Në fillim të krizës globale, ekspertët vlerësuan dy momente të rëndësishme. E para: që kriza do të kishte disa valë dhe se valët e saj do të përhapeshin dhe do të përfshinin vende të ndryshme në varësi nga shkalla e ndërvarësisë së tyre. Ata parashikuan tri valë të krizës globale, duke filluar me vendet më të zhvilluara dhe duke përfshirë në valën e tretë vendet më pak të integruara në tregjet financiare. Në grupin e tretë u klasifikua edhe vendi ynë.
E dyta: ekspertët i dhanë një rëndësi të veçantë një koncepti ndihmës për masat antikrizë, që konsiderohet “fiscal space – room for maneuver”, pra, sa mundësi dhe sa hapësirë ka çdo vend për të kundërvepruar me politika fiskale të stimulimin e ekonomisë. Kjo nënkuptonte se sa mundësi kishin vende të ndryshme të ulnin koston e financimit të ekonomisë, sa hapësira kishin ato për të përdorur stimujt fiskalë, sa të mëdha mund të ishin paketat e investimeve shtesë dhe asistenca sociale për të papunët dhe të varfrit, numri i të cilëve po rritej ndjeshëm.
Mundësia e politikave monetare kushtëzohej nga niveli i normave të interesit; sa më të ulëta të ishin ato në fillim të krizës, aq më e vogël ishte mundësia për të përdorur këtë instrument në nxitjen e ekonomisë. Ulja e normave të interesit, ulja e kostos se parasë do të synonte të rriste konsumin dhe investimet, do të ulte koston e financimit të biznesit dhe të shpenzimeve qeveritare e borxhit publik.
Ndërsa mundësia për të vepruar me politikat fiskale, sidomos në drejtim të paketave stimuluese në ekonomi, të cilat përfshijnë uljen e taksave dhe rritjen e shpenzimeve, do të kushtëzohej nga niveli i taksave dhe i borxhit publik. Sa më të ulëta taksat dhe sa më i lartë deficiti dhe borxhi publik në fillim të krizës, aq më e kufizuar dhe e vogël mundësia për paketat stimuluese.
Ekspertët kanë vlerësuar se efekti i uljes së taksave është më i madh se efekti i rritjes së shpenzimeve qeveritare, por edhe këtu koncepti i mundësisë për të manovruar është i kushtëzuar nga niveli i taksave. Kur ato janë ulur në mënyrë apriori në nivele të ulëta sa rrezikojnë financimin e buxhetit dhe rrisin deficitin dhe borxhin (siç është rasti i vendit tonë), hapësirat manovruese janë të limituara.
Studimet e institucioneve të specializuara ndërkombëtare synonin njohjen më mirë të risqeve të ardhshme për ekonominë e çdo vendi dhe për ekonominë globale. Ato identifikuan një set rekomandimesh për të ndalur thellimin e krizës dhe mbështetur rigjallërimin e ekonomisë.
Këto analiza, gjetje dhe rekomandime, duhet të ishin të dobishme edhe për vendin tonë. Në studimet e Bankës Botërore që në vitin 2008, ekonomia shqiptare konsiderohej me hapësira të kufizuara për të ndërmarrë manovra fiskale për t‘iu kundërvënë rënies së rritjes ekonomike, rritjes së papunësisë dhe varfërisë. Ndaj, edhe tani BB e kushtëzon mbështetjen për vendin tonë me detyrimin e qeverisë për të përmirësuar stabilitetin e financave publike. Qeveria e mohon në çdo kohë prekjen e ekonomisë sonë nga kriza globale, ajo vazhdon të planifikojë buxhete jorealiste, duke rritur deficitin dhe borxhin.
Analiza e buxheteve të viteve 2010, 2011 dhe buxhetit të vitit 2012, tregon se qeveria vetëm formalisht u mundua të tregohej më “e matur”, por rezulton e përgjegjshme përballë risqeve të rritura.
Kjo duket qartë në disa tregues konkretë:
Qeveria vazhdoi të parashikojë një rritje ekonomike, e cila ishte 2-3 herë më e lartë se ajo që parashikonin FMN dhe BB. Kjo mospërputhje krijonte vështirësi të rritura për të mbledhur të ardhurat dhe për të ulur deficitin.
Qeveria, rënien e të ardhurave e manipulon/fsheh duke mbledhur të ardhura abuzive dhe duke mos bërë rimbursimin e TVSH-së. Këto krijojnë vështirësi deri krizë likuiditetesh për biznesin privat, duke vështirësuar rritjen e ekonomisë.
Për të fshehur përmasat reale të deficit dhe borxhit, qeveria sërish e kalon barrën te sektori privat, duke mos bërë pagesat e buxhetit ndaj kompanive private që i kanë kryer investimet publike. Në këtë mënyrë fshihet rritja e deficitit dhe borxhit, por rritet kriza e likuiditeteve të biznesit, çka reduktonte mundësinë e tyre për të ushqyer rritjen ekonomike.
Kriza e likuiditeteve të biznesit privat, si për shkak të mosrimbursimeve, ashtu dhe për shkak të mospagesave nga buxheti, rriti efektet negative domino duke prekur edhe sistemin bankar. Kreditë e këqija janë në nivelin kritik 21%. Kredia për konsumatorin dhe investitorin privat u bë më e vështirë dhe më e kushtueshme. Sipas raportit të fundit të BB, niveli i borxhit publik dhe niveli i detyrimeve të papaguara nga buxheti, e klasifikojnë vendin tonë në nivelet më të përkeqësuara krahasuar me vendet e Europës Juglindore.
Me një rritje ekonomike që sipas BERZH-it në vitin 2012 është 1.2%, por sipas qeverise shqiptare është 300% më e lartë, ose rreth 3.5% (4.3% kur u miratua buxheti vitit 2012), ekonomia jonë do të përballet me problemin në rritje të ruajtjes së stabilitetit të financave publike.
Me një borxh publik që, edhe sipas shifrave të vetë qeverisë, është mbi nivelin kritik të 60%; me një nivel të kredive të këqija në sistemin bankar rreth 21%, me taksat “më të ulëta” në botë, sipas Berishës, është e detyrueshme që kostoja e parasë në ekonomi të ulet. Në këtë këndvështrim, politika e Bankës Qendrore për uljen e kostos së parasë është një hap i duhur dhe në drejtimin e duhur.
Bazuar në të gjithë treguesit që analizuam më lart, duke mbajtur parasysh edhe efektet e uljeve të mëparshme të interesave, mundësitë që ky instrument i politikave monetare të ndihmojë gjallërimin e ekonomisë sonë, janë të vogla. Kjo konstatohet edhe në ekonomitë e disa vende ku kostoja e parasë është afër zero dhe ekonomitë e tyre vazhdojnë të kenë vështirësi të ringrihen pa reforma të tjera.
Pas disa uljeve të njëpasnjëshme të normave të interesit, edhe hapësira në të ardhmen për manovrime të mëtejshme nga Banka Qendrore sa vjen dhe kufizohet. Pra, ndodhemi në momente të vështira ekonomike, hapësira për paketa fiskale stimuluese në ekonomi është zvogëluar ndjeshëm, hapësirat për politika monetare stimuluese po zvogëlohet, kjo vërteton edhe paralajmërimet profesionale dhe shqetësimet politike të opozitës.
Kur hapësirat për politika monetare dhe fiskale zvogëlohen, hapi tjetër që bëhet i detyrueshëm është ai i paketave shtrënguese, është ai që i detyron qeveritë të ulin pagat dhe pensionet, të shkurtojnë investimet publike dhe të rrisin taksat.
Kjo po ndodh sot në të gjitha vendet në krizë. Sa më e vogël hapësira për të manovruar me politika monetare dhe fiskale, aq më e madhe përgjegjësia për të mos u vonuar në ndërmarrjen e reformave që çlirojnë rritjen ekonomike, që ndihmojnë, përmirësojnë dhe garantojë stabilitetin e financave publike.
© Panorama.al












