Ngjela: Reforma, Rama i dha PD kompromisin që të vjedhë sërish

Jul 15, 2012 | 12:00

Spartak Ngjela

Aleati i PS komenton reformën zgjedhore.

Ngjela: Saliu do  manipulimin, Rama kërkon kontrollin.

“PS i dha kompromisin PD që përsëri të vjedhë zgjedhjet, nuk garantoi votën e emigrantëve”

Aleati i Partisë Socialiste, kreu i PLiDr Spartak Ngjela, duke komentuar reformën zgjedhore, shprehet se përsëri maxhoranca mund të manipulojë zgjedhjet, ndërsa opozita vetëm mund t’i kontrollojë ato pas numërimit. Ngjela shprehet i zhgënjyer dhe më pak i garantuar se vota e tij nuk do të manipulohet apo tjetërsohet në numërimin.
Sa garanci jep për një vendimmarrje të paanshme formula e re e kompozimit të KQZ-së e veçanërisht e kryetarit të saj?
Përsëri Saliu e ka në dorë, sipas asaj që dimë deri tani, që kryetari i KQZ-së në fund votohet me 71 vota. Çështja është që opozita nuk i mori dot të gjitha ato kërkesa që kishte parashtruar për të pasur një garanci të plotë në zgjedhje. Por mori kontrollin absolut pasi është votuar. Kontrolli absolut mbas luftës nuk ka shumë vlerë.
Pse e vini në dyshim këtë?
Sepse ai manipulon zgjedhjet, i ka marrë ato dhe më pas të çon nëpër gjykata pa mbarim pasi është përcaktuar fituesi. Problemi ishte se opozita nuk duhet t’i linte atij mundësinë të manipulonte. Pra, jemi në këtë ekuacionin: Saliu do t’i manipulojë zgjedhjet, por opozita ka të drejtë t’i kontrollojë ato pas votimit! Por kjo nuk vlen. Sepse të gjithë diktatorët, të gjithë tiranët kështu i kanë manipuluar zgjedhjet dhe pastaj kanë thënë “hajde bëjmë negociata”. Ky është defekti i madh i opozicionit. Opozita duhej t’i drejtohej popullit ku t’i thoshte, “vota juaj është e rrezikuar”!
Pse i shihni kaq të rrezikuara zgjedhjet?
E para, sepse nuk u lejua kontrolli i zgjedhësit përmes kartës elektronike të identitetit. Kartat e identitetit i prodhon çdo dizajn dhe përsëri do të votohet siç kanë votuar edhe më parë, në emër të emigrantëve. Përse nuk i hapi Saliu materialet zgjedhore dhe fletët e votimit kur iu ngritën 1 milion shqiptarë në këmbë?! Sepse tek fletët e votimit kishte vjedhur votat tona, të partive që s’kishin komisioner, kurse materialet zgjedhore nuk i hapi sepse kishin votuar të tjerë në emër të emigrantëve që s’kishin ardhur fare në Shqipëri ditën e zgjedhjeve. Tri kuti u hapën dhe të tria dolën me vota emigrantësh. Asnjë kuti nuk ka qenë pa vota emigrantësh. Saliu pyeti Ponen, i specializuar për manipulime votash, duke i thënë se çfarë kutie mund të hapim për të bërë transparencën? Pone i tha: Mos hap asnjë! Ne kishim informacionet tona në këtë pikë, sepse tek të gjitha kishte vota nga emigrantët që nuk kishin qenë fare në Shqipëri atë ditë. Votimin e emigrantëve ne nuk e shpëtuam dot. Cila është arsyeja dhe cila nuk është arsyeja, nuk ka shpjegim. PS nuk pati forcë dhe arsyeja është forcë dhe populli kërkon votë të lirë. Këta i dhanë kompromisin Saliut që përsëri të manipulojë me kusht që unë do ta kontrolloj manipulimin pas zgjedhjeve. Por a mundet të bësh gjë pasi Saliu të ketë marrë zgjedhjet, ti ta mundësh përmes ankimimeve?! Atëherë do të fillojnë negociatat për lëshime territoresh. Është teoria e diktatorëve. Saliu do rrëzohet me forcë, se nuk do të dëgjojnë më shqiptarët petullat e këtyre.
Ju si qytetar i thjeshtë dhe votues dilni i zhgënjyer dhe shkoni i pasigurt në zgjedhjet e ardhshme?
Del i zhgënjyer, nëse e kupton këtë që po them unë. Ai do të dijë nëse do manipulohen ose jo zgjedhjet. Kështu siç u la, zgjedhjet janë në rrezik për votimin e emigrantëve.
Mos ndoshta gjithë kjo marrëveshje e minutës së fundit u bë vetëm për hir të statusit të vendit kandidat që të plotësojmë një nga 12 kushtet e BE-së, por pa garantuar plotësisht zgjedhjet?
Nuk di ç’të them, por arritja e statusit është gjë e madhe, por di që Saliu nuk e do statusin. Mund të jemi edhe përballë kësaj dileme politike, por Saliu nuk e do statusin, nuk e pranon dot Perëndimin, por do ta fusin me dhunë, sepse Saliu nuk donte as që NATO të hynte, por e futën me forcë. Ju e kuptoni se Shqipëria nuk ka ushtri, por është anëtare e NATO-s. Me përmbushjen e kriterit të përfundimit të reformës zgjedhore është një përpjekje për të kapur statusin, por më duket një rrugë pak e gjatë për të garantuar në fund votën e lirë dhe të ndershme. Rruga më e shkurtër ishte të hyje në BE, por të garantoje edhe votën e 2013-s. Vota e 2013-s nuk është e garantuar, se ç’do bëhet individualisht nga opozita, nga njerëzit, nga mobilizimi shoqëror, nuk e di se çfarë të them.
Aleatët e Partisë Socialiste janë të pakënaqur nga moskëmbëngulja e socialistëve për korrektimin e sistemit zgjedhor, kërcënojnë se do të krijojnë një pol të ri politik, ndoshta dhe me partitë e djathta përballë dy partive të mëdha. Ndani të njëjtin qëndrim?
Çështja e sistemit për mua nuk është fakt politik. Unë nuk jam për këto sisteme, unë jam për sistem maxhoritar të pastër, të paktën të kishim një maxhoritar të korrektuar. Sistemet e tjera nuk më interesojnë në bindjen time, në botëkuptimin tim demokratik. Unë jam për maxhoritar të pastër, këta duan proporcional të pastër. Le ta bëjnë! Unë nuk e kam këtë fakt politik për të kryer një akt politik. Nuk e konceptoj si të tillë, pavarësisht se interesi im ma kërkon. Unë nuk kam hyrë në politikë për interesin tim personal.
Ky kod e bën më bipartizan sistemin politik në Shqipëri dhe çon gjithnjë e më shumë në eliminimin e partive të vogla?
Nuk është problemi që e bën bipolar ose jo, sepse e gjithë politika perëndimore është bipolare, kjo është fryma anglosaksone në këtë qytetërim. Në funksion të demokracisë përmes votës ka dy pole, si në Amerikë, në Gjermani, në Angli, në Francë etj. Të gjitha të tjerat janë në dekadencë. Por këto dy pole ne i kemi me një sistem i cili na krijon partitokraci. Kjo është e rënda, që kryetari i partisë ka në dorë të tërë parlamentarët, siç i keni parë, kukulla që janë në parlament. Disa urdhërohen të mos votojnë, disa urdhërohen të votojnë se dua unë, pra nuk ka Parlament. Pse? Sepse nuk ka frymë maxhoritare. Prandaj unë s’kam si e pranoj këtë sistem, por bipolarizim do të ketë siç ka në të gjitha demokracitë perëndimore.

PR: Do rishikojmë koalicionin
Kreu republikan Fatmir Mediu ka lënë të kuptohet se pas reformës zgjedhore nuk përjashtohet mundësia e rishikimit të bashkëpunimit zgjedhor. “Do të shikojmë çdo lloj mënyre që ka të bëjë me jetën dhe rezultatin e Partisë Republikane, pastaj të tjerat janë krejt sekondare”, deklaron Mediu. Ai thotë se janë mundësitë për rishikimin e sistemit edhe në shtator nëse ekziston vullneti, por sipas tij deri tani ka një mungesë të theksuar vullneti nga PD.

Të majtët, drejt një poli të ri
Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo janë shprehur të gatshëm të kontribuojnë në krijimin e një poli të ri politik. “PSD dhe parti të tjera opozitare do të grupohen për të krijuar një forcë opozitare komplementare që do të kompensojë deficitin që krijohet nga Partia Socialiste. Ky grupim do të mbrojë interesat e atyre që nuk janë dakord me lëshimet e vazhdueshme deri në nënshtrim, që bëhen ndaj qeverisë së Sali Berishës”, tha Gjinushi.

LSI, Vasili: Kodi do provohet në 2013
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, gjatë një konference për shtyp tha se prova e Kodit të ri do të bëhet në zgjedhjet parlamentare të 2013-s. “Ky Kod, i arritur përmes këtij kompromisi të vështirë dhe mjaft të zgjatur dhe të tepruar në kohë, a do t’i rezistojë provës së zgjedhjeve me sukses, për të prodhuar zgjedhje të pakontestuara, zgjedhje të administruara në mënyrën më të mirë, që prodhojnë rezultatin shpejt dhe mundësojnë veprimin e qeverisë në kohën më të shkurtër. Këto janë pyetje, përgjigjen e të cilave do ta marrim në vitin 2013″, tha Vasili. Sipas tij, dy partitë e mëdha duhet të marrin përgjegjësitë e tyre për kompromisin e arritur. “Kjo përgjegjësi e madhe, që është përgjegjësi në nivel kombëtar, ka një moment verifikimi të rëndësishëm dhe ky është momenti i zgjedhjeve”, tha Vasili.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura