Nis festivali, “gladiatori” i parë Vangjush Furxhi

Aug 29, 2011 | 12:05
Marilda Furxhi, duke marrë “Çmimin e Karrierës” për të shoqin, aktorin Vangjush Furxhi

Për të katërtin vit me radhë, Festivali Ndërkombëtar i Filmit i kthen jetën Amfiteatrit të Durrësit.Nën drejtimin e aktorit të mirënjohur Timo Flloko, u zhvillua mbrëmjen e së shtunës ceremonia e hapjes së edicionit të radhës së kësaj ngjarjeje të madhe kinematografike, e cila do të zbresë për herë të parë në Shqipëri disa nga emrat më të mëdhenj të kinematografisë botërore, si aktori kroat, Rade Serbedlija, aktorja e njohur italiane, Claudia Cardinale, regjisori çek, Jiri Menzel, Nick Powell, producenti Jan Harlan, si dhe Francis Ford Coppola, regjisori i njohur amerikan, i cili do të jetë i ftuari special i festivalit. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë personalitete të artit dhe kulturës, përfaqësues të pushtetit vendor e qendror, të trupit diplomatik, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, të cilët vlerësuan traditën e mrekullueshme të Festivalit të Filmit.
Çmimi
Në ceremoninë e hapjes u nderua me “Çmimin e Karrierës” pas vdekjes, një nga figurat më të shquara të filmit shqiptar, aktori i mirënjohur Vangjush Furxhi, pikërisht në ditën e 10-vjetorit të vdekjes. Për të tërhequr çmimin u ngjit në skenë bashkëshortja e tij, Marilda Furxhi, e cila ndau me pjesëmarrësit emocionin që ngjall dhënia e çmimit. Ndërkaq, edhe kolegët artistë, Timo Flloko dhe Mihal Luarasi, kanë kujtuar kontributin e madh të aktorit Vangjush Furxhi, i cili sipas tyre ishte një pionier i kinematografisë shqiptare, si dhe ndihmoi në zhvillimin e teatrit dhe kinemasë shqiptare. Të pranishmit ndoqën më pas në monitorin e madh copëza prej interpretimeve më të mira të aktorit.
Ballafaqim kulturash

Nga hapja e Festivalit në Durrës

“Ky edicion i katërt ka në vëmendje tematikën mbi qytetarin europian në planin social, politik, historik, duke ndarë me ne këndvështrimin e regjisorëve të rinj dhe të vjetër”. Kështu është shprehur në ceremoninë e hapjes drejtoresha e festivalit, Anila Varfi. Sipas saj, ky edicion do të jetë një ballafaqim kulturash. Do të jetë e tillë gara e filmave artistikë, e cila ndahet në dy seksione “Vizione bashkëkohore” (8 filma), “Bota ballkanike” (6 filma), por edhe ata dokumentarë apo të ftuar si seria e filmave turq apo krijimet e Coppolas. Këtë shije ta ofron festivali, qysh me filmin e parë që shfaqet në ekranin e madh të amfiteatrit. Një film i prezantuar nga ambasadori turk në Shqipëri. Bëhej fjalë për “Honey” (Mjaltë) i Semih Kalanouglu, fitues i Ariut të Artë në Festivalin e Berlinit 2010. “Honey” është rrëfimi i jetës mes natyrës së egër, përmes syve të një fëmije. Një histori kjo, që mbajti të lidhur për 130 minuta të ftuarit që e ndoqën filmin nën qiellin e hapur.
Dita e dytë
Dje, dita e dytë e Festivalit të Durrësit nisi me një konferencë për shtyp, ku u prezantuan anëtarët e jurisë. Në përbërje të jurive, të cilët do të zgjedhin dhe “gladiatorët” e këtij edicioni janë Nick Powell, Henning Lohner, Kujtim Çashku (“Vizione bashkëkohore”); Jiri Menzeli, Katia De Vidas, Nasi Lera (“Bota Ballkanike”). Konkurrimi nisi me një nga filmat e seksionit “Bota ballkanike”, “4 Kostume të zeza”. Një prodhim grek, i cili tregon aventurën e katër burrave që punonin në një agjenci funerale. Për t’i shpëtuar këtij “profesioni”, ata pranojnë të bartin më këmbë, nga Athina deri në Viotia, trupin e një pasaniku grek, në këmbim të një shume të majme parash. Nga seksioni “Vizione bashkëkohore” u shfaqën filmat “Të fitosh” nga Marco Bellochio (Itali, Francë) dhe “Legjenda e Ciprianit fluturues nga Marina Cengel Solcanska (Sllovaki, Poloni). Po gjatë ditës së djeshme u zhvillua një masterklas me producentin e regjisorit Stanley Kubrick, Jan Harlan, i cili ishte i pari që shënoi emrin e tij në “Bulevardin e Artit”, përpara Teatrit “Aleksandër Moisiu”. Të tjerë emra të mëdhenj do të vendosin firmat dhe gjurmët e duarve. Sot është radha e regjisorit Jiri Menzel dhe aktores Tinka Kurti. Gjithashtu, dje u shfaq filmi “Barry Lyndon”, me skenar dhe regji të Kubrick. Nga seksioni “Takimet e ngushta” u shfaq filmi turk “Pikë”.

Sot në konkurrim

“Piran-Pirano” nga Goran Vojnovic (Slloveni)
“Dasmë në Bessarabi” nga Napoleon Helmis (Rumani, Moldavi, Luksenburg)
“Haberman” nga Juraj Herz (Gjermani, Çeki, Austri)
“Mulliri dhe kryqi” nga Lech Majeëski, (Poloni, Suedi)
“Të fitosh” nga Marco Bellocchio (Itali, Francë)
Jashtë konkurrimit
“Në pyll” nga Vilma Zenelaj, (SHBA)
“Kutia e Pandorës” nga Yesim Ustaoglu, Turqi

 

LEONIDHA MUSAI

© Panorama.al

Te lidhura