Nis rikonstruksioni i rrugës së re në Njësinë Bashkiake Nr.4

Sep 14, 2012 | 11:32
Basha dje gjatë takimit me banorët

Nis rikonstruksioni i aksit që lidh rrugën “5 Maji” me rrugën “Selaudin Zorba” në Njësinë Bashkiake Nr.4. Me një investim prej 63 milionë lekësh të Bashkisë së Tiranës, projekti i rikonstruksionit të kësaj rruge me gjatësi rreth 1 km parashikon trotuare, ndriçimin, rrjetin e kanalizimeve. Po kështu, do të mbillen 150 fidanë pemësh, e do të spostohen linjat elektrike të  shtyllave të tensionit. Nisja e punimeve në këtë rrugë u inspektua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Aksi që u shërben, krahas banorëve të zonës, 4 bizneseve fasonë, të cilët kanë mbi 500 punonjës e dhjetëra ambienteve tregtimi me shumicë, do të përfundojë brenda 10 muajsh. “Bashkë me kryetarin e Njësisë 4, para një viti u kemi premtuar ndërtimin e kësaj rruge banorëve të kësaj njësie. Nuk ishte premtim i ri. Ne e premtuam për herë të parë, por premtimi ishte dhënë të paktën tri apo katër herë të tjera”, tha kryebashkiaku Basha. Sipas tij, ndonëse përdoret çdo ditë nga 10-15 mijë banorë dhe i shërben një komuniteti rezident në këtë zonë prej 4000 banorësh, ajo nuk ka as emër dhe as shtresë asfalti. Rikonstruksioni i kësaj rruge parashikon edhe futjen nën tokë të fibrave optike dhe shërbimet inxhinierike nëntokësore, si dhe spostimin e linjave elektrike dhe shtyllave të tensionit. “Me realizimin e këtij premtimi, ne shkojmë një hap më tej drejt objektivit tonë, për të arritur standarde të njëjta në të gjithë hapësirat e qytetit, qendër dhe jo qendër, si dhe i hapim rrugë një projekti tjetër domethënës pilot, në këtë zonë, i cili do të investohet nga Bashkia e Tiranës, me fondet dhe projektet e miratuara nga BE”-ja, tha kryebashkiaku. Ai shtoi se ky projekt do të demonstrojë edhe një herë aftësitë dhe kapacitetet e vullnetin për të realizuar standardin europian në çdo lagje të Tiranës.

© Panorama.al

Te lidhura