
Viti i ri shkollor. Problem ngelet mungesa e teksteve në gjimnaze.
“Brenda marsit, park surprizë për fëmijët te Liqeni”
Të gjithë fëmijët që nisën dje klasën e parë në shkollat e Tiranës, kanë gjetur një pako me mjete mësimore në bankën e tyre. 5305 dhuratat janë shpërndarë nga një iniciativë unike e kreut të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Dhuratat simbolike janë shoqëruar edhe me një kartolinë urimi të kreut të Bashkisë. Në ditën e parë të vitit të ri arsimor, Basha ishte në shkollën “Jeronim de Rada”, nga ku uroi të gjithë nxënësit për vitin e ri shkollor. “Është një vit i veçantë, viti i Pavarësisë dhe, krahas programit mësimor, këto institucione të qytetit tonë, shkollat 9-vjeçare, shkollat e mesme janë edhe partnerët e Bashkisë në realizimin e një sërë aktivitetesh, siç janë konkurset, olimpiadat, kampionatet sportive që do të jenë jo vetëm risia e këtij viti, por pjesë e pandarë e përkushtimit të Bashkisë së Tiranës”. Por dhuratat nuk ishin e vetmja surprizë e kreut të Bashkisë. Ai premtoi edhe investime të reja për të gjithë të rinjtë e Tiranës dhe specifikisht për moshat e vogla. “Ju premtoj se Bashkia e Tiranës do të investojë fort në krijimin e ambienteve të reja sportive, ambiente të reja lojërash dhe një park surprizë për të gjithë fëmijët e kryeqytetit, i cili do të hapet para marsit të vitit të ardhshëm, në Kodrat e Liqenit”, theksoi Basha.
Dita e parë
Këngë patriotike, lule, emocione e gëzim. Kështu e kanë nisur vitin e ri shkollor 36 mijë vogëlushë në të gjithë vendin. Në shkollat e Tiranës ata janë pritur me një atmosferë festive, e përgatitur edhe në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Edhe në dyert e gjimnazeve nuk kanë munguar prindërit në ditën e parë të shkollës. Ata kanë ngritur shqetësimin e mësimit me turne.
Ndonëse Ministria e Arsimit deklaroi se brenda datës 10 shtator të gjithë nxënësit do të pajiseshin me paketat e librave, furnizimi nuk ka përfunduar në masën 100%. Nxënës të gjimnazeve pohojnë se një pjesë e teksteve mungojnë. “Mungojnë tekste të letërsisë së avancuar dhe disa të gjuhëve të huaja. Mësuesit na kanë thënë se do të vijnë brenda pak ditëve”, tha dje një nxënës në gjimnazin “Ismail Qemali”. MASH ka paralajmëruar shtëpitë botuese se do t’i penalizojë në rast se nuk zbatojnë afatet. Specialistë të MASH-it konfirmuan për gazetën se brenda javës së parë të vitit shkollor në shkolla nuk do të mungojë asnjë tekst. “Ka pasur disa vonesa të shkaktuara për mungesë organizimi në sistemin e shpërndarjes. Ne jemi vënë në kontakt me të gjitha shtëpitë botuese, të cilat kanë garantuar se brenda javës tekstet do të jenë në shkolla”, sqaroi MASH.
Nishani: Fillim i ri drejt dijes
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, uroi të gjithë nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor me anë të një mesazhi në faqen zyrtare në internet të Presidencës. “Kam kënaqësinë e veçantë si President i Republikës që me rastin e fillimit të vitit të ri arsimor 2012-2013, t’ju përshëndes e t’ju përcjell urimet më të përzemërta për këtë ditë, që shënon një fillim tjetër të ri në rrugëtimin e shoqërisë shqiptare drejt diturisë dhe ndërtimit të një të ardhmeje të ndritur”, lexohet në mesazhin e Presidentit.
Berisha e Tafaj urojnë nga Lezha
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, vizitoi shkollën 9-vjeçare “Besëlidhja” në Lezhë, për të uruar nxënësit dhe mësuesit për fillimin e vitit të ri shkollor. Në këtë vizitë, shefi i qeverisë shoqërohej nga ministri i Arsimit, Myqyrem Tafaj. “Që prej ardhjes sonë në pushtet, rrogat e mësuesve u rritën 100%, 90% e nxënësve që mbarojnë 9-vjeçaren kalojnë në të mesmen, ndërsa 71% e atyre që mbarojnë shkollën e mesme shkojnë në shkollë të lartë”, shtoi Kryeministri.
PS: Arsimi, i dështuar
Partia Socialiste e konsideron të dështuar sistemin arsimor në vend. Deputetja Ledi Shamku deklaroi dje se mungojnë investimet në infrastrukturën e shkollave, ka paqartësi me tekstet. Sipas saj, mijëra arsimtarë kanë mbetur pa punë. “Për të tetin vit radhazi Saliu tallet me mësuesit dhe gënjen çdo nxënës e prind. Gënjen duke u thënë se do të rimbursojë tekstet shkollore, ku në fakt arsimi këtë vit ka në buxhet peshën më të ulët në këto 10 vitet e fundit, 2.8% është buxheti i arsimit këtë vit, që mezi mbulon vetëm rrogat e mësuesve”, tha Shamku.
Rrëshen, shëndeti publik ndërhyn në gjimnaz
RRESHEN- Mbyllet pasi nuk plotësonte kushtet higjieno- sanitare, por negociatat e vona mes Drejtorisë së Arsimit dhe Bashkisë së Rreshenit, kanë bërë që 650 gjimnazistë të vijojnë mësimin në shkollën e mesme të këtij qyteti. Problemet e shumta që ka pasur kjo shkollë dhe mungesa e ndërhyrjes në të detyroi Drejtorinë e Shëndetit Publik të kërkojë për herë të parë në historinë e tij mbylljen e këtij gjimnazi 52 vjeccar. Shumica e ambienteve nuk kanë asnjë kusht, por për të mos privuar të drejtën për arsimim, dje u vendos shtyrja e afatit për masën që do të merret ndaj këtij institucioni arsimor. Burime nga Drejtoria e Shëndetit Publik në Mirditë bënë të ditur se është lënë afat deri ditën e Premte për të realizuar ndërhyrjet dhe rehabilitimin e kësaj godine. gj.f
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











