi – Afrikën; me rrethin e kuq – Amerikën; me rrethin e verdhë – Azinë dhe me rrethin e gjelbër – Australinë. Pra secili rreth përfaqëson një kontinent, por të lidhur njëri me tjetrin. Tre rrathë janë në pjesën e sipërme dhe dy rrathë në pjesën e poshtme./Gazeta Panorama

Lexoni pjesën e parë këtu: “Ndaluan të gjitha luftërat”- Historia e Lojërave të para moderne të Athinës, dokumentet arkivore tregojnë kur u shkrua himni! Vitet 760 deri 490, kur mori rrugë Olimpiada e parë e më pas…

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura