Ngjela: Berisha kundër SHBA për SHISH, opozita pa ide dhe program

Aug 21, 2012 | 11:47
Spartak Ngjela

Kreu i PLiDr, Spartak Ngjela, në një intervistë për “Panorama” bën analizën e tij për lëvizjet e fundit në drejtim të SHISH dhe qëndrimin amerikan ndaj tyre. Sipas tij, profili ushtarak dhe diplomatik i zv.ambasadorit të ri amerikan në Tiranë ka një domethënie në luftën kundër terrorizimit dhe bashkëpunimit të agjencive.

Duke analizuar dhe rolin e opozitës në zhvillimet politike në vend, Ngjela shprehet se ajo mbetet apatike, pa ide dhe pa një program për të ardhmen.

Zoti Ngjela, dy ditë më parë, ambasadori amerikan në Tiranë bëri një vizitë në Presidencë, në Kryeministri dhe në selinë e Partisë Socialiste, për të paraqitur zëvendësambasadorin e ri amerikan përpara Presidentit, Kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste. Ai bëri edhe vlerësimin e parë të tij për çështjen e shkarkimit të kreut të SHISH dhe emërimin e drejtorit të ri. Si e gjykoni këtë vizitë dhe këtë konsideratë me vonesë në vlerësimin zyrtar të SHBA-ve për kreun e SHISH dhe funksionimin e vetë shërbimit?

Gjendja e ngatërruar dhe aspak normale e këtij Kryeministri kundrejt politikës amerikane gjithmonë ka qenë problematike. Ka një qëndrim konstant të Amerikës për pozicionin perëndimor të Shqipërisë dhe të gjithë botës shqiptare në Ballkan, por gjithmonë ka pasur edhe një kundërshtim dhe një pengesë të kësaj politike nga Sali Berisha. Ky është fakti i vërtetë i kësaj analize. Saliu nuk ka dashur asnjëherë që Shqipëria të jetë një vend perëndimor; Dhe, që nga viti 1996, ka qenë një pengesë e madhe për zhvillimin shqiptar. Është e kotë që të merremi e të analizojmë arsyen e këtij fakti dëmtues për Shqipërinë, sepse ai është i vërtetë, dhe koha patjetër që do ta tregojë edhe arsyen. Pikërisht këtu fillon dhe mbaron i gjithë dështimi ynë në zhvillimin shoqëror; Dhe pikërisht këtu konsiston edhe vizita e fundit e ambasadorit amerikan në të tria institucionet. Shqipëria është një vend i sulmuar rregullisht nga terrorizmi islamik dhe drejtori i SHISH-it është një pikë kyçe në bashkëpunimin e CIA–s. Normalisht, në lidhje me këtë ngrihet kjo pyetje: përse ky Kryeministër ka afro gjashtë vjet që është në një luftë permanente antiamerikane në lidhje më funksionimin dhe drejtimin e SHISH-it? Përgjigjja është e thjeshtë: sepse kërkon të ndalojë luftën kundër terrorizmit islamik, që bëhet në Shqipëri nga CIA. Tjetër arsye nuk mund të ketë, përderisa në shkarkimin e shefit të Shërbimit Informativ dhe në emërimin e ri, ai as që ka denjuar te bisedojë fare me partnerin amerikan. E gjithë kjo është një aventurë banale e një Kryeministri, i cili asnjëherë nuk ka qenë për zhvillimin shqiptar, sepse nuk e do Shqipërinë në Perëndim. Në të njëjtën kohë mund të themi se e gjithë kjo ndërmarrje antiamerikane, në krye të herës është një ndërmarrje antishqiptare, sepse pengon rrjedhën e zhvillimit perëndimor të Shqipërisë. Pikërisht këtu, në këtë pengim, vjen pastaj e analizohet edhe ngjarja e fundit e SHISH-it. Por, te kjo pikë vjen dhe e gjen shpjegimin e vet edhe vizita e ambasadorit amerikan për të paraqitur zyrtarisht nëpër institucionet e veta zëvendësambasadorin amerikan në Tiranë. Kjo nuk ka precedent normal në të drejtën ndërkombëtare, prandaj në rastin tonë kjo shpjegohet me ardhjen në Shqipëri të një tjetër personaliteti diplomatik, sepse, siç duket, edhe në këtë pikë ka pasur probleme që nuk kanë shkuar. Dhe jo vetëm kaq, por zëvendësambasadori që pamë, kishte një background krejt ushtarak e diplomatik të një theksi të veçantë. Nën këtë prizëm të të parit të gjërave, mund të themi se në të gjitha ato takime është paraqitur pakënaqësia dhe dyshimi në lidhje me drejtorin e ri të SHISH-t dhe me politikën aventureske që mund të ketë në mendje Kryeministri shqiptar. Madje, kjo është arsyeja që, të nesërmen, me një gjest “presioni qesharak” kundër politikës amerikane, Saliun e pamë të dilte për të festuar Bajramin me një kravatë jeshile e me klerikë. Por sigurisht që është për të qeshur, sepse ende nuk kupton ky karagjoz që nuk mund të ecet me një politikë të tillë bllokuese në Shqipëri. Megjithatë, unë mendoj se politika shqiptare, e gjitha duhet të angazhohet në neutralizimin e këtij aventurieri oriental, që duket sikur është mbeturina e fundit otomane në Shqipëri.

Vendimet e fundit të Presidentit Nishani me shkarkime dhe gradime, si në SHISH ashtu dhe në Ushtri, u komentuan si lëvizje të Kryeministrit për të shpërqendruar vëmendjen ndaj çështjeve ekonomike apo atyre të turizmit. Si i gjykoni ju këto?

Jo, unë nuk mendoj kështu: këto veprime janë orvatja e fundit e dëshpëruar e Saliut për të mbajtur me dhunë pushtetin në Shqipëri, dhe s’kanë fare lidhje me çështjet ekonomike….

(Intervisten e plote me kreun e Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela e lexoni ne numrin e sotem te gazetes, Panorama)

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura