Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me tragjedinë që i mori jetën pesë zhytësve italianë në Maldive. Hetuesit kanë rindërtuar tashmë minutë pas minute atë që ndodhi në zhytjen fatale brenda shpellës nënujore ku grupi humbi orientimin dhe mbeti pa oksigjen.
Sipas autoriteteve, pesë zhytësit kishin hyrë vullnetarisht në shpellë, hyrja e së cilës ishte e madhe dhe lehtësisht e dallueshme. Fillimisht ata kaluan në një dhomë të parë shumë të gjerë dhe më pas vijuan në një korridor rreth 30 metra të gjatë, i cili, sipas dëshmive të zhytësve të tjerë që e kanë eksploruar më herët, ka një formë të lakuar si “S” dhe zbret drejt një dhome të dytë.
Pasi eksploruan edhe këtë pjesë të shpellës, grupi tentoi të kthehej pas, por aty nisën problemet fatale. Hetuesit dyshojnë se zhytësit humbën orientimin gjatë kthimit për shkak të kushteve të vështira brenda shpellës.
Zhytësit profesionistë që inspektuan zonën kanë bërë me dije se dalja nuk është e lehtë për t’u identifikuar. Rrymat nënujore lëvizin rërën në fund të shpellës dhe krijojnë grumbullime sedimenti pikërisht në pjesën ku korridori ngjitet, duke dhënë iluzionin sikur hyrja është e mbyllur.
Në krahun e majtë ndodhet një tjetër tunel, i cili duket i hapur dhe i aksesueshëm, me përmasa të ngjashme me korridorin kryesor. Por në të vërtetë ai nuk ka dalje dhe përfundon në një tunel qorr.
Pikërisht në fund të këtij tuneli pa dalje u gjetën trupat e katër prej zhytësve të hënën. Sipas raportimeve, asnjëri prej tyre nuk kishte shenja plagësh apo nuk ishte bllokuar fizikisht. Dyshohet se të gjithë humbën jetën pasi u mbaroi oksigjeni.
Ndërkohë, kapiteni Gianluca Benedetti u gjet pranë korridorit që të çonte drejt daljes. Hetuesit po verifikojnë nëse ai kishte arritur të gjente rrugën e kthimit apo po priste pjesën tjetër të grupit.
Dyshimet për pajisjet
Një nga pikat kyçe të hetimit lidhet me pajisjet e përdorura gjatë zhytjes. Dyshohet se grupi kishte me vete vetëm drita ndriçimi, por jo “Fijen e Ariadnës”, një litar orientues që përdoret zakonisht në zhytjet në shpella dhe që mund t’i kishte ndihmuar të gjenin daljen.
Gjithashtu, në bordin e anijes kishte vetëm bombola standarde ajri për zhytje rekreative, me kapacitet 11 ose 13 litra, dhe jo bombola me gaz Trimix, të nevojshme për zhytje në thellësi mbi 60 metra. Ky gaz special redukton efektin narkotik të presionit në thellësi dhe lejon qëndrime më të gjata nën ujë.
Ekspertët theksojnë se me bombola të zakonshme, në ato thellësi mund të qëndrohet vetëm pak minuta.
“Vetëm për të arritur hyrjen e shpellës, që ndodhet në 50-55 metra thellësi, u janë dashur disa minuta. Pastaj humbën orientimin dhe kjo rezultoi fatale”, deklaroi Laura Marroni, drejtore e DAN Europe, organizata që koordinoi operacionin e shpëtimit.
Hetimet për lejet dhe certifikimet
Një tjetër element nën hetim janë lejet dhe certifikimet e viktimave. Profesorja Monica Montefalcone kishte autorizim për kërkime shkencore deri në 50 metra thellësi, por sipas Universitetit të Genovës, hyrja në atë shpellë nuk ishte pjesë e planit të miratuar të kërkimit.
Gjithashtu, në listën zyrtare të kërkuesve nuk figuronin emrat e vajzës së saj Giorgia Sommacal dhe të kapitenit Benedetti.
Sipas avokates së kompanisë që menaxhonte anijen, asnjëri prej pesë zhytësve nuk kishte certifikim specifik për zhytje në shpella nënujore.
© Panorama.al













