Nishani: Arrini konsensusin para daljes së progres-raportit

Sep 4, 2012 | 10:57
Presidenti Bujar Nishani

Presidenti Bujar Nishani i dërgoi dje një mesazh Parlamentit, me rastin e nisjes së sesionit të parafundit përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Në këtë mesazh kreu i shtetit apeloi për bashkëpunim mes forcave politike për përmbushjen e 12 rekomandimeve të BE-së dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. “Nxis forcat politike të punojnë bashkërisht për të arritur realizimin e detyrave të rëndësishme të parashikuara në 12 prioritetet e Bashkimit Europian, përpara daljes së raportit të përparimit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Dëshiroj me këtë rast të nënvizoj rëndësinë e angazhimit të të gjithë deputetëve në heqjen apo kufizimin e imunitetit si një kontribut të vendosjes së një standardi politik dhe ligjor të nevojshëm për një shoqëri dhe një vend që aspiron vlerat europiane të shtetit ligjor dhe të së drejtës”, tha Nishani. Sipas tij “Përvoja jonë në këto vite demokraci tregon se kemi ditur në çaste të rëndësishme të dialogojmë dhe gjejmë zgjidhje të arsyeshme për sfidat, me të cilat jemi ndeshur. Unë jam shpresëplotë se si përfaqësues të forcave politike, ju do të gjeni kurajën dhe mençurinë për t’u ngritur mbi interesat politike partiake dhe do të arrini konsensusin e nevojshëm për çështje me interes kombëtar dhe në interes të qytetarëve tanë. Konsensusi i dëshiruar politik, dialogu, toleranca dhe bashkëpunimi i synuar do t’i hapin rrugë një procesi normal zgjedhor ku parashikohet të hyjë vendi ynë në vitin e ardhshëm”.

Stefano Sanino: “Imuniteti, hap me rëndësi drejt BE-së”
Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefano Sannino, u kërkoi dje sërish forcave politike që të heqin imunitetin e zyrtarëve të lartë. Në një deklaratë për mediat, në ditën e nisjes së punimeve parlamentare, ai tha se “Kufizimi i imunitetit është shumë i rëndësishëm për ne, është një element kyç në luftën kundër korrupsionit. Ky do të jetë një hap përpara në drejtimin e duhur për Shqipërinë. Shqipëria ka arritur rezultate të dukshme, por ajo që mbetet problematike, është fakti se çdo çështje kthehet në betejë nga klasa politike, dhe në fund ajo që mbetet është më tepër lufta politike sesa rezultatet”.

© Panorama.al

Te lidhura