Ngec Tirana, Teuta u bën nder kampionëve

Sep 15, 2012 | 13:07

Teuta - Tirana 1-1

Në pritje të sfidës Bylisi-Skënderbeu, bardheblutë përkohësisht në krye.

Lojë e dobët e me pak raste, në Durrës fiton… mërzia.

Tirana ka barazuar në fushën e Teutës së Durrësit, duke marrë përkohësisht kryesimin e Superiores në pritje të sfidave të tjera të javës së tretë. Sytë nga Vlora, ku luhet Bylisi-Skënderbeu.  Një 90-minutësh i vakët, me pak raste për shënim dhe me një lojë nën nivelin mesatar. Në pjesën e parë ishin vendësit më këmbëngulës e superiorë, ndërsa në fraksionin e dytë dominoi në tërësi formacioni bardheblu. Nga një gol në secilën pjesë, ku nuk munguan edhe debutime trajnerësh e lojtarësh (Begeja, Limani dhe Fabio Hoxha), çka solli edhe golin e parë për portën e Ilion Likës. Ky i fundit nuk kishte pësuar ende gola në dy javët e para të Superiores, deri në momentin kur në minutën e 6-të të pjesës së parë Deliallisi merr përsipër të godasë nga jashtë, duke shënuar një gol mjaft të bukur. Goli vetëm sa e përforcon edhe më shumë këmbënguljen durrsake, që duket tepër e vendosur për të marrë maksimumin ndaj një kundërshtari të hutuar, lojtarët e të cilit kërkojnë të reagojë më së shumti në mënyrë individuale me anë të Klodian Duros dhe Gilman Likës. Frymëzuesi i lojës së durrsakëve në mesfushë është i riu Deliallisi, ndërkohë që mbetet “jashtë funksioni” në tërësi Veliaj, një fantazist i spikatur në të shkuarën. Interesante janë duelet në fundore, mes Morinës dhe Jakupit, apo mes të riut Marku me Gilman Likës. Nëse mbrojtësi veteran ia del me sukses ndaj të riut bardheblu, vuan Marku përballë shkodranit të talentuar të bardhebluve, krah në të cilin spostohet e tërë manovra ofensive e kryeqytetasve. Gjithsesi, reagimi i Tiranës do të vijë vetëm në pjesën e dytë. Në minutën e 64-t, pas një aksioni me shumë stacione të miqve, topi gjen këmbët e Ahmatajt, i ardhur nga mbrojtja, i cili nuk heziton të përmbyllë me një goditje “vdekjeprurëse” për Rizavanin, duke i barazuar shifrat. Ndeshja rihapet, me kryeqytetasit tashmë më të konsoliduar psikologjikisht, që tentojnë ta mbajnë në pozita pritëse Teutën, duke ushtruar presing në gjysmëfushën e saj. Duket qartë se të dyja palët tentojnë golin e epërsisë, sepse kërkojnë medoemos maksimumin në këtë 90-minutësh, por kjo dëshirë mbetet e parealizuar, sepse golat e Deliallisit dhe Ahmatajt mbetën të pandryshuar, duke ndarë nga një pikë mes të dyja skuadrave.

Lekbello
Artur Lekbello është kandidati më i mundshëm për të marrë drejtimin e Tiranës, madje emri i tij qarkulloi dje para ndeshjes me Teutën si tekniku i ri i zyrtarizuar në krye të bardhebluve. Por më pas, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, administratori Salih Tagani mohoi çdo gjë. “Jo, unë personalisht nuk kam firmosur asnjë kontratë me askënd. Jemi ende në pritje të zgjedhjes së trajnerit të ri”, ka pohuar ai. Sakaq, kandidatë janë edhe Antonin Naçi, Edvin Murati, Zoran Buliç, Gjore Jovanovski dhe Alban Tafaji.

Superiore/ Java 3
Teuta-Tirana    1-1
Shënues: Deliallisi 6’/ Ahmataj 64’

SOT
Apolonia-Kukësi    14:00
Bylisi-Skënderbeu    14:00

NESËR
Tomori-Flamurtari    14:00
Shkumbini-Besa    14:00
Vllaznia-Luftëtari    17:00

E HËNË
Laçi-Kastrioti    14:00

Renditja
Nr. Ekipi    ND    P

1. Tirana    3     7
2. Skënderbeu     2     6
3. Besa    2     4
4. Luftëtari    2     4
5. Kastrioti     2     4
6. Laçi    2     4
7. Teuta    3     4
8. Kukësi    2     2
9. Bylisi    2     1
10. Flamurtari     2     1
11. Apolonia    2     1
12. Vllaznia    2     1
13. Shkumbini     2     0
14. Tomori    2     0

© Panorama.al

Te lidhura