Nigeri, shkojnë për të marrë naftën e tankerit të rrëzuar, 100 të vdekur

Jul 13, 2012 | 13:59

Më shumë se 100 persona u dogjën në Jug të Nigerisë kur një tanker që po transportonte naftë u rrëzua afër fshatit Okogbe. Autoritetet thanë se automjeti nuk ka marrë menjëherë flakë, kështu që banorët aty afër kanë vrapuar me enët e tyre për të mbledhur naftën. Por, më pas tankeri kishte shpërthyer, duke djegur shumë prej tyre për vdekje. Gazetari i BBC-së, Emeka Idika, tha se për ata që nuk mund të identifikohen, do të kryhet një varrim masiv në shtetin Rivers. Ai shtoi se rreth 35 persona të tjerë janë dërguar në spital me plagë djegiesh. Sipas tij, numri i viktimave mund të shtohet, pasi shumë njerëz që ishin afër tankerit dhe kishin marrë flakë, kanë vrapuar drejt shkurreve për të ndihmuar veten dhe nuk dihet shumë për fatin e tyre. Deri tani trupat nuk janë gjetur. Një tjetër gazetare, Oluki Ivuoha Kimezie, tha për BBC se ajo vetë ka numëruar më shumë se 100 trupa pa jetë. Agjencia nigeriane Nacionale e Emergjencave tha në një deklaratë zyrtare se ishin mbledhur rreth 95 trupa. Një fotograf nga agjencia AFP, i cili ishte në vendngjarje, tha se shumica e viktimave ishin shoferë të motoçikletave taksi, të njohur në vend si “okadas”, të cilët kishin mbërritur me nxitim për të mbushur serbatorët e tyre, pasi kishin mësuar për rrëzimin e tankerit. Autoriteti i sigurisë së rrugëve në Nigeri tha se tankeri ishte përplasur me tri makina të tjera, sipas “Daily Times” të Nigerisë. Këto ngjarje nuk janë të pazakonta në Nigeri, e cila njihet për eksportin e naftës. Gjatë viteve të fundit kanë humbur jetën qindra njerëz në përpjekjet për të marrë karburant, duke shpuar naftënxjerrësit.

© Panorama.al

Te lidhura