“Ngjarje në tokë”, jetëshkrimi poetik i Preç Zogajt

Feb 2, 2012 | 12:34

Preç Zogaj, dje në promovimin e librit “Ngjarje në tokë”

U prezantua dje libri me poezi të zgjedhura

Prezantuar më parë në SHBA, vëllimi sjell krijimtarinë më të mirë të 25 viteve

Nëse do ta pyesje atë vetë se ç’është më shumë politikan apo poet, ndoshta nuk do të dinte të përgjigjej.. E rëndësishme është që ai nuk është një politikan në poezi e ndaj vargjet e tij janë të dashura e lexohen në çdo kohë. Sa herë që tregut të librit i shtohet një libër i mirë është ngjarje për lexuesit e një atmosfere të tillë i shkon fare mirë edhe vëllimi poetik i Preç Zogajt, “Ngjarje në tokë”, i cili më parë i është prezantuar lexuesit amerikan nën titullin “Occurrente on Earth”. Dje, këtë ngjarje të karrierës së tij poetike Zogaj e ndau me miq e kolegë, të cilët kishin mbushur sallën “Balsha” të Hotel Tiranës. Politikanë, gazetarë, artistë… ndodheshin aty jo thjesht për t’i kthyer “borxhin”, por për të ndarë një moment ndryshe, larg prozaizmit të së përditshmes çmendurake. “Ngjarje në tokë”, një botim i shtëpisë botuese “Tirana Times”, është një përmbledhje poezish të zgjedhura, të shtrira në 25 vjet kohë dhe në 9 vëllime poetike. Datojnë qysh në vitin 1985 dhe hyjnë deri në ditët tona. Janë poezi ku ka shumë jetë, por edhe vdekje, por më së shumti dashuri dhe jo më kot botuesi i këtij libri do të thoshte se frymëzimi i Zogajt është pikërisht dashuria, të cilën ai e gjen te familja, nëna, vajzat, gruaja, toka, qyteti i lindjes… “E mora për dore trishtimin”, “Vdekja ikën dhe vjen”, “S’po kthehet”, “Të gjitha vdekjet”, “A do ta dish”, “Koha shtesë”, “Duke dalë nga Firence”, “Më donte vërtet”, “Zgjimi im”, “Zemër”, “Në orën pesë pasdite”, “Në shtëpinë e prindërve”…, janë disa nga poezitë e përfshira në këtë vëllim, i cili është edhe një dëshmi e rritjes së poetit. Për të dalë pak jashtë kornizave të promovimeve të mërzitshme, pjesë të panelit Zogaj ka bërë edhe këngëtarin Frederik Ndoci, i cili me një kitarë këndoi një nga këngët më të bukura të fondit të muzikës së lehtë shqiptare: “Sytë e tu”, me muzikë nga Ardit Gjebrea, por që pak e dinë se tekstin e kësaj kënge të ndier e ka bërë pikërisht Preç Zogaj. E më pas, siç e do zakoni, dy fjalë do të thuheshin për librin dhe poetin. Sipas studiuesit Pirro Misha, ajo çka është interesante në gjithë krijimtarinë poetike të Zogajt, është ai mur i pakalueshëm që ai ka ngritur brenda vetë qenies së tij. Ai mur që ndan Zogajn, poet të ndier dhe intim, nga politikani, i cili debaton, ngre zërin. Ai e quajti një “skizofreni” e imponuar nga ditët tona, por zotësia e Zogajt është pikërisht te ngritja e atij muri dhe ruajtja me fanatizëm e atyre dy “vetave” që gjallojnë brenda tij. Ai shtoi se përmes këtij vëllimi mund të shohësh edhe evoluimin që ka pësuar poezia e Zogajt, duke krahasuar datat e poezive me ngjarjet e së përditshmes. “Nuk është aspak e vështirë të pikasësh sesa më i ashpër, i vështirë jopoetik të jetë realiteti, aq më intime personale njerëzore e bukur, e brishtë bëhet përthyerja e tij poetike”, tha Misha. Gazetari dhe poeti Bujar Xhaferri e vendos bindshëm Zogajn në aradhen e poetëve shqiptarë, të atyre që përmes eksperimentimit trajtojnë tema të mëdha, universale. Ndërsa vetë Zogaj, teksa do të falënderonte gjithë të pranishmit për pjesëmarrje dhe për kohën që u kishte marrë me këtë takim, u shpreh se do të ndihej disi fajtor për këtë kohë të humbur, nëse nuk do të ishte i vetëdijshëm se poezia është një mbretëreshë e arteve, është një vështrim i veçantë mbi botën, që do ta shoqërojë njerëzimin përgjithmonë. Aq më tepër që ajo ka fuqinë që përmes metaforës të flasë për dy pushtete që vërtisin botën, dashurinë dhe vdekjen. E më pas kjo ngjarje do të blatohej me një gotë verë dhe me autografe që autori shënoi miqësisht mbi librin që përmbledh 25 vite të jetës së tij.

Pirro Misha: Preçi e përballoi dhe politikën, dhe poezinë
Studiuesi dhe botuesi Pirro Misha e konsideroi “jetëshkrim poetik” të Preç Zogajt vëllimin “Ngjarje në tokë”. Ai e quajti të thjeshtë, të qartë, poezi të ndjenjës e mbi të gjitha të bukur poezinë e Zogajt. “Mbaj mend që në kohën kur Preçi doli për herë të parë si emër, si poet, ishte një brez i tërë poetësh dhe prozatorësh që premtonin mjaft. Me kalimin e viteve dhe sidomos me ndryshimet që ndodhën në vitet ’90 me përfshirjen në politikë të shumë prej tyre, shumë nuk ishin në gjendje t’i përballonin të dyja bashkë edhe politikën, edhe jetën me sfidat e reja, poezinë dhe prozën, kështu që u zhdukën dhe u harruan, pavarësisht se mund të kenë lënë pas dhe shumë gjëra të vlefshme. Preçi është nga ata poetë që është zhvilluar, ka ecur e poezia nuk është ndarë kurrë prej tij”.

Bujar Xhaferri: Forma të reja për të sjellë universalen
Përveçse vlerësoi krijimtarinë 25-vjeçare të mikut dhe kolegut të tij të hershëm, gazetari dhe Bujar Xhaferri na dha edhe një lajm të mirë. Gjatë promovimit të vëllimit poetik “Ngjarje në tokë”, e poetit Preç Zogaj, Xhaferri ndoshta pa dashur bëri me dije një ngjarje tjetër, atë të botimit të një vëllimi të veçantë me tre poetët e Lezhës, Ndoc Gjetja, Rudolf Marku e Preç Zogaj, që sollën një frymë të re në poezinë shqipe dhe shënjuan brezin që i takuan. Xhaferri, si një nga lexuesit e përhershëm të poezisë së  Zogajt, u shpreh se krijimtaria e tij të jep mundësinë për t’u larguar nga një realitet, ku dominon gjykimi i ashpër për gjërat. “Preçi vazhdon të eksperimentojë mënyra të reja për përshkrimin e temave universale”, tha Xhaferri. Sipas tij, krijimtaria e dhjetë viteve të fundit të Preç Zogajt ia ka konsoliduar statusin si poet shqiptar.

Ia vlen të “humbësh” kohën për poezinë
Kjo është një ngjarje e shënuar për mua personalisht dhe për botuesin “Tirana Times”. Ishte dëshira jonë që të tentojmë ta ndajmë këtë ngjarje bashkë me miqtë, me lexuesit, me kolegët. Falënderoj ambasadorin e Danimarkës, shefin e opozitës Edi Rama dhe një person që mungon, që quhet Gjek Marinaj dhe që është përkthyesi i poezive të mia në anglisht. Varianti në anglisht i këtij libri është botuar pak më parë. Është rasti që nga kjo sallë të shqiptojmë një falënderim për Gjek Marinajn jo vetëm si përkthyes të poezive të mia, por edhe si një nga ambasadorët më të mirë të poezisë shqipe në SHBA, një studiues i cili përpiqet të popullarizojë, të bëjë të njohur sa më shumë poetë të shquar shqiptarë në tokën amerikane. Falënderimet më të mëdha i kam për shtëpinë botuese “Tirana Times”, veçanërisht për drejtuesin e saj, zotin Albert Rakipi, i cili pati këtë ide për librin. Edhe pse promovimi është organizuar nga “Tirana Times”, do ndihesha keq që ju të gjithë artistë, lexues, intelektualë, keni lënë punët tuaja dhe keni ardhur këtu. Do të ndihesha keq që ju kemi marrë këto minuta po të mos kisha vetëdijen për dy gjëra: e para, se poezia vazhdon të jetë diçka shumë e rëndësishme në këtë botë, në këtë jetë. Jo më larg se vitin e kaluar, juria e “Nobel”-it i dha çmimin një poeti dhe kjo ndodh periodikisht çdo 7-8 vjet, si për të promovuar vlerën e pavdekshme të poezisë, që jo rastësisht është konsideruar gjithmonë një mbretëreshë e arteve. Pra, vazhdon të shkruhet poezia, ekziston poezia, ekziston kjo mënyrë të menduari dhe të artikuluari, që nuk e zëvendëson as muzika, as piktura, ekziston ky vështrim poetik, kjo botë virtuale me një pikëpamje që buron nga fjala poetike me gjithë mjetet që ajo ka përsosur nëpër vite. Dhe ky është një vështrim që do ta shoqërojë jetën njerëzore deri në fundin e vet. Mjafton të kujtojmë këtu një shprehje të Tomas Eliotit, i cili thotë se poezia përveçse bashkon disa veti të arteve të tjera në një, ka një vend të pazëvendësueshëm dhe autentik, sepse ajo është e vetmja që mund të flasë përmes metaforës për dy gjëra madhështore, hyjnore dhe misterioze që janë: dashuria dhe vdekja. Është vetëm poezia që arrin përmes gjuhës metaforike të shpalosë pafundësisht këtë.  E dyta është që kjo që promovojmë sot, është poezi. Unë jam një autor që kam dalë nga letërsia shqipe dhe u detyrohem shumë poetëve shqiptarë të traditës dhe të modernitetit. Poetëve të vdekur dhe poetëve të gjallë. Në gjithë artikulimet e mia edhe si shkrues recensash apo si esesist, më është dhënë rasti të flas për gjithë këtë plejadë poetësh, për gjithë këtë koncert të poezisë shqipe, e cila ka vendin e vet, ka një faqe të vetën në historinë e poezisë së botës, si histori unikale dhe e përbotshme e shpirtit. Dhe vetë poezia, siç është pranuar tashmë, është historia e shpirtit. Gjuha shqipe me poetët e saj merr pjesë herë modestisht e herë më shumë se kaq, në krijimin e kësaj gjuhe të shpirtit. Këto janë dy arsyet që doja t’i përmendja në këtë takim. Janë dhënë shumë përcaktime për poezinë dhe asnjëherë përfundimtare. Unë doja të citoja një thënie që Borgesi e citon nga Colridge: Sikur një njeri të përshkonte në ëndërr parajsën dhe t’i jepnin një lule si provë që ka qenë aty dhe duke u zgjuar ta gjente në dorë atë lule… Çfarë do të ndodhte?. Poezia në fakt është kjo lule, por në libër jo në dorën e autorit, kurrë. Nuk jam unë që e kam shkruar librin. Unë e kam këtë lule, por është në libër. E unë tashmë nuk jam më autori, jam ky që po flas para jush në këtë ditë dimri me ngrica në Tiranë. Ju falënderoj që ishit të pranishëm në këtë festë të poezisë sime.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura