
“Herët për kreun e shtetit nga populli”
Presidenti i zgjedhur: Çështja çame, sipas procedurave ligjore e shtetit të së drejtës.
Presidenti i zgjedhur, Bujar Nishani, shprehet se do të bashkëpunojë me maxhorancën dhe opo-zitën në dekretimin e gjyqtarëve në Gjykat-ën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Në një intervistë në emisionin “Bugajski Hour” të gazetarit Janush Bugajski në “AS”, ai flet gjithashtu për tezën e zgjedhjes së kreut të shtetit nga populli dhe çështjen çame.
Si mendoni, duhet ta aplikojë Shqipëria sistemin e zgjedhjes së Presidentit nga populli?
Zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit nga qytetarët, pa dyshim që është një model, është një opsion, është një formë demokratike, pasi, në fund të fundit, shpreh drejtpërsëdrejti vullnetin e qytetarëve shqiptarë përmes procesit më fondamental të lirisë së shprehjes, që është vota e fshehtë. Mendoj se në kushtet e Shqipërisë është ende e parakohshme. Pse e them këtë? Së pari, Kushtetuta e Shqipërisë parasheh edhe përmes procesit procedural të zgjedhjes së Presidentit, por edhe në frymën e saj promovimin e konsensusit. Nëse do të shkojmë në zgjedhje të drejtpërdrejtë nga qytetarët, do të shkohet në fushatë elektorale përmes një procesi zgjedhës, që do ta polarizojë maksimalisht zgjedhjen e Presidentit, që do të thotë se do të ketë një ndarje kampesh qartazi, një betejë politike në terren, ku do të humbë në çdo rast sensi i konsensusit politik midis palëve, që me modelin që kemi është plotësisht i mundshëm të arrihet në Parlament. Madje edhe në rastin e zgjedhjes së Presidentit të ri, që sapo kaluam, konsensusi ishte i afërt dhe mund të ishte realizuar në Parlament. Së dyti, besoj që në ndjenjën e përgjegjësisë që duhet të ketë Presidenti i Republikës në konceptin e përfaqësimit të interesave të të gjithë qytetarëve shqiptarë, druaj se një zgjedhje e drejtpërdrejtë nga elektorati, i cili do të jetë i polarizuar dhe i ndarë në fushatë elektorale dhe në zgjedhje, do ta fusë Presidentin e zgjedhur në këtë formë në një perceptim paksa rixhit në konceptin politik të sjelljes së tij pas zgjedhjes. Edhe nga pikëpamja financiare, do të kishim kosto që do t’i kushtonte buxhetit të shtetit, i cili dhe kështu themi se ka nevojë të alokojë fonde në drejtime dhe në çështje të rëndësishme. Pra unë i mbetem gjykimit se është një hap i parakohshëm. Por, gjithsesi, kjo është një çështje që e vendos Parlamenti, politika, nëse gjykojnë se mund të ndërhyhet, pa dyshim që të gjithë më pas do ta respektojnë këtë vendim.
Thatë se ishte tepër herët, ndaj e shihni një mundësi të tillë në vitet në vazhdim?
Po.
Doja t’i kthehesha pas pak çështjes së rolit rajonal të Shqipërisë, të marrëdhënieve me fqinjët. Tani doja të qëndronim pak në skenën e brendshme politike. Mesazhi i SHBA-ve dhe Bashkimit Europian, para dhe pas zgjedhjes suaj, është përqendruar në rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve, sidomos të prokurorit të Përgjithshëm, të shefit të shërbimit sekret, dy emërimet për të cilat jeni ju përgjegjës. A do t’i përmbaheni këtij parimi kyç në emërimet që do të bëni?
Pa diskutim që pavarësia e sistemit të drejtësisë apo e institucioneve kushtetuese është fondamentale dhe nëse duhet që çdokush, çdo institucion, çdo ent publik të kontribuojë në konsolidimin e demokracisë, së pari duhet të orientohet nga pavarësia e këtyre institucioneve të rëndësishme kushtetuese dhe të garantimit të shtetit ligjor, të funksionimit të ligjit dhe të së drejtës para ligjit. Natyrisht, është i rëndësishëm funksionimi i institucioneve që ju përmendët. Unë besoj që eksperiencat tona pozitive të konsoliduara vitet e fundit kanë nevojë të çohen edhe më përara. E kam shprehur edhe më parë, edhe pse ende nuk jam një President në detyrë dhe drejtuesit e institucioneve që ju përmendët janë në funksion të përmbushjes së detyrave të tyre, por në respekt edhe të interesit të pyetjes, dëshiroj edhe njëherë të konfirmoj faktin që e shoh institucionin e Prokurorisë si një institucion që ka nevojë për të ngritur më lart angazhimin në luftën ndaj kriminalitetit në vend, veçanërisht ndaj korrupsionit dhe krimit ekonomik. Unë besoj se këtë mund ta bëjnë vetëm ata që janë pjesë e sistemit. Ndaj është e rëndësishme të promovojmë, të mbështesim, të inkurajojmë pikërisht të gjithë ata prokurorë që me eksperiencën e tyre, me kurajën e tyre, me integritetin e tyre kanë punuar dhe vijojnë të punojnë brenda këtij sistemi. Natyrisht që edhe agjencia e inteligjencës është shumë e rëndësishme, por bazuar edhe në legjislacionin aktual, nuk është në varësinë e Presidentit, por është tërësisht në kompetencat e Kryeministrit. Emërimi i gjyqtarëve, veçanërisht atyre në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, është një hap shumë i rëndësishëm, provë në njëfarë mënyre për Presidentin, por edhe për institucione të tjera, siç është Parlamenti. Në gjykimin tim, angazhimi i Presidentit të Republikës në përzgjedhjen e kandidatëve që do të nominohen si anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, në radhë të parë duhet të vijë përmes një procesi transparent dhe publik, duke u orientuar tek ato personalitete të Drejtësisë shqiptare që besoj nuk janë të paktë, që kanë treguar gjatë gjithë karrierës së tyre një përkushtim ndaj profesionit, një integritet moral të sjelljes së tyre si gjyqtarë. Në sistemin e drejtësisë qytetarët shqiptarë përballen më dy elemente thelbësore të të drejtave fondamentale të tyre: me jetën në rastet penale dhe me pronën në rastet civile. Unë besoj se angazhimi, por edhe veprimi i Presidentit të Republikës, në bashkërendim dhe konsultim me grupet parlamentare në përzgjedhjen e këtyre figurave, do të rrisë kredibilitetin e institucionit të Presidentit, të Parlamentit, por, mbi të gjitha, të personave që do të zgjidhen në detyrën e gjyqtarit në këto dy gjykata, të cilat kanë një rëndësi themelore për faktin se ato orientojnë funksionimin nga pikëpamja profesionale të të gjitha rangjeve të sistemit të drejtësisë. Ndaj unë e shoh si një përgjegjësi madhore të ekzekutimit të detyrave dhe të tagrit kushtetues që Presidenti ka në këtë proces.
E di që lëvizja “Çamëria” në Shqipëri po promovon disa të drejta, të cilat mendojnë se ua kanë mohuar çamëve në Greqi, si shtetësia, pronat, kthimi në tokat e tyre e të tjera. Si i shikoni zhvillimet e kësaj çështjeje mes Tiranës dhe Athinës gjatë presidencës suaj?
Greqia është një vend fqinj dhe një vend mik i Shqipërisë. Historia ka treguar që pavarësisht momenteve delikate, në tërësi ka dominuar bashkëpunimi dhe fqinjësia e mirë. Të dyja vendet vazhdimisht e kanë provuar fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin. Në Shqipëri ka pasur dhe vazhdon të ketë një minoritet grek, i cili gjithmonë ka promovuar vlerat dhe ka qenë një faktor i bashkëpunimit dhe i rritjes së miqësisë. Greqia dhe shoqëria greke kanë mirëpritur në dy dekadat e fundit një numër të konsiderueshëm qytetarësh emigrantë nga Shqipëria, të cilët në shumicën e tyre janë integruar brenda shoqërisë greke. Të mos harrojmë që kanë shkuar në Greqi në momente të vështira ekonomike dhe puna e tyre atje ka pasur kontribute edhe për shoqërinë greke, edhe për vetë familjen e tyre. Pra ekziston një lidhje e fortë bashkëpunimi dhe miqësie midis Shqipërisë dhe Greqisë. E vërteta është se situata e vështirë ekonomike në Greqi ngjall edhe qëndrime të grupeve të tilla nacionaliste në Greqi, siç edhe kemi parë gjatë kohëve dhe zhvillimeve të fundit, por besoj te niveli dhe te historia e një kulture dhe një pjekurie europiane të gjatë të popullit grek, i cili do të dijë ta përballojë me dinjitet këtë moment të vështirë. Mua më vjen mirë që tashmë në Shqipëri ka mjaft biznese që bashkëdrejtohen nga qytetarë shqiptarë dhe qytetarë grekë, të cilët i shërbejnë ekonomisë së tyre, por edhe ekonomisë së Shqipërisë dhe të Greqisë. Çështja e Çamërisë, pa dyshim që qëndrimi i shtetit shqiptar ka qenë krejt i hapur, në radhë të parë e drejta e shprehjes së çdo individi dhe çdo grupimi është një e drejtë fondamentale. Qëndrimi zyrtar i Shqipërisë ka qenë i hapur, transparent, bazuar në traktatin e miqësisë që ekziston mes dy vendeve, një çështje që duhet të zgjidhet përmes procedurave ligjore dhe shtetit të së drejtës. Është një çështje, e cila nuk duhet dhe nuk mund të interferojë në marrëdhëniet fqinjësore politike mes dy vendeve, të cilat janë të një dimensioni e të një kontributi të madh për të tashmen dhe për të ardhmen e këtyre marrëdhënieve krejt pozitive dhe krejt të mira që ekzistojnë.
© Panorama.alTë martën betimi i Nishanit
Parlamenti do të mblidhet të martën, në një seancë jashtë radhe, ku do të bëhet edhe ceremonia e marrjes së detyrës nga Presidenti i ri i vendit, Bujar Nishani. Në nisje të seancës së djeshme, kryetarja e Kuvendit i njoftoi deputetët edhe për vendimin e fundit të Konferencës së Kryetarëve për këtë ceremoni. “Përpara se të fillonim seancën plenare është mbledhur Konferenca e Kryetarëve, e cila ka hartuar draftin e kalendarit të punimeve për javën e ardhshme, ku përshihen ligjet për të cilat ka filluar puna në komisione të ndryshme, ai për Ekonominë, për Çështjet Ligjore dhe në komisionet e tjera. Ju bëj gjithashtu me dijeni se të martën, në orën 18:30, sipas Kushtetutës, do të zhvillohet seanca e betimit të Presidentit të Republikës”, tha Jozefina Topalli.











