
Presidenti Bujar Nishani, gjatë vizitës në Bruksel vijoi dje me një takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Belgjikë. Gjatë një bisede të ngrohtë me ta, të mbajtur në mjediset e “Universitetit të Lirë të Brukselit”, Presidenti Nishani i përgëzoi për kontributin që ata japin në të mirë të imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe informoi për përpjekjet e Shqipërisë për të rritur kujdesin dhe bashkëpunimin me diasporën shqiptare. Presidenti Nishani zhvilloi gjithashtu një takim me ekipet e tri përfaqësive diplomatike në Bruksel, të cilëve u kërkoi të bëhen promovues të arritjeve të Shqipërisë dhe të punojnë për të ndryshuar perceptimin që ekziston jashtë Shqipërisë për vendin tonë. Në fund të vizitës së tij në Bruksel, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani, morën pjesë në darkën e shtruar për nder të tyre në mjediset e fondacionit “Kondrad Adenauer”. Duke iu drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve ndodhej edhe eurodeputetja gjermane Doris Pak, kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, Eduard Kukan dhe europarlamentarë të tjerë, Presidenti Nishani vuri në dukje arritjet e Shqipërisë dhe sfidat që qëndrojnë përpara në rrugën e integrimit europian, dhe konkretisht për të fituar statusin e vendit kandidat. Presidenti Nishani bëri një ekspoze të detajuar të politikës shqiptare në rajon, bazuar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe në bashkëpunimin dy dhe shumëpalësh, për të lënë pas të shkuarën dhe me vështrim nga e ardhmja euroatlantike e rajonit.











