Nishani: U nisa të votoja Artan Hoxhën, u bëra vetë President

Jun 13, 2012 | 14:28

Nishani dje gjatë intervistës në “Opinion”

Kreu i ri i shtetit, Bujar Nishani flet pas votimit: E vërteta për sëmundjen.

“Mora urime nga deputetët e PS, do bashkëpunoj me opozitën”

Presidenti i ri i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka dalë dje për herë të parë para mediave që pas votimit në Parlament me 73 vota në favor të tij.
Në përfundim të ceremonisë së largimit nga detyra e ministrit të Brendshëm ai iu përgjigj interesimit të gazetarëve sa u përket marrëdhënieve me opozitën dhe detyrën e re. Nishani tha se bashkëpunimi me pakicën do të jetë një nga prioritetet e tij në krye të shtetit, teksa shtoi se do t’i pëlqente që të merrte edhe votat e PS-së në Parlament. I pyetur për akuzat e PS mbi shëndetin e tij nga Blendi Fevziu mbrëmë në “Opninion”, në Tv Klan, Nishani sqaroi se ka pasur një problem me enët e gjakut para tri vitesh. “Kam bërë një ndërhyrje në një nga klinikat më të specializuara të Europës dhe shëndeti im ka ardhur në përmirësim të ndjeshëm. Arrij normalisht të kryej të gjitha detyrat e mia. Si ministër i Brendshëm, në raste të emergjencave më është dashur të punoj më bashkëpunëtorët e mi deri në orët e vona të mëngjesit. E thashë që e vetmja pengesë që kam, është që nuk mund të vrapoj”, shpjegoi Presidenti i zgjedhur.
A ju vjen keq që nuk ju votoi dhe opozita dje në Kuvend?
Natyrisht që do të më pëlqente shumë të merrja dhe votat e opozitës, por opozita ka ushtruar të gjithë të drejtën e sovranitetit të saj. Ajo që është e rëndësishme për mua, ka të bëjë me faktin e respektit maksimal që unë i ofroj opozitës shqiptare, ashtu si të gjitha institucioneve dhe aktorëve të rëndësishëm të jetës politike dhe publike në Shqipëri.
Cili është vendimi i parë që do të merrni në detyrën si President?
Kjo mbetet për t’u përcaktuar nga axhenda që do të bëj së bashku me stafin tim dhe me axhendën që ka Presidenca e Republikës.
A do t’i bëni thirrje opozitës për bashkëpunim?
Pa dyshim. Ai është dhe do të mbetet prioriteti maksimal nga dita e parë deri në ditën e fundit të administratës sime.
Përmendët bilance pozitive në Ministrinë e Brendshme. Po ndonjë peng?
Askush nuk është pa pengje, por unë besoj që këto nuk kanë qenë të rëndësishme. Më të rëndësishme kanë qenë vetë përpjekjet e bëra për të arritur këto rezultate.
Në pritje të marrjes së detyrës suaj, a do të keni paraprakisht një komunikim zyrtar me Partinë Socialiste?
Unë besoj që nuk ka nevojë për procedura të tilla, për takime zyrtare para se të marr detyrën. Partia Socialiste është forca e dytë në Parlament, deputetët e saj janë në Parlament dhe kontakti me ta është dhe do të jetë në Parlament, në momentin e betimit në Parlament dhe më pas, pa dyshim që kontaktet e mia do të jenë normale.
Duke pasur parasysh se ju u votuat në unison nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, por edhe nga të gjithë aleatët në qeverisje, duke pasur parasysh edhe se si shkoi raundi i katërt, dorëheqja e kandidatit të mëparshëm, kandidimi juaj, a ishte surprizë për ju?
Në radhë të parë më lejoni që ta shfrytëzoj këtë dalje të parë përpara jush me një falënderim të veçantë për gazetarët e median që e kanë ndjekur dhe e kanë respektuar këtë proces në mënyrë perfekte. Edhe unë personalisht, ashtu si të gjithë deputetët, ju jam mirënjohës për punën shumë të madhe që keni bërë për t’i ofruar informacionin e nevojshëm publikut, i cili ishte shumë i interesuar për këtë proces. Së dyti, adresoj të gjitha konsideratat e mia për të gjithë kandidatët që u përfshinë në procesin e gjatë për Presidentin e Republikës… Përsa u takon surprizave, natyrisht, surprizat janë gjithmonë të bukura. E vërteta është që ne shkuam për të votuar kandidaturën e z. Artan Hoxha. Më pas vendimi politik u bë i ditur para se të bëhej publik, vendim të cilin e mirëprita me kënaqësi nga kryetarët e partive të koalicionit.
A keni marrë urime edhe nga deputetët e opozitës?
Kam marrë…, kam marrë, dhe jo pak…
Deri sa do të qëndroni në detyrën e ministrit të Brendshëm?
Unë që ditën e djeshme përpara votimit në Parlament kam depozituar pranë Kryeministrit kërkesën për dorëheqje. Sot, siç e shihni, unë bëra shkëputjen me stafin për të krijuar një ambient më relaksues në aspektin joformal. Formalisht kjo do të pasohet me dekretin e Presidentit të Republikës për lirimin tim nga detyra, pasi kjo t’i kërkohet nga ana e Kryeministrit, bazuar në kërkesën që unë kam depozituar dje.

Nishani përshëndetet me stafin, zyrë për 6 javë në Pallatin e Kongreseve
Kreu i ri i shtetit zhvillon takimin e fundit në Ministri

Nishani dje me stafin

Presidenti i zgjedhur, Bujar Nishani, është përshëndetur dje në orën 13:00 me stafin e Ministrisë së Brendshme, të cilin e ka drejtuar deri dy ditë më parë. Në një takim të posaçëm me stafin dhe bashkëpunëtorët e Ministrisë së Brendshme, Nishani shprehu falënderime dhe mirënjohje. Në takim kanë qenë të pranishëm tre zëvendësministrat, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, zyrtarë të tjerë si dhe stafi i Ministrisë. “Kam ardhur t’ju them një faleminderit të madhe për gjithë bashkëpunimin që më keni ofruar, për gjithë përkushtimin që më keni treguar, për pozicionet që keni mbajtur për nivelin e lartë të profesionalizimit që keni treguar në të gjithë sektorët që mbuloni dhe një falënderim për kontributin në Ministri për këtë vend, për këtë qeveri”, u shpreh Nishani. Ai tha se ka qenë i privilegjuar që ka punuar me stafin e Ministrisë së Brendshme në një kohë jo të paktë. “Jemi krenarë për shumëçka jemi përpjekur, çka kemi bërë, për çka kemi kontribuuar. Dëshiroj që në mënyrë të veçantë të shpreh vlerësim për atë që dhe qytetarët e këtij vendi na kanë dhënë vlerësime: të mos harrojmë se administrata, strukturat e saj kanë qenë pjesë e infrastrukturës zgjedhore në zgjedhjet e 2009-s e 2011-s. Me vullnetin dhe gatishmërinë sollët risi të rëndësishme në infrastrukturën zgjedhore, duke filluar nga regjistri elektronik që u bë për herë të parë valid, procesi i nisur dhe i konkluduar nga ju si staf i letërnjoftimeve elektronike apo pasaportave dixhitale, çka kontribuoi dhe në luftën kundër korrupsionit e trafiqeve, që u shoqërua me lëvizjen e lirë”, tha Nishani. Zyrtarët dhe stafi i Ministrisë janë përshëndetur më pas me drejtuesin e deri dy ditëve më parë, të cilit i uruan suksese në funksionin e Presidentit të Republikës. Burime zyrtare bëjnë të ditur për gazetën se kreu i ri i shtetit do të qëndrojë deri më 24 korrik në një zyrë në Pallatin e Kongreseve, fare pranë godinës së Presidentit, ku do të kalojë pesë vitet e ardhshme. Ngjitur me sallën ku zakonisht bëhen mbledhjet e KRRT-së, ndodhet një ambient i vogël, me një tavolinë pune dhe një kënd të përbërë nga gjashtë kolltukë dhe një tryezë mesi. Zyra ku do të qëndrojë kreu i shtetit në pritje të marrës zyrtarisht të detyrës ka pamje nga hotel “Rogner”. Në këtë zyrë ai do të njihet me dosjet e punës së Presidentit, si dhe do të formojë stafin e ngushtë me të cilin do të punojë vitet në vazhdim.

Fyle: Vështirë të shohësh sinjale pozitive për statusin
Zgjedhja e Presidentit vetëm me votat e maxhorancës është vëzhguar me vëmendje nga zyrtarët e Brukselit. Peter Stano, zëdhënësi i Komisionerit të Zgjerimit Stefan Fyle, deklaroi dje për “TCH”, se për momentin nuk ka sinjale pozitive nëse Shqipëria do ta fitojë apo jo statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian këtë vit. “Ne vërejtëm zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe mund të përsëris se e kemi ndjekur gjithë këtë proces në mënyrë të tërësishme dhe nga shumë pranë. Dhe ne vijojmë të ndjekim nga shumë pranë situatën e përgjithshme politike në Shqipëri. Siç e dini, vlerësimi ynë bëhet në vjeshtë, në muajin tetor. Por, unë mund t’ju them se në këtë moment është e vështirë të shohësh sinjale pozitive dhe momente pozitive që do ta çonin vendin, udhëheqësit politikë dhe popullin më pranë hapit tjetër, në procesin e integrimit”, deklaroi dje Peter Stano.

Kukan: Procesi ishte shans i humbur
Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Shqipërinë, Eduard Kukan, deklaroi dje se klasa politike humbi mundësinë për të bashkëpunuar për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. “Zgjedhja e Presidentit ishte një shans për gjithë forcat politike në Shqipëri për të bashkëpunuar. Por për fat të keq, procesi ishte një shans tjetër i humbur”, deklaroi për “VOA” eurodeputeti. Duke përshëndetur zgjedhjen e kreut të ri të shtetit Bujar Nishani, Kukan shpreson që Presidenti i ri do të jetë në gjendje të bashkojë dhe të përfaqësojë në mënyrë të pavarur gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe t’u shërbejë interesave të tyre.

Gaiani
Ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, nëpërmjet një bisede telefonike, i përcolli Presidentit Nishani urimin me rastin e zgjedhjes në detyrën e Presidentit të Republikës. Z. Gaiani vlerësoi rolin e deritanishëm të Nishanit në cilësinë e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Drejtësisë për forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin e frytshëm me Ambasadën dhe qeverinë italiane, e ndërkohë shprehu dëshirën që ky nivel bashkëpunimi të vijojë edhe me institucionin e Presidentit të Republikës.

© Panorama.al

Te lidhura