Nis nesër konkurrimi në “Kënga Magjike”, ja emrat BIG në garë

Sep 16, 2012 | 12:26

Mësohet se ky edicion i festivalit “Kënga Magjike” do të jetë një nga edicionet më të veçanta, pasi ky festival do të mbahet 1 javë para 100-vjetorit të Pavarësisë. Nesër nis gara me lançimin e këngëve të para në programin e parë për këtë sezon të “E diela shqiptare” në “Tv Klan”. Në këtë garë, mes 60 pjesëmarrësve të sivjetshëm të festivalit, që janë emra të njohur dhe artistë të rinj, konkurrojnë emra si: Pirro Çako, Rezarta Shkurta, Vedat Ademi, Devis Xherahu, Big Basta, Rozana Radi, ndërkohë që do të rikthehet në konkurrim Bleona Qereti pas shumë vitesh përpjekje për famë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe po ashtu Ingrid Gjoni, për herë të parë pas sjelljes në jetë të fëmijës së saj të parë. Edicioni i 14-të i festivalit të “Kënga Magjike” këtë vit do të jetë shumë i veçantë dhe me një fabul ndryshe, pasi do të konsiderohet si një lloj festimi për 100-vjetorin e Pavarësisë. Kështu që planifikimi dhe organizimi nga producenti Ardit Gjebrea, këtë edicion nisi më herët, para fillimit të verës. Ende nuk bëhet fjalë për një listë zyrtare të këngëtarëve pjesëmarrës, edhe pse në dyert e televizionit “Klan” shihen shumë të njohur. Dorëzimi i këngëve për këtë edicion u bë në datat 3, 4, 5 shtator dhe tashmë këngëtarët po përjetojnë ethet e garës. Atmosfera e 100-vjetorit të Pavarësisë do të ndihet në këtë garë në skenografinë që do të realizojë mjeshtri italian, Gaetano Castelli. Ndërkohë që të gjithë këngëtarët po mendojnë që tani perfomancat e natës finale të çmimeve “Kënga Magjike 2012”.

© Panorama.al

Te lidhura