NGA UVIL ZAJMI
Nga Katia Riciareli, Ana Oksa, Lucio Dala, Pipo Baudo te Masimo Ranieri. Të gjithë artistë kalibri të spektakleve, personalitete absolutë të artit muzikor bashkëkohor italian, të pranishmëm përballë publikut shqiptar, tejet pasionant dhe njohës i mirë i tyre.
Por, në veçanti ajo me Ranierin, ka një histori të veçanet, emocionues, kur e dëgjon ta rrëfejë një tjetër figurë e madhe e vlerave artit kombëtar, Maestro Zhani Ciko: “Ishte Traviata ajo që na bashkoi, që solli në Tiranë këngëtarin e pëlqyer, njeriun e “Perderei l’amore”, “Erba di casa mia”, “Vent anni”, fituesin e Sanremo-ve, Canzonisima-ve.
Ajo ka qenë një eksperiencë, një bashkëpunim i paharruar, me një artist, sa i madh, imponues në skenë, me një karrierë brilante, po kështu edhe si regjizor, aq i thjeshtë në jetë. E tillë ka mbetur ajo javë për mua, grupin e artistëve të Teatrit të Operës e Baletit, që patëm fatin të punojmë me të dhe të realizojmë në skenën tonë veprën e famshme të Verdit”, thotë për “Panarama”, mjeshtri Zhani Ciko.
Z. Zhani, jeni shumë i ri, kur në fillim si violinist caktoheni në TOB, pastaj drejtues i tij?
Në vite të ndryshme të jetës time më ka qëlluar që dy herë në momente të rëndësishme të ndodhem në të njëjtin institucion të rëndësishëm të muzikës, artit shqiptar. Më 1967 pas diplomimit fillova si violinist në orkestrën e TOB-it. Për një qëndrim tim pro kulturës botërore pro hapjes, më 1970 më emëruan drejt artistik të TOB dhe Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore. Kjo ishte hera e parë. Isha vetëm 25 vjeç. Ndër disa iniciativa të miat në atë kohë ishte edhe që të shmangej sa të ishte e mundur mbyllja vetëm me veprat muzikore shqiptare. Në e tillë ishte edhe opera Traviata e Verdit.
Me Traviatën në start, por nuk është e lehtë?
Ka qenë viti 1972 kur bashkë me piktorin Ali Oseku, shok I klasës time dhe regjisorin Mihallaq Luarasi, vendosëm të bëjmë një Traviatë ndryshe që vihej për herë të dytë në skenë në kohën time, por në një vështrim tjetër. Jo për një Traviatë në kuptimin natyralist, realist me Violetën në sallonin e saj, por një Traviatë ku skenografia dhe regjia të ishin pjesë e një vizioni tjetër. Kjo kishte ndodhur edhe në Itali, ku ishte shfaqur një Traviatë revolucionare e Lukino Viskonitit. Shfaqja pati sukses, u fol shumë, por që u shfrytëzua edhe nga forcat regresive për të na sulmuar. Jeta ime kaloi në dallgë të ndryshme, por në të njëjtën kohë, pikërisht ata që ishin përpjekur të na shkatërronin jetën, nuk mundën sepse zhvillimet u bënë të tilla, pasi puna vetë e foli.
Një rikthim që koincidon në të njëjtin muaj, por në kohë të ndryshme?
Kështu pas 30 vitesh më 2003, rikthehem përsëri, në të njëjtin muaj, në maj ika, në maj u ktheva, por si Drejtor i Përgjithshëm i TOB-it, pasi kisha kaluar në RTSH, një karrierë të rëndësishme.
Me vajtjen për të dytën herë në këtë institucion, në atë përzgjedhjen time artistike, pata rastin të bashkëpunoj me artistë të ndryshëm shqiptarë por edhe të huaj, ashtu si kisha bërë edhe në RTSH, ku kisha sjellë nga Pipo Baudo, Ana Oxa, Lucio Dalën të muzikës së lehtë, figura madhore të artit Italian të ftuar për të kënduar në festivalet tona.
Maestro, cilat ishin motivet, pse zgjodhët Ranierin?
Në TOB, pata mundësi të tjera, të bëj një bashkëpunim më të gjerë, ndër të cilat me Teatrin e Operës së Romës, ku me mbësh- tetjen e tyre pata dhënë disa shfaqje. Ndërkohe, pas një Traviate që e gjeta në opera të bërë nga regjisori Niklin Gurakuqi, në projektet e mia ishte edhe rivënia e Traviate tjetër, sepse një lajm mbërriti në veshët e mi. Në Operën e Triestes, sapo ishte realizuar një Traviatë e vënë në skenë nga një prej artistëve që unë e kisha admiruar në fushën e këngës, siç ishte Masimo Ranieri.
Ajo që më nxiti, edhe më shumë e që zgjodha që këtë vepër ta bëja me Ranierin, ishte se ai kishte preferuar dy lirike shqiptare, duke zgjedhur një këngëtare të njohur tonën, në kulmin e saj e që shquheshe në atë kohë, si Inva Mula, dhe një tjetër që ishte në fillimet, hapat e para të lulëzimit, Ermonela Jaho, ish-studentja ime në Liceun Artistik, që po ngjiste shkallët e suksesit me marramendje. Një rast të tillë unë nuk mund ta linja pa e shfrytëzuar për publikun tonë. Kjo ishte pikënisja, dhe që më intrigoi.
Dëshira, interesimi, kërkesa juaj gjen aprovim, përgatitet ardhja e tij?
Pas një bashkëpunim me agjencinë e tyre në Itali, menaxherin Franco Silvestrin arrita të siguroj që Masimo Ranieri të thotë “Po”, do shkoj në Shqipëri, të bëj Travietën, duke pranuar edhe një pagesë që i caktuam që për një regjisor me emër, të njohur ishte simbolike, duke bërë një reduktim sa më të mundshëm, sigurisht falë një menaxhimi të kujdesshëm timin dhe mbështetjes së ambasadës italiane, munda të siguroj sasinë e kërkuar, mesa më kujtohet, rreth 10 milion lireta, që përfshinte edhe rivënien e shfaqjes. Përcaktuam datën kur ai do të vinte dhe kohën që do të qëndronte këtu.
Ranieri zbret në Rinas, e pret një konferencë shtypi pak ndryshe
Sigurisht ardhja e Ranierit ishte një ngjarje e veçantë. Jemi në ditët e para të majit, 2007, dola në aeroport, ishte bashkë me një asistente regjisore të tijën, jo operistike, dhe me menaxherin. Nga Rinasi erdhëm në Tiranë, dhe menjëherë te 15-katëshi ku në hollin e tij do të zhvillohej një konferencë shtypi. Aty edhe do të akomodohej, si afër teatrit. Për Shqipërinë informacion që kishte si një vend i mbyllur, gjëra që i dinin gjithë italianët.
Masimo Ranieri, erdhi me dëshirën e plotë të tij, por sigurisht me frikën e një regjisori që nuk ishte regjisor opera, pra kishte edhe mëdyshjet e veta, për ndonjë pyetje provokative, delikate, kërkoi ti bënin disa pyetje të shkurtra, një konferencë shtypi në pak minuta.
E kishin përgatitur bukur mjedisin, televizionet ishin aty, shpalosi idenë, me fjalë të përgjithshme shprehu kënaqësinë e tij, sidoqoftë me një farë ftohtësie që unë e kuptoja psikologjikisht. Pas saj u ulëm, pamë planin e provave, e studio, bëri nja dy vërejtje të vogla, kërkoi ato që mendonte, filluam direkt atë mesditë me provat e regjisë.
Për Traviatën zgjidhni një dirigjent të huaj, pse?
Kisha përgatitur stafin tonë komplet me artistë shqiptarë, të njohur ishte një grup i mirë, me soprano Eva Golemin në rolin e Violetës, Armando Kllogjeri si tenor në atë të Alfredos, dhe baritonin Ylber Gjini në rolin Zhermonit, si dhe tjerë për rolet tjera. Drejtore muzikore ishte Edit Mihalin që e kishte kënduar vetë dhe që i njihte problemet, ndërsa unë isha rolin e Drejtorit të Përgjithshëm dhe artistik të institucionit.
Dirigjent zgjodha një francez, Andre Bernard, që kishte ardhur edhe herë të tjera, si një detaj lidhës së shfaqjes me Parisin ku është zhvilluar ngjarja. E gjykova se shërbente edhe do të ishte një mbështetje e mirë.
Cila ishte Traviata e Masimo Ranierit?
Ranieri kishte një vizion të rreptë të shfaqjes, duke mos bërë atë tradicionale, por një opera minimaliste. U shpreh që nuk donte dekor piktori, por atë do e përcaktoj vetë me gjëra rrethanore që keni aty a pa shpenzuar asnjë lek na tha. U fut në depon tonë të dekorit zgjodhi disa karrige, të thjeshta të konsumuara, të pa lyera, pa asgjë të përbashkët me ato të salloneve të Parisit.
Nuk pranoi të shtronim dysheme të re, duke e lënë ashtu të rrjepur, të një skene që kishte punuar, kur Travata në vizionin tonë ishte një opera luksoze. Në holl pa një pufe të rrumbullakët të madhe kadifeje, e morri e vendosi në qendër të skenës, e cila do të ishte me perde të errëta. Më kërkoi një pemë, një shelg lotsjellës të madh nga ato tipike të varura në Tiranë. Shkuam te Gjergj Kaleshi, në autostradë, një njeri bamirës, dashamirës që na e dhuroi.
Gardëroba e TOB, sa i shërben shfaqjes së Ranierit?
Problem për të ishin veshjet, kërkoi në gardërobën tonë gjeti vetëm disa kostume, këmisha, blemë te rrobat e përdorura një pallto për Ylberin, u qepën gjëra minimale, që i përshtateshin këngëtarëve. Pasi u sigurua, gjithçka ishte gati, ku qëllimi i tij në atë shfaqje minimaliste ishte jo për të treguar Violeta Valery sipas libretit të Piaves, por atë të Margarit Guatier të romani “Zonja me Kamelie” të Aleksandër Dyma, prej nga kishte origjinën libreti. Një gjetje për të treguar në operën e Verdit, Violetën origjinale.
Çfarë Traviate ishte ajo e Masimo Ranierit?
Preludi orkestror me të cilin fillon opera është i qetë. Ranieri e shfrytëzoi për të treguar jetën e Margaret Guatier, jetën e një femre, për të cilën kërkoi, zgjodhi një vajzë të vogël balerinë nga Shkolla e Baletit, e cila dilte në skenë, befas, në përputhje me imazhin e tij. Me hapjen e dritave të aktit të parë, me korin në ballon e Violetës, në ato karrige të thjeshta në skenë ishte ulur orkestra, një ambient ku pihej ndonjë gotë shampanje, ku ndodh edhe takimi I parë i Violetës me Alfredo Germont.
Në skenë e dytë, në shtëpinë verore të tyre mjaftonte vetëm një kolltuk në skenë, ajo pema e lotusit për të treguar që jemi në fshat, si dhe Zhermoni që vjen aty me pallton e tij, me të cilën bën intrigën kur hedh mbi kolltuk, d.m.th. e hodhi në shtëpi dramën që do i ndodhte Violetës. Në tablonë e dytë, të aktit të dytë, për dramën e lojës me letrave, ai morri një sofër që ne e kishim në rekuizitë, të cilën e përdorte Ansambli, është ajo sofra e madhe mbi të cilën kërcehen vallet.
Prej druri shumë solide, ai e vendosi mbi një skelet hekuri dhe e mbuloi me një mbulesë jeshile, tamam si tryezat ku luhet bixhoz. Pastaj dy vallëzimet, ai i ciganeve që shohin fatin nga një grup baleti që simbolizojnë njerëzit keqbërës, dhe korin e matadorëve, kur nxjerrin në skenë fëmijën, Margaritën e vogël, e vendosin mbi sofër, sikur të kujtonte Kozetën tek “Të Mjerët” e Viktor Hygoit. Kur ajo ka humbur ndjenjat, këtu vjen Violeta e madhe. Pastaj drama në grindjen e saj me Alfredin, ku shfaqet temperamenti i egër i tij, që e kap e shtrin, duke i hedhur sipër një shumë të madhe paresh, një mënyrë për ta dhunuar me para. Një skenë rrëqethëse, e njëjtë si dhunon shoqërinë paraja në kohët moderne. Pra, ky ishte vizioni i tij.
Fundi vërtet emocionues i shfaqjes?
Skena e fundit përsëri është një imazh me Violetën, palltoja e Zhermonit, me të cilën ai vjen në aktin mbyllës dhe në një ambient të varfër, kjo jep shpirt me atë klithmën e saj, e që duhet të binte në tokë, përkundrazi ajo ngrihet në këmbë. Shfaqja ishte shumë emocionale, duke pasur parasysh edhe aktorë ndonëse të rinj, por dinjitozë. Një Violetë e Eva Golemit shumë ekspresive, Kllogjeri, gjithashtu një tenor potent, bashkë me Gjinin bariton i fuqishëm. Travata u interpretua në italisht dhe pati një sukses në të gjitha recetat e saj dhe ne ishim vërtet shumë të lumtur. Ajo u dha tri herë në pak ditë.
Një urim sa i papritur, aq i bukur që e shtang Ranierin?
Lidhur me trajtimin e një opere, përveç disiplinë që kërkonte, nga ana tjetër Ranieri kishte edhe mjaft dyshime nëse do i realizonim cfarë ai do të kërkonte. A do të gjente artistë për të realizuar veprën? E pashë që marrëdhëniet me të ishin të prera. Takoheshim, mbaronin provat, ndonjë fjalë, shprehte ndonjë vërejtje, gjëra të vogla dhe ky ishte komunikimi. Por, nga brenda stafit të tij, më zbuluan se Masimo Ranieri ditën e dytë, që kishte ardhur këtu, kishte datëlindjen e tij, pra, më 3 maj.
Kjo më dha rastin ta shfrytëzoj për një surprizë. Kur mbaroi provat e mbrëmjes dhe bëhej gati plani për të nesërmen, pasi donte të dinte me saktësi orën, fillim-mbarim, sa do të zgjasnin provat, kur dhe sa ishte pushimi, të cilat i respektonte edhe për të shfrytëzuar kohën me një disiplinë të hekurt, i them që Maestro, nesër, pas provave të paradites, në pushim do të ngjiteni sipër, do të vini në drejtori tek unë për të biseduar lidhur me punën e bërë, ka shkuar mirë por disa gjëra nuk janë të qarta.
I përgatisni surprizën nga më të bukurat të jetë së tij?
Të nesërmen, gjithçka ishte përgatitur. Mbaruan provat, ora 10.30, dikush e ndalon, e mban duke diskutuar. Ndërkohë kori ishte ngjitur sipër dhe Luigji një inspektor i skenës, Maestro i thotë, eja po na pret drejtori. Masimo me një përtesë, vjen vetëm kur gjen çfarë kishim përgatitur, ngrin, hutohet. Nuk dinte asgjë, në sfond sheh të gjithë artistët dhe duke u afruar me mendimin, çfarë mbledhje do të bëjmë, unë i dal përpara dhe ai sheh tortën, ku mbi të ishte shkruar “Buon Compleano”, dhe korri që nisi të këndojë “Tanti auguri a te”.
U krijua një atmosferë e bukur, prekëse, një situatë me artistët, me ne drejtuesit krejt ndryshe. “Kam pasur shumë datëlindje në jetën time, asnjëra nuk më është festuar si këtu, nuk do ta harroj dhe i emocionuar pa masë, nisi të ndajë vetë copat e tortave. E gjitha kjo u zhvillua në një kohë të caktuar, pas të cilës u kthyem në punë. Sigurisht që Masimo e kuptoi me çfarë njerëzish kishte të bënte, dhe një marrëdhënie krejt tjetër u krijua.
Një qytet, si Durrësi që e nderon me një titull befasues?
Qyteti që kishte bërë më shumë për muzikën italiane, që e priste një ngjarje të tillë, sigurisht përveç Tiranës, ishte Durrësi. Dhe unë i kisha premtuar kryebashkiakut që do bëj çmos që Ranierin ta sjell aty, por pa mundur të përcaktoj. Eja më tha kryetari se do ti bëjmë një surprizë. Masimo, i them, do të shkojmë në një qytet afër, i bukur, pranë detit, përballë Italisë, një vizitë të shkurtër. Do të na presë Kryetari I Bashkisë. Mbërrijnë në Durrës, afrohemi kishin dalë për të na pritur, dhe na fusin në sallën ku bënin mbledhjet e Këshillit Bashkiak, por mjaft njerëz mbetën jashtë. U bë një ceremoni e shpejtë ku aty atij iu dha titulli “Nderi i Qytetit”. I befasuar, pasi falënderoi, u shpreh: “Çfarë kam bërë, asgjë nuk kam bërë për qytetin”. Përkundrazi iu përgjigjën: “Keni bërë shumë më tepër me këngët tuaja”.
Dhe një festë që vazhdon deri në mesnatë?
Më pas shkuam edhe në teatrin “Aleksandër Moisiu”, ku në një nga sallat e tij u bë një takim me disa artistë, aktorë durrsakë. Kur doli, në sheshin para tij, ai pa gjithë atë popull të mbledhur aty. E kishin organizuar më së miri. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Ranieri pati thënë se nuk donte të këndonte, dhe meqë nuk donte të këndonte ai, filloi të këndonte publiku këngët e repertorit të tij, ato të Sanremos, Canzonisimas, etj.
Ndërkohë, ai nuk duroi morri mikrofonin dhe kjo festë, ajo mbrëmje vazhdoi deri në mesnatë, me Ranierin që u dorëzua para durrsakëve dhe e quajti ngjarjen nga më të bukurat e jetës së tij. Pas premierës, suksesit, dhe asaj në Durrës, kur mbërritëm në Tiranë, në një çast, u ul në gjunjë para meje, për të treguar se kishte mbetur shumë i kënaqur. Një moment emocionues, i sinqertë që e tregon edhe fotoja.
Jeni të ftuar në ambasadën italiane, ku janë edhe artistë të njohur shqiptarë?
Në njërën nga ditët e pushimit, ambasadori i atëhershëm italian në Tiranë, Tomaso Ianuci, pas një shfaqje më thotë: Maestro, nesër në mbrëmje ju dua për darkë. Merr një grup artistësh, si dhe ndonjë person që ke dëshirë ti dhe si dhe Masimon me stafin e tij. Shkojmë, darka ishte organizuar në selinë e ambasadorit, rezidencën e tij. Përveç artistëve që kishin marrë pjesë në premierë, unë mendova të vinte edhe Sherif Merdanin, duke gjykuar që t’i jap këtë kënaqësi, nisur edhe nga admirimi ynë për të.
Një darkë e madhe e pasur, kaloi me fjalime miqësore të ambasadorit, Masimo që miratonte të gjitha, duke kujtuar, vlerësuar shfaqjen, artistët, pritjen në Durrësi, festimin e datëlindjes.
Por, ndodh diçka “shqetësuese” me ju protagonist maestro?
I eksituar në një çast, ngrihem: Masimo, në krahun tënd i ulur është një zotni, i them. Ai quhet Sherif Merdani. Ka qenë diplomat në Romë, ndonëse ka kaluar një jetë shumë të vështirë. Një nga arsyet për të cilat është dënuar me burg, ka qenë sepse ai ka preferuar të këndojë këngë italiane dhe midis tyre ato të një këngëtari si ju. Ranieri ngriu, u zverdh: “Më fal, më fal, unë nuk kam ditur gjë, nuk kam thënë gjë”, reagoi sikur ky ishte ai fajtori.
Një atmosferë shumë emocionale, ndërhyri Sherifi, ne të gjithë, duke i treguar se bëhet fjalë për një ngjarje tronditëse në jetën e një këngëtari me kontribut të madh në muzikën e lehtë shqiptare. “Masimo ti ke qenë një dritare e hapur për ne shqiptarë, por këtu, muzika italiane, evropiane ishte e ndaluar”, i thamë. Me këto përshtypje ai u largua nga Shqipëria.
Në Napoli, për Ranierin ka tjetër atmosferë për shfaqjen e Traviatës?
Në Napoli, në San Carlo në teatrin më të vjetër të Italisë, e priste një tjetër Traviata, ku me regjinë e tij do të këndonte një tjetër shqiptar, tenori, miku ynë Sajmir Pirgu. Mirëpo provat nuk kishin shkuar mirë, disa prej tyre u anulluan, dhe para shfaqjes, siç mora vesh Masimo ishte gati të jepte dorëheqjen, vetëm për evituar skandalin nuk bëri, pasi ajo do e rëndonte. Ja sabotuan, dhe doli një shfaqje, që pati kritikat e mëdha, sidomos nga krahu konservator, të cilëve i dukej sikur ky po i merrte edhe këtë fushë, nisur nga fakti që luante në filma, ishte regjisor spektaklesh, këngëtar, një emër i rëndësishëm i skenës së përgjithshme italiane.
Intervistë surprizë e Masimo Ranierit në një kanal televiziv të njohur
Në kanalin “Rete 4” të “Mediaset”, i ftuar ai flet për jetën konservatore artistike, divergjencat me teatrot operistike italiane, tejet tradicionale, ku nuk ka hapësirë. Më bie telefoni, ishte Rozmari Jorganxhi, që jeton në Triste, me të cilën kishim bërë Traviatën që u kritikua asokohe. Ajo po e ndiqte, Zhani me thotë hape televizorin te “Rete 4” se Masimo Ranieri po flet për ty. Unë arrita të kap vetëm, kur ai tha që nëse dëshironi të bënit diçka të re, jo këtu se është pamundur, shkoni në Tiranë, ku në Teatrin Kombëtar është një drejtor, duke përmendur emrin tim, atje e ke fushën të lirë. Mjafton të jesh bindës për atë që bën. Pas një kohe, e morra në telefon, e falënderova, i tillë ka mbetur komunikimi ynë.
Situatë delikate në RTSH, ju organizoni një koncert simfonik të jashtëzakonshëm?
Në kohën kur në Radio Televizoni ishte një situatë e tensionuar, po bëhej struktura, dikush thoshte ta heqim orkestrën, një tjetër ta bëjmë variete. Drejtor ishte Skënder Bucpapa, që vinte nga fusha e letërsisë, ishte barriera e parë duke iu kundërvënë disa njerëzve ekstremë. Fatmirësisht, në këto moment ishte shumë e rëndësishme që u bë një koncert simfonik madhështor në Pallatin e Kongreseve me Katia Ricerelin, me repertorin më të mirë të saj, shoqëruar nga orkestra jonë. Me të ishte edhe Pipo Baudo. Pastaj me këngëtaren e njohur Ana Oksën e ftuar në festivalin e radios.
Pyetja e fundit Maestro Zhani: Posteri, ai i Traviatës, shumë i veçantë?
Posterat i kompozonte Gesi Kilica, djali i piktorit Vilson Kilica. Ishte fantazi e tij ajo me buzët, simbol i dashurisë, një grafikë moderne si stili i Ranierit. Ai e pa e pëlqeu dhe e firmosi.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al