Nishani: Leximi me pajisje i kartave mund të realizohet

Feb 10, 2012 | 12:05

Ministri i Brendshëm i përgjigjet Parlamentit.

“Por nuk mund të përcaktojmë as kohën dhe as koston e këtij shërbimi”

Ministri i Brendshëm iu përgjigj, përmes një shkrese, 19 pyetjeve të drejtuara nga Komisioni i Reformës Zgjedhore lidhur me sigurinë e kartave biometrike. Sipas ministrit, në duart e qytetarëve shqiptarë janë 2 837 000 karta identiteti biometrike, ndërsa deri në fund të janarit 2012 kanë aplikuar gjithsej 2 962 000 qytetarë. Qëllimi i pyetjeve të bëra nga anëtarët e Komisioni të posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore ishte marrja e garancisë për identifikimin e zgjedhësve përmes kartës biometrike dhe gjurmës së gishtave, për t’i hapur rrugën, nëse do të gjendet konsensus, një votimi elektronik të zgjedhësve, ose identifikimit të tyre në momentin e votimit. “Identifikimi i një personi me letërnjoftimin elektronik nëpërmjet krahasimit me gjurmët e gishtave, është i vetëm dhe kjo garantohet nga teknologjia biometrike e përdorur. Letërnjoftimi elektronik është në përputhje me standardin ndërkombëtar ISO 7816 dhe teknologjinë Java Card 2.1.1.”, shkruan ministri Nishani në përgjigjet e tij. Sipas ministrit, “mënyra e leximit të letërnjoftimit elektronik, formatet elektronike që duhen përdorur për të lexuar apo interpretuar atë janë të përcaktuara në këtë standard dhe varen nga zgjidhja teknike dhe infrastruktura përkatëse e institucionit shtetëror/privat të interesuar”. Ministri jep garancitë e elementeve të sigurisë që ka karta biometrike.
“Në letërnjoftim ruhen 2 nga 10 gjurmët e gishtave të marra gjatë regjistrimit”, thuhet në përgjigjet e ministrit. Kreu i Ministrisë së Brendshme jep garancitë se përmes kartës biometrike dhe gjurmës së gishtit mund të verifikohet online identiteti i vërtetë i mbajtësit të saj. “Koha e krahasimit të gjurmës së gishtit të shtetasit me letërnjoftimin, krahasim 1×1 është e shkurtër dhe varet dhe nga teknologjia e përdorur për leximin e të dhënave”, thuhet në letrën e Nishanit.

Përgjigjet e dhëna nga Nishani për kartat e identitetit
Sa është numri total i personave që janë të  pajisur me letërnjoftim elektronik?

Ministri: Numri total i aplikimeve deri më 27 janar 2012 është 2 962 000. Numri total i letërnjoftimeve elektronike të dërguara në zyra deri më 27 janar 2012 është 2 945 000.
Numri i letërnjoftimeve elektronike të tërhequra nga qytetarët deri më 27 janar 2012 është 2 837 000.
A është i mundur identifikimi në mënyrë të vetme i një personi nëpërmjet letërnjoftimit elektronik (ID Card) dhe gjurmës së gishtit të tij? Çfarë formatesh elektronike duhen përdorur për ta lexuar apo interpretuar këtë informacion?
Identifikimi i një personi me letërnjoftimin elektronik nëpërmjet krahasimit me gjurmët e gishtave, është i vetëm dhe kjo garantohet nga teknologjia biometrike e përdorur. Letërnjoftimi elektronik është në përputhje me standardin ndërkombëtar ISO 7816 dhe teknologjinë Java Card 2.1.1. Mënyra e leximit të letërnjoftimit elektronik, formatet elektronike që duhen përdorur për të lexuar apo interpretuar atë janë të përcaktuara në këtë standard dhe varen nga zgjidhja teknike dhe infrastruktura përkatëse e institucionit shtetëror/privat të interesuar.
Sa është koha e nevojshme dhe kostoja për të realizuar këtë shërbim?
Leximi i letërnjoftimit elektronik mund të realizohet me pajisje të teknologjive të ndryshme. Ne si institucion nuk mund të përcaktojmë as kohën dhe as koston e këtij shërbimi, pasi kjo varet nga kërkesa dhe infrastruktura e institucionit shtetëror/privat të interesuar.
A ekziston shenja e gishtit si imazh?
Po, në letërnjoftim ruhen 2 nga 10 gjurmët e gishtave të marra gjatë regjistrimit.
Cili është diapazoni kohor i procesimit për krahasimin e gjurmës së gishtit të marrë nga pajisja me atë që ndodhet në database, për një letërnjoftim të caktuar?
Regjistrimi i shtetasve për dokumente identiteti (letërnjoftim elektronik dhe pasaportë biometrike) bëhet online dhe komunikimi është njëdrejtimësh. Si i tillë, të dhënat e regjistrimit, ku përfshihen dhe gjurmët e gishtave, transmetohen të enkriptuara online në bazën e të dhënave përkatëse (AFIS), ku bëhet dhe krahasimi 1/N para prodhimit të dokumentit. Koha e këtij krahasimi është e shkurtër (krahasim automatik) dhe varet nga shumë faktorë teknikë, si shpejtësia e transmetimit të të dhënave, disponibiliteti i serverit, numri i kërkesave që po përpunon serverit në momentin e caktuar. Koha e krahasimit të gjurmës së gishtit të shtetasit me letërnjoftimin, krahasim 1×1 është e shkurtër dhe varet dhe nga teknologjia e përdorur për leximin e të dhënave.
A ka persona të pajisur me letërnjoftim për të cilët nuk është regjistruar gjurma e gishtit?
Po, ka persona për të cilët regjistrimi i gjurmëve të gishtave është bërë jo i plotë (jo 10 gjurmë e gishtave) ose nuk janë regjistruar asnjë. Regjistrimi i tillë është bërë për ata shtetas që kanë mungesë fizike të pjesshme të gishtave (mungojnë gjurmët e gishtave të prerë) ose të plotë të gishtave (mungojnë të gjitha gjurmët e gishtave të prerë) si dhe kanë dëmtim të gishtave (si djegie, sëmundje lëkure etj.).
Cilat janë të dhënat personale të mbajtësit të dokumentit, të cilat figurojnë edhe në forme elektronike?
Të dhënat elektronike të mbajtësit (shtetas shqiptar) të dokumentit, të cilat janë edhe në formë elektronike në letërnjoftim janë: numri personal, emri, mbiemri, gjinia, datëlindja, vendlindja, fotografia, firma elektronike, gjurmët e gishtave.
Lidhur me aplikimin Match on Card, mundet të kemi një përshkrim te detajuar se si funksionon realisht?
Ky aplikim përdoret në rastin e identifikimit me gjurmë gishti nëpërmjet krahasimit 1×1 të shtetasit me gjurmët e gishtave të ruajtura në letërnjoftim. Kjo realizohet nëpërmjet modulit përkatës të software-it të identifikimit: Biometric MOC (Match-on-card). Shpjegimi teknik i funksionimit të aplikimit përfshin 4 hapat e mëposhtëm:
1.    Kur vendosim gishtin në lexues, imazhi kapet nga lexuesi.
2.    Pikat karakteristike merren nga imazhi i gjurmës nga lexuesi.
3.    Ato konvertohen në formatin e kërkuar ISO dhe dërgohen në letërnjoftim.
4.    Letërnjoftimi informon lexuesin, nëse përputhet imazhi i gjurmës së marrë me gjurmën në letërnjoftim.
Çfarë informacioni mund të sigurohet duke aksesuar chip-in me kontakt, pa përdorur autorizimin e mbajtësit të kartës (PIN) të mbajtësit të letërnjoftimit?
Të dhënat personale të mbajtësit të letërnjoftimit që mund të lexohen pa përdorur autorizimin e mbajtësit të letërnjoftimit janë: numri personal, emri, mbiemri, gjinia, datëlindja, vendlindja, shteti, numri i dokumentit, emri i gjurmës brenda letërnjoftimit (nga 2 në 0 emra gjurmësh), data e lëshimit, data e skadimit, numri seria i chip-it.
A janë ekuivalente të dhënat e chip-it me kontakt dhe atij pa kontakt?
Jo. Nuk janë, pasi secili nga chip-et ka funksion të veçantë dhe të dhëna të ndryshme.
·    Chip-i pa kontakt ka të dhëna dhe funksionalitete në përputhje me standardin ICAO 9303, për tu përdorur si dokument udhëtimi. Të dhënat që ndodhen në chip-in pa kontakt janë: Numri personal, emri, mbiemri, gjinia, datëlindja, vendlindja, shteti, numri i dokumentit, fotografia si format JPEG, autoriteti lëshues “MB” (Ministria e Brendshme), data e lëshimit.
·    Chip-i me kontakt ka të dhëna dhe funksionalitet në përputhje me standardin ISO 7816, për t’u përdorur si dokument identifikimi. Të dhënat që ndodhen në chip-in me kontakt janë:
Pa autorizimin e mbajtësit
Numri personal, emri, mbiemri, gjinia, Datëlindja, Vendlindja, Shteti, Numri i dokumentit, Emri i gjurmës brenda letërnjoftimit (nga 2 në 0 emra gjurmësh), Data e lëshimit, Data e skadimit, Numri seria i Chip-it.
Me autorizimin e mbajtësit (Kodin PIN apo gjurmë)
Numri personal, emri, mbiemri, gjinia, datëlindja, vendlindja, shteti, numri i dokumentit, emri i gjurmës brenda letërnjoftimit (nga 2 në 0 emra gjurmësh), data e lëshimit, data e skadimit, numri seria i chip-it, portreti, imazhi i firmës, gjurmët e gishtave të enkriptuara vetëm për t’u krahasuar me lexuesin.
Çfarë pajisjesh (HW dhe SW) nevojiten për leximin e të dhënave të chip-it me kontakt dhe atij pa kontakt?
Pajisjet (HW) dhe libraritë (SW) e leximit të letërnjoftimit elektronik varen prej zgjidhjes teknike dhe financiare të infrastrukturës së leximit të letërnjoftimit mes alternativave të teknologjisë.
Si është procedura për personat me të dhëna biometrike, të cilëve u mungon njëri, disa gishta apo pa gishta? A kanë aplikuar edhe persona me mangësi të tilla dhe sa është numri i tyre?
Për këto raste zbatohet procedurë e veçantë gjatë procesit të regjistrimit si më poshtë:
Në rastin e shtetasve që kanë mungesë të pjesshme/të plotë, regjistrimi bëhet pa mungesa/dëmtimi fizik i pjesshëm/i plotë i tyre. Numri i aplikimeve të tilla është 10 000 letërnjoftime.
A ka letërnjoftime elektronike jashtë përdorimit? Sa është numri i tyre dhe si është procedura e nxjerrjes jashtë përdorimit? Në këto raste a lëshohen dublikata të letërnjoftimit?
Po, ka raste të letërnjoftimeve të dala jashtë përdorimit. Kjo është parashikuar dhe rregulluar me akte ligjore dhe nënligjore përkatëse: Ligji Nr. 8952,datë 10.10.2002, “Për dokumentin e identitetit të shtetasve shqiptarë”, i ndryshuar dhe me akte të tjera nënligjore të dala në zbatim të tij (Udhëzim i Ministrit të Brendshëm dhe urdhër i DPPSH), një shtetas riaplikon me letërnjoftim për një nga arsyet e mëposhtme: I humbur, i vjedhur, ndryshon një nga përbërësit e gjendjes civile (ndryshon emrin, mbiemrin), letërnjoftimi dëmtohet. Në rast humbje/vjedhje ai deklaron paraprakisht humbjen e tij në komisariatin përkatës të policisë dhe pas 72 orësh ai pajiset me vërtetim përkatës nga policia për humbjen/vjedhjen e letërnjoftimit.
Ai riaplikon në zyrën e aplikimit duke paraqitur vërtetimin e humbjes/vjedhjes së dokumentit.
Numri i letërnjoftimit të dala jashtë përdorimit në total për një nga arsyet e mësipërme(humbje, vjedhje, ndryshon një nga përbërësit e gjendjes civile, letërnjoftimit dëmtohet) është 105 000 deri më 31 dhjetor 2011 në 2 900 000 letërnjoftime të dërguara në zyrat e shpërndarjes së tyre. Në asnjë rast nuk lëshohen dublikata të letërnjoftimit.
A ka letërnjoftime elektronike të deklaruara të vjedhura? Si procedohet në këtë rast dhe cila është baza ligjore për zëvendësimin e tyre?
Ka letërnjoftime të deklaruara të vjedhura/humbura. Procedura e ripajisjes me letërnjoftim të ri në rast humbje/vjedhje është përcaktuar në ligjin përkatës Ligji Nr. 8952, datë 10.10.2002, “Për dokumentin e identitetit të shtetasve shqiptarë”, (i ndryshuar) dhe me akte të tjera nënligjore të dala në zbatim të tij (udhëzim i ministrit të Brendshëm dhe urdhër i DPPSH). Në rast humbje/vjedhje ai deklaron paraprakisht humbjen e tij në komisariatin përkatës të policisë dhe pas 72 orësh ai pajiset me vërtetim përkatës nga policia për humbjen/vjedhjen e letërnjoftimit. Ai riaplikon në zyrën e aplikimit duke paraqitur vërtetimin e humbjes/vjedhjes së dokumentit.
Si veprohet në rastin kur qytetari ndryshon një të dhënë ose i është dëmtuar letërnjoftimi i parë?
Në këtë rast shtetasi para riaplikimit duhet të kthejë letërnjoftimin e parë pranë zyrës së aplikimit ose i dëmtohet fizikisht (pritet MRZ-zona e leximit nga makina) në zyrën e aplikimit.
Si veprohet në rastet kur qytetari aplikon pa treguar që ka pasur një letërnjoftim të parë, pa paraqitur vërtetim humbjeje dhe pa dorëzuar letërnjoftimin e parë?
Në këtë rast ky aplikim identifikohet dhe ndalet nga sistemi (pasi nuk është ri-aplikim sipas procedurave të përcaktuara) njoftohet shtetasi se ky rast zgjidhet vetëm me një nga mënyrat e mësipërme ku shtetasi ose duhet të kthejë/dëmtojë letërnjoftimin e parë ose të sjell vërtetimin e humbjes/vjedhjes.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura