Nishani-Ivanov: Bashkërisht për “Korridorin 8”

Sep 15, 2012 | 11:49

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi dje në Ohër një takim me Presidentin e Republikës së Maqedonisë, George Ivanov. Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se ky është takimi i parë ndërmjet dy presidentëve, Nishani e Ivanov, në vijim të traditës për mbajtjen e dialogut politik midis dy vendeve në nivelin më të lartë. Të dy presidentët vlerësuan se marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve kanë arritur një nivel të kënaqshëm, duke theksuar se është e nevojshme që të punohet më shumë për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, në fushën e turizmit, energjetikës, infrastrukturës, transportit hekurudhor, rrugor e liqenor, arsimit, kulturës dhe veçanërisht në zbatimin e projekteve me rëndësi prioritare. Presidenti Nishani dhe Presidenti Ivanov ranë dakord që të punojnë për zbatimin e projekteve rajonale të Korridorit 8 dhe lidhjen e autostradës Adriatiko-Joniane me Korridoret 8 dhe 10. Kreu i shtetit nënvizoi se Shqipëria i ka parë dhe i sheh me prioritet marrëdhëniet me Maqedoninë fqinje dhe vlerëson se ato janë solide, dinamike në planin dypalësh dhe shumëpalësh.

© Panorama.al

Te lidhura