Presidenti serb Tomislav Nikoliç tha sot se ai personalisht nuk do t’i shtrëngonte duart me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ai e cilësoi një gjest personal takimi mes Thaçit dhe Boris Tadiçit në Dubrovnik, i cili nga mediat dhe faktori ndërkombëtar u quajt si, historik.
Nikoliç u tha gazetarëve, pas takimit me patriarkun Irinej, se të premten ka biseduar me Tadiçin për vizitën e tij në Dubrovnik, dhe se ish presidenti i Serbisë nuk e kishte informuar se ai do të takohej me Thaçin.
“Po të më kishte treguar, unë do t’i rekomandoja që të mos i shtrëngonte duart me të, pasi mbi Thaçin rëndojnë akuza të rënda për krime”- tha Nikoliç.
Ndërkaq, Nikoliç ka folur edhe për një takim të mundshëm mes tij dhe presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Ai tha se do të pranonte të takonte Jahjagën vetëm në takime formale, dhe jo në takime joformale.
Pak ditë më parë, edhe kryetarja e shtetit të Kosovës, Jahjaga u shpreh e gatshme të takohej me Nikoliç vetëm në cilësinë e dy kryetarëve të dy shteteve të pavarura dhe sovrane.
© Panorama.al











