
Odise Roshi e ka kuptuar me vonesë se mediat në Gjermani nuk mund t’i trajtosh njësoj si gazetarët në Shqipëri. Ai ka bërë një gabim ditën që shënoi golin e fitores, duke mos pranuar të flasë për gazetarët. Menjëherë pas kësaj, drejtuesit e klubit i kanë këshilluar të jetë më i kujdesshëm me mediat dhe, dje, talenti i Kombëtares shqiptare ka pranuar të intervistohet. Në një deklaratë të dhënë për “rundschau-onilne.de”, mesfushori fierak ka pohuar se kishte pasur shumë vështirësi për t’u sistemuar dhe për t’iu rikthyer besimi. “Të them të drejtën, nuk e pata të lehtë në fillim, pasi unë vij nga një vend ku futbolli ndryshon shumë me atë që luhet në Gjermani, por gjithsesi mendoj se po eci mirë dhe shpresoj të vazhdoj kështu”, ka thënë 20-vjeçari, që me golin e tij i dhuroi një fitore historike Këlnit të dielën e kaluar. Pas refuzimit të deklaratave për mediat pas ndeshjes, Roshi menjëherë u etiketua nga gazetarët gjermanë si lojtari më i turpshëm i Këlnit. Megjithatë, futbollisti nuk ngurron të pohojë se ka një të dashur po aq të bukur sa ajo që ka Kristiano Ronaldo (Irina Shaik), porse do të donte që të shënonte aq shumë gola sa ai. I pyetur nga gazetari nëse ishte e vërtetë se Roshin e krahasonin në vendin e tij (Shqipëri) me Ronaldon, futbollisti ka thënë: “Po, shpesh më kanë krahasuar për atë. Unë mendoj se i kemi disa të përbashkëta. Për shembull, jemi të shpejtë, qethemi shkurt, madje edhe të dashurën e kam po aq të bukur sa ajo e Ronaldos…(qesh). Megjithatë, për të më krahasuar me të, duhet që të shënoj po aq gola sa ai dhe ky është një mision shumë i vështirë”, ka thënë futbollisti i përfaqësueses shqiptare.
© Panorama.alErvin Skela
Në realizimin e intervistës ka ndihmuar edhe ish-mesfushori i Shqipërisë, Ervin Skela. Ky i fundit ka bërë rolin e përkthyesit mes Odise Roshit dhe gazetarëve gjermanë, pasi talenti fierak ende nuk ka mësuar aq mirë gjermanisht sa të shprehet lirshëm. Skela kishte shkuar t’i bënte një vizitë patriotit të tij dhe më atë rast është bërë edhe ai një lloj protagonisti. Skela është tërhequr nga futbolli i luajtur, pasi nuk arriti të gjente një skuadër në merkaton e verës. Sakaq, ai ka zgjedhur të jetojë në Gjermani së bashku me familjen.Solbaken: Shqiptari u mërzit, donte të ikte
Trajneri i ekipit të Këlnit, Stale Solbaken, ka pranuar se njeriu i tij i javës, Odise Roshi nga Shqipëria, i cili i siguroi ekipit fitoren në ndeshjen e së dielës te Karizerslautern, kishte menduar kthimin e tij në shtëpi. Fitorja kishte jehonë, sepse Këlni nuk fitonte në fushën e Kaizerslauternit prej 22 vitesh, ndaj edhe goli i mesfushorit kuqezi u shënua shumë në Gjermani. “Ai (Roshi) luajti shumë mirë për vetëm dy minuta sa shënoi golin. Ai ishte një botë krejt tjetër, por është interesante se ai kohë më parë ndihej keq me ambientimin, duke menduar edhe kthimin në shtëpi”, ka thënë Solbaken. Ai pas shënimit të golit i është hedhur në krah trajnerit për ta falënderuar për mbështetjen që i kishte dhënë. Trajneri ka lavdëruar shqiptarin, por edhe ekipin. “Cilësitë e tij nuk kanë qenë asnjëherë në diskutim. Jam shumë i kënaqur edhe me skuadrën”.











