Ngrica në Europë vret mbi 100 veta, në Sofje ngrijnë bankomatet

Feb 3, 2012 | 12:23

Temperaturat në Europë kanë arritur nën 30 gradë në valën e fundit të të ftohtit arktik, i cili deri tani ka shkaktuar më shumë se 100 viktima. Rreth 70 prej tyre janë regjistruar në Ukrainë në harkun kohor të pesë ditëve, ku gjatë natës temperaturat kanë qenë -33 gradë celsius. Temperaturat disa gradë nën zero janë regjistruar në disa pjesë të Europës gjatë javës së fundit. Shumë zona janë izoluar nga dëbora edhe në vende ballkanike, përfshirë Serbinë, Kosovën, Bullgarinë, Rumaninë, ku banorëve të bllokuar po iu sigurohet ushqimi me helikopterë. Në Bullgari temperaturat kanë shkuar në -30 gradë celsius gjatë natës dhe sipas raportimeve të gazetës lokale “Trud” dhe agjencisë “Reuters”, edhe bankomatet e bankave kishin ngrirë nga acari. Dëbora ka shkaktuar edhe kaos në trafik pothuajse në të gjitha vendet ku reshjet kanë qenë mbi dhjetë centimetra. Moti i egër edhe në Turqi ka shkaktuar anulimin e disa fluturimeve në aeroportin e Stambollit. Vende të tjera të prekura nga temperaturat e ulëta ishin Polonia, Hungaria, Sllovenia, Belgjika, Holanda, Italia etj, ku janë ngritur qendra me ngrohje për të pastrehët ose janë hapur gjatë natës stacionet e metrove, ku ata po furnizohen me ushqime dhe po u ofrohet edhe ngrohje. Moti nuk është më i mirë në Japoni. Deri tani kanë humbur jetën të paktën 53 persona. Në disa qytete japoneze trashësia e dëborës ka arritur deri në katër metra, duke e bërë të pamundur lëvizjen. Thuhet se temperaturat e acarta do të vazhdojnë edhe në fundjavë.

© Panorama.al

Te lidhura