Nishani pa para, Qeveria jep 13 milionë lekë për shpenzime

Aug 30, 2012 | 11:16

Presidenti Bujar Nishani

Qeveria miratoi një buxhet shtesë për kreun e shtetit deri në fund të vitit.

“Preket fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2012”

Qeveria i akordoi Presidencës një fond prej 13 milionë lekësh të rinj për shpenzime korrente. Vendimi u mor dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, duke treguar në këtë mënyrë se financat e Presidentit deri në fund të vitit janë të pamjaftueshme për të zhvilluar aktivitetin e tij normal. Shtesa e fondit erdhi një muaj pasi kreu i ri i shtetit, Bujar Nishani, ngjiti shkallët e Presidencës. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45 të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 13, të ligjit nr.10 487, datë 5.12.2011, “Për buxhetin e vitit 2012”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Presidencës, në buxhetin e miratuar për vitin 2012, t’i shtohet fondi prej 13 000 000 (trembëdhjetë milionë) lekësh, për shpenzime korrente; 2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2012; 3. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e marrë nga Këshilli i Ministrave dje në mesditë. Me këtë vendim, në heshtje qeveria vë në shënjestër ish-presidentin Topi për harxhime të fondit të parashikuar nga buxheti i shtetit për vitin 2012 që në muajin korrik. Duket se axhenda e ngjeshur e ish presidentit Topi në muajt e fundit, kur ai zhvilloi disa udhëtime jashtë shtetit, por dhe brenda vendit në zona të ndryshme të tij, kanë çuar në fund arkën e presidencës në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti.

Nishani, vizitë zyrtare në Kosovë
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, së bashku me zonjën e parë, Odeta Nishani dhe në krye të delegacionit shqiptar u nis dje për një vizitë zyrtare treditore në Kosovë, me ftesë të Presidentes kosovare, Atifete Jahjaga. Presidenti do të kryesojë një delegacion të gjerë zyrtar, në përbërje të së cilit do të jenë dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, ministri i Brendshëm, Flamur Noka, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi, deputeti Fatos Hoxha dhe presidenti i Unionit të Dhomave të Tregtisë, Ilir Zhilla. Disa nga veprimtaritë që spikasin në axhendën e ngjeshur të vizitës së kreut të shtetit shqiptar në Kosovë do të jenë: takimi me Presidenten Atifete Jahjaga, takimi me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, si dhe takimi me Kryeministrin Hashim Thaçi. Kreu i shtetit do të vizitojë dhe familjen martire të Haradinajve në Gllogjan, si dhe do të ndalet për të vizituar muzeun e Lidhjes historike të Prizrenit, Kishën katolike të Binçës, Manastirin e Deçanit dhe Xhaminë e Sinan Pashës. Presidenti shqiptar do të zhvillojë takime dhe me zëvendëskryeministrin dhe kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli, Isa Mustafën, Albin Kurtin, zv.kryetarin e AAK-së, Blerim Shala, si dhe zv.kryeministrin, Sllobodan Petroviç.

© Panorama.al

Te lidhura