Nikoliç, Presidenti i ri i Serbisë

May 21, 2012 | 13:45

Lideri i Partisë Progresive Serbe, Tomisllav Nikoliç, do të jetë Presidenti i ri i Serbisë. Në fjalimin e parë para gazetarëve, ai tha: “Serbia nuk do të qëndrojë në udhën europiane dhe ne nuk do t’i braktisim vëllezërit tanë në Kosovë dhe Metohije. Falënderoj të gjithë ata që votuan për mua dhe ata që votuan për rivalin tim. Jam shumë i lumtur. Ky është kulmi i karrierës sime”. Rezultatet paraprake zyrtare treguan se ai është në avantazh të mjaftueshëm për të marrë në duar drejtimin e Serbisë për mandatin e ardhshëm presidencial. Boris Tadiç kërkonte mandatin e tij të tretë. Rivali i Nikoliçit, Tadiç, president në Serbi që nga viti 2004 për dy mandate, e pranoi humbjen dhe uroi Nikoliçin për fitoren, sipas agjencisë serbe të lajmeve “Tanjug”. Po në raportimin e kësaj agjencie, Tadiç citohet të ketë thënë se “ai sigurisht që nuk do të jetë Kryeministri i ardhshëm”.
Para rezultateve zyrtare, Qendra për Demokraci dhe Zgjedhje të Lira (CeSID) njoftoi se rezultatet jozyrtare të balotazhit të zgjedhjeve presidenciale të së dielës, bazuar në 95 për qind të qendrave të votimit, i jepnin Tomisllav Nikoliçit (SNS) 49.7 për qind të votave. Rivali i tij, Boris Tadiç (DS), ka marrë rreth 47 për qind të votave, sipas kësaj qendre.
Ekspertët e CeSID thanë se projektimet e tyre “nuk mund të gabonin”. Ndërkohë, Partia Progresive Serbe e ka shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale. Qendrat e votimit të dielën u mbyllën rreth orës 20:00 në të gjithë Serbinë, me llogaritjet se deri në orën 19:00 pjesëmarrja ishte 41.5 për qind.
Gafa e BE-së
Disa orë para mbylljes së qendrave të votimit në Serbi, u publikuan deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE-së, të cilët uronin Tomisllav Nikoliçin për fitoren. Deklaratat e tyre, të publikuara gabimisht përpara se të mbylleshin qendrat e votimit dhe të nxirreshin rezultatet e zgjedhjeve, thoshin se: Presidenti i Këshillit të Europës, Herman Van Rompuj dhe presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, urojnë Presidentin e ri të Serbisë, Tomisllav Nikoliç, për fitoren e tij. Deklarata e tyre u tërhoq shumë shpejt pas publikimit, ndërsa gjysmë ore më vonë u lëshua një tjetër deklaratë korrigjuese. Serbët votuan dje në raundin e balotazhit të zgjedhjeve presidenciale, ku sipas rezultateve të 6 majit garonin ish-presidenti Boris Tadiç dhe kreu i SNS, Tomisllav Nikoliç. Rezultatet tregonin se ishte një garë e fortë dhe sondazhet i jepnin Nikoliçit avantazh të lehtë.
Votimi në Kosovë
Zëdhënësi i OSBE-së, Nikola Gaon, tha të dielën në mbrëmje vonë se të gjitha qendrat e votimit në Kosovë ishin mbyllur në orën 20:00. Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, sipas tij ishte kryer në Kosovë në zonat serbe pa asnjë problem. Gaon tha për agjencinë “Tanjug” se materiali zgjedhor do të transportohet i gjithi në Vranje dhe Rashkë gjatë natës, ku do të numërohen fletët e votimit. OSBE i ka paketuar materialet për t’i transportuar brenda territorit serb, ku sipas marrëveshjes me autoritetet kosovare ato nuk duhej të numëroheshin brenda Kosovës. Në Kosovë kishte rreth 90 qendra votimi të hapura në katër komunat kryesore ku banonin serbet. Rreth 109.000 votues kishin të drejtë vote në këto zgjedhje, por pjesëmarrja ishte rreth 23.58 për qind.

© Panorama.al

Te lidhura