Nishani në familjen Jashari: Momenti më emocional i vizitës

Sep 1, 2012 | 10:56
Nishani dhe Petroviç

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani, përkujtoi dhe nderoi dje veprën heroike dhe sakrificën sublime të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjarëve të tij, duke vizituar Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz, ku u prit nga vëllai i të ndjerit dhe anëtarë të tjerë të familjes. Në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz u vendos një kurorë me lule në emër të kryetarit të shtetit shqiptar.
Në shenjë nderimi dhe respekti të thellë për Komandantin legjendar Adem Jashari, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u shpreh: “Kjo është pjesa më emocionale e vizitës. Është momenti kur ne shohim se si sakrificat e mëdha sublime që u bënë nga Komandanti Adem Jashari, nga të gjithë luftëtarët që ranë për liri, sot janë kthyer në një realitet, i cili na motivon për të ecur të gjithë përpara, për të parë nga e ardhmja dhe nga zhvillimi.” Po dje, Presidenti Nishani zhvilloi një takim edhe me zëvendëskryeministrin e Kosovës dhe ministrin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviç. Biseda midis Presidentit të Republikës dhe zëvendëskryeministrit të Kosovës u përqendrua në zhvillimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Presidenti Nishani dhe Petroviç vunë në dukje angazhimin e plotë të Shqipërisë dhe Kosovës për ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të një niveli të lartë marrëdhëniesh, prioritet ky i bazuar mbi parimet e standardet, jo vetëm të fqinjësisë së mirë, por edhe ato të integrimit europian. “Sot pata rastin të takohem me përfaqësues të partive të ndryshme politike në Kosovë. Takime të cilat i shfrytëzova për të vlerësuar të gjitha arritjet në Kosovë gjatë kohëve të fundit. Arritje, të cilat kanë kulmuar me vendimin më të fundit për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë. Janë kontribute të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Janë kontribute të institucioneve, por janë kontribute edhe të përfaqësuesve të partive politike”, u shpreh Nishani.

Takimet me politikanët
Kreu i shtetit shqiptar zhvilloi dje takime të veçanta pune me zëvendëskryetarin e AAK-së, Blerim Shala, si dhe me drejtuesin e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, i cili është njëkohësisht kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Kuvendit të Kosovës. Shala dhe përfaqësuesit e AAK-së çmuan lart vizitën e suksesshme të Presidentit Nishani në Kosovë, sidomos fjalën e mbajtur dje nga kreu i shtetit shqiptar në Kuvendin e Kosovës, si dhe mesazhet e rëndësishme që u evidentuan në të.

© Panorama.al

Te lidhura