Një 27-vjeçar mbeti i plagosur rëndë mbrëmjen e djeshme në Tiranë, pasi u qëllua me një plumb në gjoks pas një konflikti për një femër.Ngjarja ndodhi rreth orës 21:15, në rrugicën përpara një shkolle 9-vjeçare te zona e njohur si “Xhamlliku”. I plagosuri, sipas Policisë, është shtetasi Sidrit Thanasaj, 27 vjeç, banues pranë vendit të ngjarjes, te rruga “Ali Baushi”. Sipas burimeve policore nga vendi i ngjarjes, Sidrit Thanasaj ka marrë një plagë në gjoks pasi është goditur me një plumb pistolete të kalibrit të vogël. Ai është transportuar drejt Spitalit Ushtarak dhe deri në orët e vona të mbrëmjes ndodhej në sallën e operacionit, ku mësohet se mjekët i kanë hequr plumbin, që fatmirësisht nuk i ka prekur zemrën, edhe pse i ka kaluar fare pranë. Burime nga Policia thanë se ngjarja ka ndodhur pas një sherri të momentit në rrugë dhe as i plagosuri, as autori nuk e njihnin njëri-tjetrin. Policia sqaroi se është identifikuar dhe është shpallur në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes, emri i të cilit nuk u bë publik për arsye hetimi. Ndërsa nga marrja në pyetje e disa personave që ndodheshin në lokalin pranë vendit të ngjarjes, rezulton se ngjarja ka ndodhur pas një sherri për një femër. Sipas dëshmitarëve, Sidrit Thanasaj ka ngacmuar një vajzë që po kalonte në rrugë, e cila ishte drejtuar për te lokali ku e priste i dashuri i saj përballë shkollës 9-vjeçare. Skenën e ka parë djali që priste vajzën, i cili ka dalë me nxitim nga lokali dhe pasi ka debatuar me 27-vjeçarin, ka nxjerrë një armë nga brezi dhe ka qëlluar një herë në drejtim të tij, më pas është larguar duke u shpallur në kërkim nga policia. Mësohet se dy oficerë të krimeve kundër jetës presin përmirësimin e gjendjes shëndetësore të të dëmtuarit në mënyrë që ta marrin në pyetje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Policia tha mbrëmë se ka identifikuar autorin e ngjarjes, i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij. Pasi ka shtënë me armë ndaj 27-vjeçarit, autori i krimit mësohet se është larguar nga vendi i ngjarjes bashkë me vajzën që u bë shkak i sherrit. Megjithatë, dëshmitarët në vendin ku mbeti i plagosur 27-vjeçari kanë dhënë deklarime në polici duke mundur të identifikojnë autorin e krimit.
ETLEVA DELIA











