Një traktor i fundosur në det është sekuestruar ditët e fundit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në grykëderdhjen e lumit të Semanit në Fier.Zbulimi i traktorit në fjalë, me gjithë rimorkion, është bërë në kuadër të hetimeve që po zhvillohen nga Prokuroria për tentativën e datës 1 prill 2011, për trafikimin e 1.2 tonëve lëndë narkotike nga zona bregdetare e Fierit. Sipas burimeve nga Prokuroria, mësohet se të paktën dhjetë metra nga bregu i detit prej rëre, në ujë është gjetur dhe sekuestruar traktori që ka shërbyer për transportimin e drogës, e cila do të vendosej më pas në një skaf me tre motorë. Sipas burimeve nga hetimi i çështjes, grupi kriminal që tentoi trafikimin e drogës nga grykëderdhja e Semanit në drejtim të Italisë, e ka mbledhur lëndën narkotike në fshatrat e Vlorës e më pas e ka ngarkuar në traktor. Ky mjet është përdorur më pas për ta çuar deri në breg të detit ngarkesën me hashash. Duke qenë se traktori ishte i lartë, ai ka hyrë në det duke ecur të paktën dhjetë metra, derisa është fundosur në një pjesë të mirë të tij në ujë. Në këto kushte, skafi që do të merrte drogën nuk ka pasur nevojë të afrohej deri në tokë. Ai është afruar në ujë dhe trafikantët kanë nisur të hedhin thasët nga rimorkioja e traktorit në skaf. Traktori mësohet se kishte hyrë në det duke shfrytëzuar procesin e baticë-zbaticës, në momentin e tërheqjes së ujit. Duke qenë se ngarkimi i thasëve të drogës në kamion vonoi, gjatë kësaj kohe deti është bërë me dallgë dhe fillimisht traktorit i ka hyrë ujë në motor dhe është fikur. Më pas, krejt mjeti është fundosur në det rreth 10-12 metra larg tokës. Sekuestrimi i traktorit pritet t’i ndihmojë hetuesit në sqarimin e ngjarjes përmes verifikimit të pronësisë. Pas mbetjes së traktorit në det, policia mbërriti aty më 1 prill 2011 dhe sekuestroi 1.2 tonë drogë, e cila ishte paketuar në 92 thasë dhe shumica e saj ishte vendosur në skaf. Aksioni u organizua nga Policia e qarkut të Fierit. Lënda narkotike kishte si destinacion Italinë. Policia ka deklaruar se 1 ton e 200 kg hashash do të transportoheshin me një skaf të huaj drejt vendit fqinj, ndërsa ishte paketuar në 92 thasë. Prokuroria e Krimeve të Rënda filloi menjëherë hetimet në lidhje me ngjarjen, por autorët e kësaj tentative trafiku mbetën të paidentifikuar, pasi shumica e thasëve të lëndës narkotike ishin lagur në ujë, ndaj edhe ekzaminimet e shenjave të gishtave nuk ndihmuan.
TRAZHGIM SOKOLAJ











