
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani njoftoi për të gjitha operacionet e ndërmarra ditën e sotme për të hapur rrugët, si dhe transportimin e rasteve të emergjencës shëndetësore nga zonat problematike nga reshjet e dëborës.
Ai vuri theksin tek rrugët nacionale, që sipas tij, tashmë janë të hapura të gjitha, si dhe tek operacionet e ushtrisë me helikopterë për të transportuar të sëmurë dhe gra shtatzëna nga zonat e bllokuara.
Në qarkun e Shkodrës është bërë hapja e të gjitha akseve nacionale, Shkodër- Pukë, Pukë- Fushë Arrëz, si dhe është përqëndruar puna në hapjen e qendrave të komunave.
Lidhur me operacionet në ndihmë të shëndetit, Nishani tha se “sot është bërë e mundur pas disa tentativash nga helikopterët e ushtrisë, ndërhyrja dhe shpëtimi i jetës së një të sëmuri nga Temali dhe transportimi i tij drejt spitalit rajonal. Ka patur dy misione të tjera për dërgimin e ushqimeve në zonat më të thella të këtij qarku.
Në qarkun Kukës është punuar gjatë gjithë ditës, dhe që nga pasditja rruga e kombit është e tërësisht e kalueshme. Shën Mëri- Qafë Mali, është hapur deri në Qafë Shllak. Vijon puna për pjesën tjetër. Në segmentin Kukës- Domje- Bushtricë, është hapur deri në Gjonaj, vijon puna në drejtim të Peshkopisë. Segmenti, Kukës- Krumë- Qafë Prush, i kalueshëm me zinxhirë. Janë hapur qendrat e disa komunave në Has dhe Kukës. Puna vazhdon në këto momente me rrugët që lidhin fshatrat me qendrat e komunave.
Në Tropojë janë hapur akset rajonale, Qafë Morinë,- Bajram Curr dhe Bajram Curr- Fierzë. Janë hapur edhe rrugët e disa komuna.
Sa i përket shërbimit shëndetësor janë realizuar disa ndëhryje, ku për tu veçuar është shpëtimi i një gruaje shtatzënë nga Arrni i Kukësit. Është shpëtuar jeta e një pacienti nga fshati Topojan, dhe një tjetër nga komuna Mal Zi
Qarku i Dibrës, të gjitha akset janë të hapura dhe të kalueshme. Është bërë e mundur që sot të hapen disa akse rrugore.
Në rrethin e Bulqizës janë të bllokuara vetëm Ostreni dhe Trebishti . Tiranë- Bulqizë,- Peshkopi funksionon.
Ka pasur disa operacione shpëtimi, është shpëtuar një fëmijë si dhe një grua shtatzanë nga komuna të thella. Nga Vakufi i komunës Kastriot është shpëtuar jeta e një gruaje. Raste të tjera shpetimi jete janë një pacient nga Sllova dhe një grua shtazënë nga Muhurri.
Në qarkun e Korçës qendrat janë të hapura të gjitha. Puna vazhdon për të lidhur fshatrat me qendrat e komunave.
Mbetet vetëm 1.5 km rrugë pa u hapur drejt komunës Lekas. Deri në orën 21:00 do të bëhet hapja. Po punohet dhe në aksin Boboshticë- Dardhë.
© Panorama.al










