Për të dhjetën ditë radhazi, qytetarët i janë rikthyer sheshit për të protestuar kundër qeverisë dhe për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Që prej orës 18:00, protestuesit kanë nisur të grumbullohen në Sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë, duke ndjekur të njëjtin itinerar si në ditët e mëparshme.
Me flamuj kombëtarë në duar dhe pankarta kundër qeverisë, qytetarët kanë nisur tubimin me thirrje si “Rama ik”, “Rama jep dorëheqjen”, “Rama n’burg, Berisha n’burg” dhe slogane të tjera kundër qeverisë.
Protesta e sotme vjen pas 9 tubimeve të ditëve më parë, ku mijëra të rinj dhe qytetarë mbushën qendrën e Tiranës dhe bulevardin përpara Kryeministrisë.
Peticioni “Rama out”
Pakënaqësia ndaj qeverisë po reflektohet gjithnjë e më shumë edhe në hapësirën online. Peticioni “Rama Out”, që kërkon largimin e kryeministrit Rama, ka mbledhur rreth 1.5 milionë firma dhe po përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale.
Organizatorët e fushatës bëjnë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë, ndërsa numri i firmëtarëve vijon të rritet. Paralel me protestat në sheshe, mbështetetës të shumtë po i shtohen edhe peticionit online “Rama out”.
Peticion online me sloganin e qartë “Rama Out” po përhapet me shpejtësi të jashtëzakonshme në rrjetet sociale, duke u kthyer në një nga fushatat më të mëdha digjitale të kohëve të fundit në Shqipëri.
Organizatorët e platformës kanë lëshuar një thirrje të fortë publike drejtuar çdo qytetari që kërkon një rrugë të re për vendin: “Nëse besoni se vendi ka nevojë për ndryshim, mos qëndroni në heshtje”.
© Panorama.al











