Ndërsa kane mbetur fare pak kohë nga marrja e detyrës, Bujar Nishani ka folur për herë të fundit si President në pritje për agjencinë franceze të lajmeve, AFP ku ka shpalosur prioritete e Presidencës së tij.
Reforma në drejtësi, kusht prej shumë kohësh i Bashkimit Evropian, do të jetë një nga prioritete e Nishanit. Ai shprehet se ndër të tjera do punojë për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve të vazhdueshme të brendshme politike, që kanë frenuar procesin e anëtarësimit në BE.
“Drejtësia do të jetë prioriteti im. Jam i vendosur për të qenë plotësisht i angazhuar në mbështetje të reformave në sistemin gjyqësor, që mbetet një faktor kyç për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, deklaroi në një intervistë presidenti i sapozgjedhur, Bujar Nishani.
“Pavarësisht ndarjeve aktuale, anëtarësimi në Bashkimin Evropian, që është dëshirë e 90 për qind të shqiptarëve, duhet të bashkojë të gjithë forcat politike. Jam optimist se Shqipëria do të arrijë të marrë këtë vjeshtë statusin e kandidatit. Është e qartë se integrimi në Bashkimin Evropian është një proces që na detyron të punojmë të gjithë shumë për të merituar anëtarësimin”, theksoi presidenti i sapozgjedhur, Bujar Nishani.
Nishani është shprehur ndër të tjera, se do të jetë jashtë çdo ndikimi të çdo force politike, duke theksuar si shumë të rëndësishëm për të, bashkëpunimin mes maxhorancës dhe opozitës.
© Panorama.al











